Agjencia për Media dhe Informim- Institucion nën vartësinë e kryeministrisë nuk ka bërë gjë tjetër veç se ka përforcuar fundin e një konference shtypi që u mbajt para pritshmërive të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian që u mbajt më 12 Nëntor, 2026 në Dublin.
E prekur më shumë nga efekti propagandistik se sa nga dështimi i përmbajtjes në çdo aspekt të politikës së brendshme dhe të jashtëme për Shqipërinë përveç një hyrjeje apo prezantimi sipërfaqësor me:-“Është një kënaqësi e madhe që gjendem në këtë vend të mrekullueshëm nga i cili gjithmonë kemi ç’të mësojmë, e në të njëjtën kohë të jesh në një vend që aktualisht është vendi që drejton shfaqjen në Bruksel me presidencën e vet që ka qenë shumë e dobishme dhe në të njëjtën kohë, më vjen mirë të jemi në këtë komunitet të madh për të parë ku gjendemi dhe çfarë vjen më pas. Faleminderit.”, kryeministri pas këtij 40 sekondëshi dukej se ishte i gatshëm të rrëshqiste drejt hapësirave të preferuara për qyfyreve që zakonisht i sjellin atij samitet, por pyetet e kthyen dhe e mbajtën për rreth 10 minuta.
Thelbin e përgjigjeve me pyetje e trajtuam në një shënim të mëparshëm*, por duket se MIA-s nuk i mjaftoi propaganda e ATSH-s dhe e shpie më lart imazhin duke e ngritur krah flamurit të NATO-s atë të Shqipërisë, një aleancë për të cilën fatkeqësisht kryeministri i tanishëm (i katër mandateve), ka qenë kundërshtues përveç skepticizmit që i ushqente filozofia e një “shoqërie të hapur”.
Edhe për këtë aspekt nuk po ndalemi pasi media ndërkombëtare ose një pjesë e mirë që ishin prezent në konference e quajtën atë; “Albanian PM Edi Rama Grilled By Press At Dublin EPC Summit”, shkurt që do të thotë se; “shtypi e theku KM shqiptar”.
Pyetja se do të ketë apo jo një samit të aleancës duke e ditur shkallën e korrupsionit në Shqipëri, pastrimin e parave, narkotrafikun transnacional në territor Evropian janë shkaqe më të thella edhe se sa t’i ngarkosh këtij vendi me një popullsi që vuan nga çmimet e larta dhe papunësia faturën qindra milionëshe të vendit organizator. (Vlerësuar si 160 milion kundrejt 10% mbështetje nga vendet e aleancës)* .
Pra duke futur këtë koeficient vështirësie mbi trazirën e pasigurisë së pushtetit në duart e parti-shtetit dhe vetëm të një personi, mbajtja ose shtyrja nuk janë çështje kohe dhe përgatitjesh, por janë një sinjal i qartë i kohës që afron për dorëzimin e pushtetit të qeverisjes së korruptuar aktuale drejt një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja që do të sjellin ndryshimin dhe stabilitetin.
Në se dje ATSH-ja me siguri vendoste sipas Ministrit të Mbrojtjes Nufi se “Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë, Shqipëria nuk ka propozuar shtyrjen apo zhvillimin virtual”.
Çfarë sigurie kishte Nufi mbi kryeministrin, ose si e përgënjeshtroi kryeministri Ministrin e Mbrojtjes, anëtarin e kabinetit që vetë drejton?
Tani le të vijmë tek imazhi që MIA pasqyron përmes ATSH, kur përditësimi i mesazhit të kryeministrit në faqet e saja qoftë në gjuhën shqip apo edhe në anglisht ka ngrirë në data të më hershme. Konkretisht në Francë para katër ditësh dhe tjetra një muaj më parë, në mes të Tetorit 2026.
Mos komunikimi dhe rutina e përgjegjësive mes patronazhistëve dhe nepotizmit nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin, mjafton që qejfi t’i bëhet eprorëve dhe të bëhet sipas urdhrave të tyre.
Në qoftë se ka një përsëritje, e papritura prej ngecjes dhe pa dëshira e kryeministrit ishte fraza e vetme e famshme e mbetur që ai përmendi si në “think tank”-un e IIEA-as (Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane), ku si temë e zgjedhur ishte “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, ku ai u shpreh për një riorganizim në kontinent se:-“Qysh kur kam qenë fëmijë gjyshja ime sigurohej që unë ta dija, të ma thoshte që fqinjët nuk ishin zgjedhja jonë, fqinjët ishin ata që ishin dhe Rusia nuk do të shkojë asgjëkundi kështu që nuk është as e bëshme që të mendojmë që do të jemi në një luftë të përhershme me Rusinë apo që nuk do të flasim me Rusinë.”, dhe të njëjtën gjë e përsëriti një ditë më pas në konferencën për shtyp si :-“Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë gjëkundi. Ajo do të jetë aty dhe, e dini, e ardhmja e kontinentit është një e ardhme e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke përdorur të gjitha mjetet. Dhe ndërsa e mbështesim Ukrainën plotësisht, duhet të zhvillojmë një bisedë.”
Duke i krahasuar këto dy situata me përmbajtje të njëjtë ju mund të nxirrni një vlerësim se si dhe pse në këtë mënyrë propagandistike ekzekutivi shqiptar i përdor samitet dhe i keqpërdor fatet dhe të ardhmen e shqiptarëve duke u shtirur si mbrojtës i ndonjë ideje (doktrina e gjyshes).
Në fakt zhvillimi dhe demokracia në raport me diktaturat dhe parti-shtetin janë vija ndarëse mes ideologjive dhe sistemeve, lirive dhe shtypjes, të drejtave dhe dhunës të cilat në 14 vite me kameleonizmin e vet politik dhe për përfitime të çdo lloji, kryeministri shqiptar ka shitur gjithçka në dobi të globalizmit për të përqendruar pushtet dhe vazhduar një eksperiment të dhimbshëm mbi fatet e një kombi dhe faktorit shqiptar në Juglindjen e Evropës.
_____
*MIA-Agjencia për Media dhe Informim- Institucion nën vartësinë e kryeministrisë
* Ish-ministri i Financave (PS) Arben Malaj ka shpjeguar për News24 se organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë ka një kosto totale prej rreth 160 milionë € nga të cilat rreth 145 milionë € janë pjesë që përballohet nga buxheti i shtetit shqiptar.
*kameleoni/ kameleonizmi- gjallesë, zvarranik i/e aftë në maskimin e vet. Ose si term politik është aftësinë dhe prirjen për të ndryshuar ngjyrën, pamjen, sjelljen apo personalitetin, në mënyrë që t’u përshtatet situatave, mjedisit ose njerëzve që e rrethojnë.