Vjeshtë, 2026
1. Filli i një porosie
Admiroj përherë stinët kalimtare. Sa magjepëse pranvera kur natyra lind dhe ëndrrat, pas dremitjes dimërore, zgjohen sërish.
Ndaj të gjithë, ne dhe fëmijët, gjendeshim për një pushim të shkurtër në Kosovë pikërisht blerimeve të prillit, vitin e ikur.
Ishin orët e një pasdite të vonë prehëse, kur dikujt iu kujtua të thotë: ah, do të porosis për të ngrënë. Dua të shijoj prapë picat e Prishtinës.
Një alternativë tjetër, mbase, ndërhyra unë?
Jo, jo. Kësaj here unë mora nismën. Por ti, babi, tha vajza ime G., nëse nuk përton, do të dalësh poshtë për të pritur liferantin.
E unë akoma nuk e dija se kjo pritje a syzim i shkurtër do t’më mbetej gjatë në kujtesë.
2. Shenjat e befta…
“Wolt”-i që solli porosinë nxitimthi, me një motoçikletë, kishte një zotës të mbështjellë si ndjekës hajdutësh ose rebeltarësh politikë.
Ndaj desha të bëja pak shaka. Por, pas njatjetimit, ai mbeti i hutuar. Nisi të bëlbëzonte anglisht duke përmendur Turkinë (Tyrkije, Tyrkije…). Atëherë, pak i zënë në beft, kuptova qartë: vinte nga anë e kundërt e Bosforit.
Pas darke vonë, nuk mund të mos mendoja për takimin e papritur. E thashë me vete: ç’status apo mision qëndrimi mund të ketë ky turk, i largët në kohë, në veshje e në gjeografi?
Në kohë sepse, për një çast, e përftyroja motoçikletën e tij si një kalë historik betejash që mësynte hapsirën e krishterë europjane për lavdinë sulltanore.
Në veshje, ndërkaq, kapela e sigurisë sikur i ngjante helmetës kalorsiake të heshtarit otoman, hipur mbi kalë-çikletën e tij.
Dhe, në gjeografi, sepse vinte andej, larg, një botë larg truallit arbnor. Atje ku barbaria e parashekujve
nuk i dorëzohej dhe, madje, sfidonte motin dhe qytetërimin e ri oksidental.
Dyshimi sokratik do t’më përcyste, shpejt më pas, pyetje të vështira.
Ndaj, i përfshirë nga një ndjesi e trishtë,
do t’arsyetoja në heshtje. E, pra, të jetë ai vallë, një dertar i thjeshtë, një ëndërrtar kozmopolit, apo, mbase, një hixhra emigrant (si do t’i definojë Basam Tibi në librin “Europa pa identitet”) që hedh gjurmët e para për të rikthyer Kosovën në atllasin turkoislam të qindvjeçarëve?
Ndërsa tëholloja një përgjigje, çelësin e saj, kujtova të përndriturin Emerson. Ajo që është prapa nesh dhe ajo që është përpara nesh, thosh ai, janë vogëlsira, në krahasim me atë që është brenda nesh”.
Ajo që është pas nesh? E ikur, e mbyllur në kohën e vet? A nuk është frenim i një zemre luftëtare?
Por, jo!
Ekspeditat mondane pajisen maskash të reja. Pararojat virtuale pushtojnë më parë shpirtin e, mandej, trupi i mbetur pa dritë, dorëzohet vetë.
Ne pra, brenda nesh, duhet të “rrnojmë për me tregue” dhe nga Mësuesja e jetës shenjat me i diftue…
3. Shfytyrimi i errët
Në Europë, qëkur jetohet mrekullia e demokracisë, ka tri arsye përligjëse për një ngulim tretdhetar. Një nga këto është dhe martesa me një rezident të ligjshëm. Tani së voni, pas miratimit të ligjit të emigracionit, ndokush mund të akomodohet edhe me vizë pune.
Po picabartësi turk? Ç’argument dhe ç’të drejtë qëndrimi ka siguruar, vallë?
Dhe, nëse lejëqëndrimi i tij legalizohet nga një kurorëzim, aherë ç’emër ka marrë?
Sepse, si dihet, në vendin e tij aziatik në rast etablimi statusor, ardhësi nga tjetër Dhé do të riemnohet turk pa mëshirë e përfillje për gjenealogjinë e tij!
Vite që këtej kisha vajtur me një grup kolegësh të punës për një vizitë në Stamboll.
Një koleg e mik imi (tashmë i ndjerë), që në ditën e parë më rr’fente se kishte një kushëri të dashur aty, në metropolin turk.
Kishte mall dhe pa humbur kohë u vumë t’a kërkonim. Natyrisht, aty ku thuhej të ishin më të shumtë shqiptarët.
Por, kudo që trokisnim zhgënjimi na priste. U lodhëm. Pastaj vendosëm të pyesnim dhe një të vetme herë. Dhe fati do të dilte në anën tonë.
Posa iu drejtuam një rrobaqepësi, morëm një përgjigje të shpejtë. E supozoj se jemi shqiptarë, ndaj dhe u ngrit rrëmbimthi e, disi, përvuajtshëm. U afrua e, pasi pyeti për vizitën, njëj zëri të ngrirë, tha: ai nuk quhet më Gashi, por Aksoy!
Pas pak, do të ndanim me të heshtjen e dhimbjen që, më pas, të gjenim Gashin tonë të tretur…
Evokoj me mall një darkë mbi Urën e Gallatës që shtroi për ne shqiptari i shfytyruar, i miri emërthyer Gashi. Kishim biseduar për Kosovën, mërgimin, punët, familjen dhe, patjetër, mohin e pashpirt turk.
Pas një ndeje të gjatë do të ndaheshim. Përgjithmonë. Ne morëm rrugën e bujtinës, e ai kthimin në identitetin e ri të aksoyzuar që i vriste emrin, gjuhën, etninë dhe kujtesën…
E në Kosovë që, ashtu si Shtëpia Europë, e hapur është, si ndodh pra?
Quhet tani mërgimtari turk që kalëron çikletën e tij tërthor Prishtinës, sipas mendësisë së tyre të ndryshkur që shuan emrin e parëlindur, Arta, Ilir, Agron, Besnik, Shpresë? Apo, mbase, vijon të mbajë i paposhtëruar emrin e vet- Atesh, Fidan, Asia ose…?
E besoj versionin e dytë të përgjigjes.
Gjithsesi!
Sepse, thjeshtë, shqiptarët kanë një kulturë e civilizim thellësisht tjetër. Mijëra vjet më të lashtë e sipërore se dera e Osmanëve obskurë…
4.
A janë, vallë, më të lumtur popujt pa histori?
Që, në fakt, kanë një kronikë të pabujshme dhe, ndaj, një histori të mërzitshme?
Por të tillë nuk janë popujt që, destinuar nga fati, jetojnë në kryq udhësh neuralgjike.
Shqiptarët, veçanërisht!
Shpallja e zjarrtë e pronësisë mbi tokën e tyre, mbi tokën e huaj djeg qyshkur shpirtëra të përhënur.
Para ca vitesh autokrati Erdogan, i egzaltuar fare si në trans, thërriste në Prizren: Kosova është Turqi.
Kurse serbët, të vjetër e të rinj, regjimtarë e studentë të pushtetuar, përjargen gjithnjë lodhshëm në fatamorganën e tyre: Kosova është Serbi.
Madje, dhe një drejtor i agjencisë “Regnum”, e afërt me Kremlinin,
Vladimir Zotov, do t’i jepte një shkrimi në librin e vet, titullin e marrë posesiv: “Kosova është Rusi”!
O Zot, thashë.
Të gjithë e duan këtë Dhé të bekuar. Madje, më zjarrtë se ata të cilët e banojnë qysh nga fillimi i kohës.
Vetëm në Tiranë ose Prishtinë, nuk dëgjojmë refrenin jetik: Kosova është Shqipëri!
E kuptoj krejtësisht qartë gjeopolitikën, fuqinë a dialektikën e përgjakur të historisë.
Por ja që nuk dëgjohet. Madje, nëse politika e lartë duhet të tregojë ose, së paku, të flasë me gjuhë Ezopi, përse indiferenca sundon gjithandej rretheve të kulturës dhe dijes kombëtare?
Në Universitetin e Tiranës madje, si pohon Neritan Ceka, arkeolog i shquar, për çudi, mësohet e kundërta në kufij të tradhtisë: se Kosova qenka gjithmonë e jetë serbe.
5. Vjetërim epokash
Në kohë të vjetra, epokat alternoheshin ngadalë. Brenda saj lindnin e shuheshin breza të tërë.
Porse tani, si do të vërente Kundera në një ese, janë epokat që vijnë e ikin të shpeshta brenda një breznie njerëzore.
Dhe fillet mashtruese të një kthimi, një flete të rinuar epokale në truallin arbnor, janë të ndryshme.
Miqësi natyrale, zonë historike interesi, identitet fetar, traditë e kultivuar shpifërisht apo, së fundmi, lajmës të parë, herakë, të kolonëve anonimë turq – a nuk bëjnë shtrojerën aziate që përzjen kartat e orientimit qytetërues shqiptar?!
E pica-kalorësi turk, më i fshehtë e munxadhënës se të gjithë, bredh rretherrotull me kalë-çikletën e tij.
Dhe nuk është i vetmuar!
(r.)