Prindërit Dënonin dhe Pushkatonin në Diktaturë, Fëmijët Shpërblehen sot me Pushtet!
Historia e pushkatimit të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka zbulon një nga mekanizmat më kriminalë të drejtësisë komuniste, vendimet e gjykatave përgatiteshin paraprakisht në zyrat e Partisë. Gjykata nuk ishte institucion drejtësie, por instrument i vullnetit politik të diktaturës.
Më 28 prill 1977, në mbledhjen me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Librazhdit, ku diskutohej fati i grupit të Bërzeshtës, ishin të pranishëm edhe Nevrije Fistaj Bodo, kryetare e Gjykatës së Rrethit, gjyqtari Subi Sulçe dhe prokurori Qani Lavdari.
Dokumentet e publikuara tregojnë se dënimi kapital i Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ishte pjesë e diskutimeve dhe planifikimeve politike të partisë.
Më 13 qershor 1977, gjykata shpalli dënimin me vdekje. Më 17 korrik 1977, dy poetët u pushkatuan.
Pra, fillimisht vendoste Partia, pastaj vuloste gjykata dhe në fund ekzekutonte diktatura!
Por kjo histori ka edhe një vazhdimësi që nuk mund të kalohet në heshtje dhe që tregon qartazi lidhjet e diktatures komuniste dje, me autokracinë e sotme.
Nevrije Fistaj Bodo është nëna e Sadleva Bodo, e cila sot drejton Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri.
Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një lidhje familjare, por me një realitet të hidhur të tranzicionit shqiptar,
ndërsa familjet e viktimave të komunizmit presin ende drejtësi, pasardhësit e familjeve të lidhura me aparatin e diktaturës vazhdojnë të promovohen në drejtimin e institucioneve shtetërore, pikërisht për kontributin qe kanë dhënë të parët e tyre dje ne diktaturen komuniste.
Prindërit kontribuuan në diktaturë, fëmijët shpërblehen sot me pushtet!
Problemi nuk është vetëm vazhdimësia e njerëzve, por edhe vazhdimësia e mendësisë dhe e metodave të qeverisjes.
Fatkeqësisht sot, pasardhësit politikë të elitës komuniste janë në pushtet dhe qytetarët përballen përsëri me arrogancën shtetërore, kapjen e institucioneve, presionin ndaj kundërshtarëve, keqtrajtimi kriminal i protestuesve paqësor dhe përdorimin e administratës si instrument të pushtetit. Një pushtet që nuk e pranon kundërshtimin, që nuk toleron zërat kritikë dhe që e konsideron shtetin pronë të vetën.
Dje partia-shtet vendoste se kush dënohej me burg apo pushkatim. Sot, pushteti politik kontrollon dhe përdor institucionet shtetërore në të njëjtën mënyrë që ngre pikëpyetje serioze për lirinë dhe pavarësinë e tyre.
Ky është tranzicioni shqiptar, nuk u bë shkëputja e vërtetë nga e kaluara komuniste. U ndryshuan emrat dhe format e pushtetit, por shumë nga njerëzit, lidhjet dhe mentalitetet e vjetra mbijetuan.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan sepse diktatura nuk toleronte mendimin e lirë. Sot, pas kaq dekadash, Shqipëria vazhdon të përballet me një pushtet që duhet të mësojë se institucionet nuk janë pronë e partisë dhe qytetarët nuk janë shërbëtorë të saj.
Dje partia komuniste vendoste kush do pushkatohej, sot pasardhësit e elitës politikë te saj vazhdojnë të qeverisin, kjo është plaga e pashëruar e Shqipërisë postkomuniste!