Historia e 17-vjeçarit Erind Goçlari, i cili u gjobit me 5 milionë lekë pas pjesëmarrjes në protestat kundër kryeministrit Edi Rama, ka prekur shqiptarët, të cilët janë solidarizuar masivisht me të dhe familjen e tij.

Erind Goçlari

Në një fushatë bamirësie në GoFundMe, të hapur në Angli, janë mbledhur mbi 120 mijë paund, duke tejkaluar objektivin fillestar prej 85 mijë paundësh.

Fushata u inicua nga Osman Stafa  i cili bëri thirrje për të ndihmuar familjen e 17-vjeçarit, që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe ka nevojë për rikonstruksionin e banesës së rrënuar në të cilën ata jetojnë.

LEXO EDHE: VIDEO/ Jeton në një banesë të rrënuar, historia prekëse e 17-vjeçarit që u gjobit 5 mln lekë: Nëna më mungon shumë! Do vijoj të dal në protestë, shteti na ka gënjyer! Dua kushte si të tjerët

Në përshkrimin e nismës bëhet me dije se Erindi ka humbur nënën nga kanceri në vitin 2018, kur ishte ende fëmijë. Aktualisht, ai jeton së bashku me të atin, vëllanë dhe motrën.

Përveç vështirësive familjare, i riu po përballet edhe me një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra, të vendosur nga Policia e Shtetit pas pjesëmarrjes në protestat ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, iniciatori ka bërë me dije se fondet e mbledhura do të përdoren për rikonstruksionin e banesës, me qëllim që Erindi dhe familjarët e tij të kenë kushte normale dhe dinjitoze jetese.

© Panorama.al