Si mbesa e Jonuz Kacelit, intelektual i shquar i pushkatuar nga diktatura komuniste, që njihet me emrin Masakra e vitit 1951 e bombës në Ambasadën Sovjetike, misioni im në nder të martirëve të komunizmit dhe vuajtjeve të heronjve tanë që ende nuk kanë drejtësi nuk do të ndalet kurrë.
Edhe takimi i shumëpritur me Shenjtërinë e Tij, Papa Leoni XIV në Shën Pjetër lidhej me martirët shqiptarë të diktaturës, 6000 prej të cilëve u mungon edhe sot një copë tokë ku t’ju prehen eshtrat, që familjarët të kenë ku të luten për shpirtërat e tyre apo të sjellin nga një buqetë me lule.
Prej disa muajsh po përgatisja këtë takim dhe me ndihmën e Zotit të madh e arritëm.
Vjet bashkë me Fretnit Françeskane të Shqipërisë tonë, botuam vëllimin e dytë në italisht të librit monumental të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”.
Vëllimi i dytë sikurse i pari që pati atë jehonë të madhe mediatike, mban dhe ai një parathënie shumë të rëndësishme ashtu siç kisha paralajmëruar në vite: fjalët dhe mbështetjen shpirtërore të Eminencës së Tij, Kardinalit amerikan Raymond Leo Burke, i cili është një mik i imi i shtrenjtë që me udhëzon dhe këshillon kurdoherë e që në një far mënyre ka zënë vendin e Atit tim shpirtëror At Zef Pllumit që aq shumë më deshi dhe udhëzoi ato pak vite që e pata fatin të isha bijë e tij në shpirt, saqë më besoi me zemër trashëgiminë e tij, biblën e dhimbjes shqiptare siç e quaj unë teologjinë e tij e cila në vetvete mban si titull amanetin që superiori i tij At Marin Sirdani i la në kohën më të vështirë për Kishën Katolike Shqiptare dhe për besimin fetar të një kombi i cili tek feja ka dhe bashkimin e tij shekullor:
“Zef, dhe sikur të gjithë ne të shkojmë si qeni në rrush dikush duhet me teprue, prandej shko Zef, ti duhet me jetue, dhe sikur kurrgja të mos jesh i zoti me ba veç se me rrnu, shko Zef, rrno, rrno vetëm për tregue, dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë!“
Kjo fjali është monumentale. Besoj tek forca e saj është drithëruese. Kur e kam lexuar për herë të parë atë fjali një mori me ndjenja e ndjesi pështjelluese me kanë përshkuar shpirtin. E mora dhe unë si mision për veten time sikurse ai foli edhe për mua edhe me mua! Dhe meqë Patër Zefi ma ka lënë amanet veprën e tij, ashtu dhe unë deri sa të kem frymë amanetin do e ruaj e do ta përcjellë atë.
Ndaj sipas këshillës së mikut tim Kardinalit Burke shkrova një letër për të takuar Papën dhe për t’i dhuruar librat e At Zefit me dedikimet përkatëse.
Kërkesa u pranua nga Zyra Papnore dhe m’u kërkua të zgjidhja ditën e njëres prej pritjeve të ditës së Merkure që Shenjtëria e Tij mban çdo javë me besimtarët që vijnë nga gjithë bota.
E imagjinoni gëzimin tim të madh?
Për më tepër kur zgjodha ditën mu tha që do kisha biletën që i rezervohet njerëzve dhe miqve drejt për drejtë të Fesë dhe Besimit apo misionarëve.
Ajo ditë do mbetet, po e përsëris, në kujtesën time si dita më e veçantë e jetës.
Pata fatin që Ati i Shenjtë u ndal me mua pothuajse 2 minuta. Ai më dëgjoi për gjithçka i thashë.
Dhe pasi më bekoi dhe më tha që do vijë në Shqipërinë tonë.
Çfarë i thashë?
Iu luta padyshim që të më bekojë në vazhdimin e misionit në përhapjen e dëshmisë se palëkundur të guximit të martirëve tanë dhe të mesazhit të dashurisë tyre për jetën për atdheun dhe Zotin.
Iu luta ta bekojë rininë tonë Shqiptare në këtë rrugë të mundimshme kundër kësaj të keqe të gjatë antishqiptare që ka zaptuar jetën e bashkëkombasve tanë.
Shenjtëria e Tij pasi më dëgjoi me vëmendje më tha “Bekuar qofshin njerëzit vullnetmirë që luftojnë dhe nuk dorëzohen”!
Ka qenë shumë emocion i madh. I dorëzova sakaq librat me dedikimet përkatëse në italisht dhe anglisht, të At Zefit në italisht si dhe simbolikisht librin e Ratzinger që kam përkthyer në shqip për ta patur Ati i Shenjtë në Bibliotekën e Tij.
Papa Leo XIV më tha se do i mbante. “Paçka se nuk di shqip për ta lexuar atë, por librat italisht do t’i lexoj më tha”.
Më pas Father Edgard i mblodhi dhuratat me premtimin e një përgjigje dhe kontakti të ardhshëm.
Duke shpresuar që Sigurimi i Shtetit që nuk është ndalur edhe pse thuhet se është ndryshuar sistemi, të mos veprojë sërish në prishjen e Planeve siç ka vepruar kur fillova të merresha me realizimin e filmit disa vite më parë apo kur ndali mos përfshirjen e librit të At Zef Pllumit në italisht në Panairin e librave shqip në Itali. Por kjo mua nuk më ka ndaluar të vazhdoj misionin dhe të luftoj për amanetin e Padër Zefit tim.
Ja pra për këto folëm me Shenjtërinë e tij, Pala Leon, takim i paharruar dhe i shënuar i jetës pas takimit me At Zef Pllumin, me 24 Gusht 2005 në Shkodër, që ka qenë takimi me një martir të gjallë e që mbijetoi për të mbajtur një amanet dhe për të përcjellë memorien e një Kombi nga Djalli i vrarë, por i shpëtuar nga Zoti.
Takimi me Atin e Shenjtë është takimi më i rëndësishëm i jetës time deri më sot pasi ai shëmbëllen dhe është Zëvendësi i Krishtit të gjallë mbi tokë. Lufta mes Errësirës dhe Dritës vazhdon por e Keqja me emisarët e saj nga portat e ferrit të errët “Non praevalebunt“ – «Nuk do të fitojë»!





