Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një prej figurave të njohura të shkencës dhe jurisprudencës shqiptare.
Lajmi u bë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila shprehu ngushëllimet për humbjen e një prej personaliteteve të saj themeluese.
Mësohet se ceremonia e nderimeve për Omarin do të zhvillohet më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Kush ishte Luan Omari?
Konstitucionalisti Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku shërbeu edhe si sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar. Për dekada me radhë, ai kontribuoi në studimin e së drejtës publike dhe kushtetuese, si dhe në zhvillimin e mendimit juridik në vend.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.
Karriera e tij akademike është e lidhur ngushtë me Universitetin e Tiranës dhe zhvillimin e arsimit juridik në Shqipëri. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, ndërsa më pas drejtoi për gati dy dekada Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë kësaj periudhe, ai dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të juristëve dhe studiuesve të së drejtës.
Ai ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike dhe kushtetuese, si dhe sistemin juridik shqiptar.
Po ashtu, mori pjesë në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve 1990.
Luan Omari është i biri i Bahri Omarit, (10 shkurt 1889, Gjirokastër – 14 prill 1945, Tiranë) publicist, veprimtar politik, botues dhe ministër i shtetit shqiptar. Ai njihet gjithashtu si kunati i diktatorit komunist Enver Hoxha (ishte i martuar me motrën e tij, Fahrijen), i cili më vonë firmosi dënimin e tij me vdekje. Në vitin 1915 u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë një nga drejtuesit e Federatës “Vatra” dhe mori drejtimin e gazetës së njohur Dielli. U kthye në Shqipëri në vitin 1919. U zgjodh deputet në parlament (më 1921 dhe 1923) si pjesë e opozitës. Pas rrëzimit të Qeverisë së Fan Nolit në vitin 1924 nga Ahmet Zogu, Omari u largua në ekzil në Itali, ku qëndroi deri në vitin 1939. Gjatë kohës që Enver Hoxha ishte student në Francë (Toulouse) dhe më vonë kur qëndronte ilegalisht në Tiranë, Bahri Omari e ndihmoi jashtëzakonisht shumë nga ana financiare. Hoxha madje strehohej shpesh në shtëpinë me qira të Omarit në Tiranë. Në vitin 1942, Omari u bë anëtar i organizatës nacionaliste Balli Kombëtar, duke u rreshtuar politikisht kundër lëvizjes komuniste që udhëhiqej nga kunati i tij. Gjatë periudhës së pushtimit gjerman, ai pranoi postin e Ministrit të Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës (shkurt – qershor 1944). Me marrjen e pushtetit nga komunistët në nëntor 1944, Bahri Omari u arrestua menjëherë. Ai u nxor përpara të ashtuquajturit “Gjyqi Special” në fillim të vitit 1945, i cili u zhvillua në kinema “Kosova” (ish-Teatri Kombëtar). Me gjithë lutjet dhe lotët e motrës së tij, Fahrijes, Enver Hoxha refuzoi t’i falte jetën dhe firmosi pushkatimin e tij. Më 13 prill 1945 u dha vendimi me vdekje, dhe ai u ekzekutua me pushkatim të nesërmen, më 14 prill 1945, së bashku me një grup intelektualësh dhe politikanësh të tjerë. Trupat e tyre u hodhën në një gropë të përbashkët në vendin e quajtur “Kodra e Priftit” në Tiranë. Varri i tyre i saktë u zbulua dhe u identifikua vetëm pas rreth 60 vitesh nga rënia e komunizmit.
Njoftimi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë se sot, më 29 tetor 2026, u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.
Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.
Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke shërbyer si një nga juristët më të përgatitur të vendit.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ka qenë docent i së drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i Teorisë së shtetit e të së drejtës dhe e i së Drejtës Publike në këtë Universitet.
Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese, si një figurë e spikatur e mendimit akademik shqiptar dhe europian.
Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar. Akad. Omari ka marrë pjesë në të gjitha proceset e debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90. Ai ka formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në jetën juridike dhe akademike të vendit.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës dhe për rolin e tij si themelues i institucioneve të dijes në Shqipëri.
Ndërsa, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike, në vitin 2016.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje.
I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!
- Nderimet për akademik Luan Omarin, datë 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë