Kamberi i përgjigjet Vuçiqit: “Nuk kuptoj çfarë po të shqetëson nga angazhimi im për shqiptarët

Deputeti dhe kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë një deklarimi në mediat serbe e ka cilësuar Kamberin si “më të keqin” ndër shqiptarët.
Kamberi ka thënë se do të donte të dinte se çfarë e pengon Vuçiqin te qëndrimet dhe kërkesat e tij politike, duke përmendur angazhimin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Serbia, arsimin, gjuhën, përfaqësimin proporcional dhe zhvillimin ekonomik.
Ai ka theksuar se nuk ka kërkuar të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve, por barazi dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Kamberi është ndalur edhe te bashkimi politik i shqiptarëve në Luginë, duke ngritur pyetjen nëse pikërisht ky bashkim është ajo që shqetëson pushtetin në Beograd.
“Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt. Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar”, ka deklaruar Kamberi.
Duke iu referuar një deklarate të më hershme të Vuçiqit se „do të vriten 100 të tjerë për një serb të vrarë”, Kamberi ka deklaruar se
“Personalisht, nuk kam thënë kurrë ‘100 për një’. Nuk kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim. Nuk kam kërkuar që për një shqiptar të vriten 100 tjerë”, ka thënë ai.
Në fund, Kamberi i ka kërkuar Vuçiqit të flasë konkretisht për qëndrimet e tij dhe jo përmes etiketimit.
“Cila nga kërkesat e mia është antikushtetuese, cila është antidemokratike dhe cila është antievropiane? Sepse unë nuk kërkoj të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve. Kërkoj barazi, përfaqësim dhe respekt për të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve”, ka theksuar Kamberi. rtvpresheva.com