Ministri francez i Financave, Roland Lescure i ka bërë thirrje Britanisë së Madhe që të rikthehet në Bashkimin Evropian, duke deklaruar se Londra është e mirëpritur të “kthehet në çdo kohë”.
Deklarata vjen pasi kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham tha se një referendum i dytë për Brexit-in mund të jetë një mundësi në të ardhmen dhe se Britania duhet të shqyrtojë alternativat e saj në marrëdhëniet me BE-në.
Burnham ka deklaruar se opsionet mund të variojnë nga ruajtja e marrëdhënieve aktuale, te rikthimi në unionin doganor ose tregun e vetëm evropian, deri te një rikthim i plotë në BE.
Duke komentuar këto deklarata, Lescure tha për BBC se vendimi për Brexit-in ishte marrë nga populli britanik dhe se, nëse britanikët do të dëshironin të riktheheshin në BE, do të duhej të merrnin vetë një vendim të tillë.
“Por ajo që mund t’u them është: ejani të ktheheni, në çdo kohë”, u shpreh ministri francez.
Lescure pranoi se anëtarësimi në BE shoqërohet me disa vështirësi, por argumentoi se pjesëmarrja në bllok u mundëson vendeve anëtare të përballojnë më mirë sfidat globale. Panorama