Protesta antiqeveritare vijon prej 123 ditësh, ndërsa aktivistët shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Të ftuar në një emision në News 24, protestuesit Adresian Binjakaj dhe Orion Çela folën për protestën 123-ditore, situatën politike në vend dhe zhvillimet e fundit, duke u ndalur edhe te arrestimi i ish-drejtoreshës së SHISH.
Binjakaj deklaroi se qytetarët shpesh marrin vesh zhvillimet përpara institucioneve përkatëse dhe se duke u përballur me skandale të vazhdueshme, nuk po u bën më përshtypje, pasi “e artikulojnë gjatë gjithë kohës që krimi është një me shtetin”.
Ai foli edhe për qëllimin e protestës, duke deklaruar se edhe nëse ajo do të përfundonte kërkesat e protestuesve kanë dhënë një mesazh të qartë, se “ne nuk kemi për të pranuar më gënjeshtra, kocka të hedhura nga pushteti, lëmoshë”.
“Ne ndoshta mund të jemi vendi i vetëm në botë, në të cilin populli i thjeshtë e di lajmin para se ta marrin vesh institucionet përkatëse. Nuk besoj se ishte dikush i skandalizuar për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH, pasi të gjithë në Shqipëri, dhe këtë e them me bindje të plotë, e artikulojnë gjatë gjithë kohës që krimi është një me shtetin.
Ne tashmë nuk na bën më përshtypje asgjë dhe prandaj është diçka që jo vetëm godet, por në çfarëdo lloj vendi tjetër kjo do të përbënte qëllim për një dorëheqje unanime të të gjithë klasës politike. Nuk besoj se do të ishte një shtet demokratik, por një shtet që pretendon të futet në BE, ku drejtoresha e SHISH kapet duke qarkulluar informacionet te një i arratisur që kishte 8 muaj në kërkim nga policia. Kjo është diçka që vetëm në Shqipëri ndodh. Është për të ardhur keq. Por, siç thashë, janë skandal pas skandali.
Edhe sikur nesër të mbyllet protesta, ajo ia ka arritur qëllimit, sepse ka treguar se ne nuk kemi për të pranuar më gënjeshtra, kocka të hedhura nga pushteti, lëmoshë. Ne kemi dalë këtu për të kërkuar të drejtat tona. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër, vetëm të drejtat tona. Të drejtat kushtetuese, ligjore, morale, në çfarëdo aspekti që këto mund të shikohen, janë të drejta legjitime për kërkesa legjitime”, tha Adresian Binjakaj.
Ndërsa protestuesi Orion Çela theksoi se nuk ka negociata me kryeministrin Edi Rama dhe se protesta do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për dorëheqjen e tij.
Ai shtoi më teje se protesta ka luajtur ndër të tjera edhe rolin që duhet të kishte opozita në këto 13 vite të qeverisë Rama.
“Ne negociata nuk kemi me kryeministrin Edi Rama, nuk ndalojmë pa e marrë këtë që këto 123 ditë që e kërkojmë. Në rast se Edi Rama dorëhiqet, prapë fryma e protestës do të jemi aty, sepse kemi parë në këto 123 ditë rolin e opozitës që ka bërë protesta, nuk e ka bërë në këto 13 vite opozita.
Një gjë e mirë është marrë dhe, nëse Edi Rama dorëhiqet nesër, prapë protesta e ka arritur qëllimin, që ai që ka për të ardhur e ka marrë një mesazh që nuk mund të bëjë të njëjtat gjëra sërish”, tha Çela në News24.