Historia paraqet, shënon dhe shkruan në memorien kombëtare ngjarje dhe zhvillime luftarake, politike, shkencore, civilizuese, kulturore dhe të traditave. Por ngjarjet më të rëndësishme historike janë ato që kanë sjellë rezultatin kryesor madhor, atë të çlirimit, pavarësisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar. Dhe për shqiptarët kjo është epoka 35-vjecare 1878-1912 , Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qëndresa mbinjerëzore, Luftërat për pavarësi kombëtare që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike në Vlorë, (1912).
Ky fakt historik më jetiku për shqiptarët nuk u pëlqen armiqve të Shqiptarëve, Greqisë, Serbisë , as Antantës europiane (Britan-Francë -Rusi) dhe as islamofobëve serbo e grekofilë. Ka disa farë intelektualësh shumë djallëzorë të cilët si pseudopatriotë të asnjëfarë merite kombëtare mundohen ta gjejnë patriotizmin në shekujt e largët të historisë, me qëllim që ta zbehin dhe të mos i japin rëndësinë e duhur kësaj Epoke të jashtëzakonshëm të rëndësisë kombëtare, të këtyre ngjarjeve madhore të kohës moderne, kur kundër shqiptarëve ishin të gjithë, të gjitha shtetet ballkanike dhe ato evropiane, që nuk donin të kishte një shtet por as komb shqiptar, gjë e cila vazhdoi prej tyre edhe pas shpalljes së Pavarësisë Shqipërisë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është argumenti historik më madhor i cili rrëzon gënjeshtrat dhe mitologjinë akademike dhe kishtare genociste serbe se Kosova është Serbi. Prizreni është simboli i rezistencës, qëndresë, unitetit dhe krenarisë kombëtare shqiptare, vendi i shenjtë i shqiptarizmit. Në vitin 1878 me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për herë të parë shqiptarët lëvizën si komb në të gjitha trojet shqiptare; kjo Lidhje e bëri prezent në Evropë ekzistencën e Kombit shqiptar dhe të drejtën e tij për të pasur shtetin e tyre shqiptarët. Kjo është epoka kur shqiptarët në tërësi por kryesisht shqiptarët e Kosovës u ngritën kundër Perandorisë Osmane për Pavarësi, por njëkohësisht shqiptarët po luftonin edhe kundër copëtimit të trojve shqiptare, pra po luftonin edhe për Pavarësinë nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia synimet e disave i mbështeste edhe Evropa, edhe Rusia. Pra shqiptarët për të drejtat e tyre ishin vetëm ,dhe jo vetëm kaq por ishin kundër të gjithëve, pra nuk kishin aleatë. Kjo periudhë kohore ishte Epoka më e lavdishme sepse shqiptarët po luftonin dhe luftuan për Shqipërinë, dhe patriotët shqiptarë i shërbyen kombit të vet dhe jo perandorive të Romës, të Bizantit , as shteteve të Italikut, as Omanllisë dhe as pavarësisë së Egjiptit, Greqisë e Serbisë siç kishin bërë me parë perandorët, gjeneralët, vezirët dhe ushtarakët me origjinë ilire e dardane.