Për herë të parë mblidhen në Tiranë 235 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe më gjerë në një konferencë të FBI-së.
Fokus i diskutimeve mes tyre dhe autoriteteve shqiptare ishte forcimi i bashkëpunimit, strategjive dhe rritja e kapaciteteve për të luftuar aktivitetin e grupeve kriminale. Për Jim Gallagher, presidentin e FBI National Academy Associates, një botë, e cila po rritet shpejt, të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për të rritur luftën ndaj krimit ndërkufitar.
“Është një përfitim shumë i madh për të dyja palët. Ne do të shërbejmë dhe do të mbështesim njëri-tjetrin dhe kjo prezencë e dëshmon këtë, sa më e madhe bëhet bota, aq më i madh bëhet dhe krimi. Duhet të jemi të lidhur së bashku, në mënyrë që të luftojmë krimin ndërkufitar”.
Për Kreun e SPAK Klodian Braho bashkëpunimi ndërkombëtar është çështje prioritare.
“Në Shqipëri kemi bërë përparim në goditjen e krimit të organizuar, kemi fituar njohuri sesi fshehin dhe lëvizin përfitimet grupet kriminale. Për SPAK bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë. Një informacion që gjejmë në Shqipëri mund të ndihmojë një hetim në vendin tuaj. Falenderoj FBI dhe partnerët ndërkombëtar për ekspertizën që ndajnë me ne”.
Kjo konferencë është e 42-ta e Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, ku midis 235 pjesëmarrësve, ka përfaqësues të FBI-së dhe punonjës të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga e gjithë Evropa dhe më gjerë./oranews.al
—
Drejtues dhe ekspertë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa po marrin pjesë në takimin e 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA) që po zhvillohet nga data 19-23 shtator në Tiranë.
Në takim marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare si drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë dhe nga SHBA-ja pritet të marrë pjesë Spencer Horn, zëvendësndihmës drejtori i FBI-së dhe me atasheun i FBI-së, Brenda Collins.
Sipas agjendës së takimit te siguruar nga Euronews Albania, në program janë përfshirë tema që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit: krimi i organizuar, terrorizmi, ekstremizmi online, grupi “764”, dronët, krimi kibernetik, paratë e krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet.
FBI “zbarkon” në Tiranë, gazetari zbulon detaje: Janë sjellë dosje nga Uashingtoni
Për herë të parë, 235 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë u mblodhën në Tiranë në kuadër të një konference të FBI-së.
Gazetari Lavdrim Lita, duke folur në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, bëri me dije se në kuadër të takimeve janë sjellë edhe dosje nga Uashingtoni, të cilat, sipas tij, janë depozituar në Prokurorinë e Posaçme.
Lita tha se bëhet fjalë për materiale që lidhen me aktivitetin e grupeve shqiptare të trafikut të drogës në Amerikën Latine, të cilat sipas tij kanë rol në koordinimin e trafikut të kokainës drejt Evropës.
“FBI është prezentë në Shqipëri prej disa vitesh, për të luftuar narko-trafikun, që sjell në Shqipëri miliarda euro dhe ka tronditur dhe sëmurur ekonominë shqiptare. Sot është një ditë e mbarë. Janë diskutuar disa gjëra. Mendoj që janë sjellë edhe dosje nga Uashingtoni. Dosje që kanë lidhje me narko-trafikantët shqiptarë në Amerikën Latinë, të cilët janë kordinatorët më të mëdhenj të trafikut. Dosjet janë depozituar në SPAK, sepse kjo ka qenë një kërkesë e Dumanit dhe Brahos, kur kanë zhvilluar takime në Amerikën Latine, sidomos në Buonos Aires, Bogota, dhe vende të tjera, ku janë këto krerët e grupeve shqiptare, që transferojnë në Europë, qindra tonelata çdo vit, të kokainës, dhe kjo helmon gjysmën e Europës më drogë dhe është problematikë shumë e madhe”, tha gazetari Lita./pamfleti