N’oborrin e Teatrit Kombëtar,
Kadri Roshi,mbështetur te bërrylat
Monumentalisht ulur qendronte,
Teksa pinte ngapak raki,
Duke ngjyer herë – herë gishtin tregues
Me piper speci djegës
Që t’i ndesheshin në fyt
Dy xixëllima !
Në moshë të shtyrë tashmë
I ndërmendet e s’i shuhet përfytyrimi
I Ali Pashë Tepelenës,
Sundimtarit,
Ashtu me atë mjekrën e kreshpëruar
Dhe taxhin bektashian në kokë ;
Në trup fustanella dhe jeleku fijear.
Pisqollat tinëzare në brez…
Eh, Kadri Roshi
Ikona rrezatuese e aktrimit
Dëshironte të luante
Ali Pashanë
Madhështorin e pafriguar ;
Mjeshtërisht ta luante,
Aqsa publiku,përnjëmend,
Të besonte se, ishte ngjallur
Mrekullisht
Pashai
I vëerteti !
Ah, piperi djegës i kuq zjarr,
Djegësja raki, ah !
Si ta përshkënditnin fytin,
Tek ndesheshin,
Mendjen,tek trazoheshin ,
Si ta përndiznin !
Kadri Roshi, sovran dhe ai,
Në skenë ,
Kish nevojë për Ali Pashanë,
Që të shmangte boshësinë e pleqërisë,
Squlljen që s‘e honepste ta shmangte
Dhe…
Zbritjen nga skena !
Do t’ia rrëmbente të paepurit
Bubullimat e zërit,
Dritën zhbiruese të syrit,
Urdhrat e thiktë,
Energjinë vullkanike …
Oh patjetër
Do të alipashëzohej !
2001