-Pa ardhur një njeri tjetër këtu, ti nuk mund të ikësh prej këndej sonte.
-Nuk mund të iki ? Pse po më mbani peng.? Po ju le protezat e mia peng. Nuk do mbaçitem gjer nesër. Nuk iki askund. Nuk ju fshihem. Më thërrisni nesër.
-Nuk mund të ikësh.
-Po ju le unazën time të martesës, Është gjashtëdhjetë vjeçare ajo. S’e kam hequr asnjëherë nga gishti. Më lini të iki të fle rehat në shtëpinë time. Nuk ju fshihem. Nuk iki askund – përsëriti fjalët e tij i moshuari me zë pak më të lartë.
-Nuk mund të ikësh!
-Po ju le peng bastunin. Ky bastun i gdhendur vlen për muze.
Polici kruajti kokën, i hodhi sytë tinëz të moshuarit.
-Nuk mund të ikësh pa ardhur dikush tjetër këtu. Kafazi s’duhet të rrijë bosh.
-Po e ngrata ime të rrijë qyq ?
Rron ajo ? – e pyeti i çuditur polici.
-E drobitura ime jo, por rron hija e saj. Unë hijen e saj e ushqej për mbrëmje e përnatë. I lag buzët nga etja. E mbuloj në të ftohtë. Në të ngrohtë i bëj fresk. I dredh një cigare afër agut se në ag ajo hije bëhet fytyra e së ngratës sime.
Ky paska rrjedhur – belbëzoi polici. – O njeri i moçëm, s’po të lë tek koshi sonte. Më dhimbsesh. Do të rrish këtu tek kthina ime me mua gjer nesër, pasnesër.
-Po të drobiturën ta lë vetëm.? Ajo do të qajë e ngashërej, do të më kërkoj.
-Eh, o i moçëm, e vdekura nuk kërkon njeri.
-Do më kërkoj hija e saj. Hija e saj është pëshpërimë e përshpirtje. T’i lutemi e t’i falemi.
Kujt ? Hijes ?- u çudit polici.- Ç’t’u desh të hysh në turmë, o njeri? Nuk e sheh e dëgjon ç’bubullon gjithandej?
-Nuk jam i turmës unë. Nuk protestoj. Më shtyu vala. Dikush më mbërtheu nga krahët, më tërhoqi mënjanë të tjerëve. Pastaj më solli këtu.
-Ç’të të them unë? S’mund të bëj asgjë për ty sonte.
Mundesh, mundesh – këmbënguli i moshuari.
-Si mundem? Ti do të ikësh prej këndej. Por po t’ikësh ti atëhere jam unë në kosh.
-Hap dritaren. Kaq mundesh.
Polici iu bind fjalëve të të moshuarit. E hapi dritaren. Shpejt e mbylli me një pendesë të vetëtimtë.
Mos ke ndërmend të fluturosh q’andej-e pyeti polici njeriun afër vetes. Kur ç’të shoh?
Proteza plot jargë rrëzuar përdhe. Unaza kërcente plot tinguj. Bastuni me kokën e shembur por pa asnjë ofshamë. I moshuari këmbënguli përsëri :
-Hape dritaren! Mos e mbyll. Nuk hyn e nuk del kush q’andej.
Polici, i rrudhosur e i vranët, e hapi me nge dritaren. Papritur një frushullimë e fortë e shtyu pas. Ai u mbajt s’i u mbajt tek rrjeta e çelniktë e koshit. Koshi bosh. Ndoshta aty jetonte frika. Frika e kujt? E policit, nëse i moshuari nuk përmendej nesër nga lodhja dhe pabesia e fajit të paqenë? Frika e të moshuarit se kur të dilte prej këndej jashta nuk do ta gjente gjallë të ngratën plakë-hije në shtratin e vet?
Një hije e ngratë hyri nga dritarja. Hije e njohur veç për të moshuarin. Hija-plakë atje në shtëpi përmendi të ngratën-hije ta linte gjumin, gjumi ta linte shtratin.
Hija mbathi kepucët me gjethe të vyshkura dhe hyri tek ngrehina policore nga dritarja e hapur.
Hape derën, hape, o kapter ! – bërtisnin disa zëra të tjerë kapterësh nga korridori duke qëlluar me grushte, me grushte e me shkelma pafund derën.
-Kemi sjell gjahun…
-Shpëtove, o i ngratë, – i tha polici të moshuarit. Vetëm të moshuarit se hijen e së ngratës së tij ai as nuk e shihte, kund, as përdhe, as rrethrrotull, as në tavan, as tek krevati policor me një këmbë uloke.
-Nuk dal. Ku të shkoj? Do të rri këtu gjersa të agoj.
-Ç’thua, o njeri ?- e pyeti gjithë habi polici – Tani je i lirë. Ndoshta ti nuk duhet të rraseshe këtu. Këtu të solli turma.
– Jo turma por njeri prej jush. Njeri prej jush. Me uniformë, pa uniformë. Ju të gjithë jeni njësoj. Nuk jeni të gjithë njësoj.
Tetëdhjetë e dy vjeçari Fundim Kucka po çartej e çatrafilosej i gjithi a po fliste më kthjellët se çdo herë tjetër?
– Ti më xhveshe lakuriq. Jo ti., dikush si ty. Më poshtëroi duke më rrasur këtu.
Fundim Kucka po zbraste mllefin e tij. Kush e dëgjonte ?
Shpëtove, o i ngratë – përsëriti njeriu me uniformë.
-Tani mund të shkosh. Je i lirë.
Ku të shkoj ? S’e mbaj mend udhën nga erdha. As shtëpinë time përdhesë s’e mbaj mend. Unë jetoj diku. Diku hyj e dal. Diku kthehem. Ushqehem. Pshurr. Lahem. Laj si laj pislleqet e mia.
– O i ngratë, shpë-to-ve…- ia theksoi rrokjet polici njeriut që zbrazi mllefin e tij. – Sa ta hap derën dil shpejt përjashta. Ca turmacakë të tjerë do të mbyllen këtu. Ata janë keqbërës, ndoshta hajdutë, kërcënues, vrasës.
-Mos llomotit kështu, o polic. Mos. A nuk po i dëgjon të qarat e fëmijve, të qara grash. Eh, tek-tuk mund të ketë edhe burra. Burra të vërtetë. Jo si mua kërcu. Ti nuk di asgjë. Nuk e di ç’janë ata. Nuk e di pse i sollén këtu. Protestoj!- bërtiti Fundim Kucka. Po kush e dëgjonte veç vetes dhe të ngratës së vet.?
Ku është, ku është ajo ?- pyeti i moshuari. – Pyeti veten. Njeriu me uniformë nuk e pa hijen e ngratë kur hyri nga dritarja. Po as plaku nuk e pa nga doli.
-Ku të shkoj tani unë ? Njeri pa njeri. Hije njeriu. As hije. Nga ia mbathi ajo e ngrata ime? S’i drodha as cigaren e mëngjesit.Po unë nga t’ia mbath? Ku e kam shtëpinë? Në një plevicë bari apo haur bagëtish?
O kapter, o matuf, hape derën se do e shqyejmë-bërtitën sërish nga korridori.
-Kemi sjell gjahun….
Sonte kafazi do jetë plot- tha polici. Ç’fat.! Nesër do të marrim rrogat. Ndoshta edhe shpërblime.