Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, në një intervistë në “Interaktiv” në KTV ka thënë se armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi, porse ka armiqë të tjerë nëpër botë që duan ta kufizojnë dhe “ta rikthejnë atë në pozicionin si pjesë e Jugosllavisë së vjetër”.
“Një nga problemet për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, është fakti se kjo konkurrencë e fuqive të mëdha që duket se karakterizon botën në të cilën jetojmë tani, po e përdor Ballkanin Perëndimor si një shesh lojërash aventureske, duke ndërhyrë dhe duke marrë pjesë në politikën e rajonit…Armiku i Kosovës nuk është vetëm në Serbi. Ajo ka edhe armiq të tjerë në botë që duan ta kufizojnë atë dhe ta rikthejnë atë në pozicionin e saj historik si pjesë e Jugosllavisë së vjetër. Dhe njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë këtë”, tha Robertson.
Robertson tha se populli i Kosovës duhet të qëndrojë i bashkuar dhe shtoi se të gjitha partitë politike në Mbretëri të Bashkuar janë të shqetësuara për paralizën politike që po ndodh në Kosovë./Koha.net