Gjeneral
Në rrugë u ula. Në lis u mbështeta. Librat i mora dëshmitarë të fjalës që sot e the para mediave:
— Hashim Thaçit i asht marrë mandati, ndaj Kurti ban nder me ja kthy mandatin?
Kush ia mori Gjeneral?
E vazhdove me superlativa për Hashimin.
U shtanga.
I hallakata librat. E hoqa plisin e bardhë prej kresë, për me e krue tepën. Pastaj e vuna prapë aty ku rrin ma së miri dhe u ktheva në Strasburg, kur erdha për të dytën herë me t’pa e Remzi Ejupi na çoi me hangër mish.
Aty të pyeta:
— Pse Pal Leka rrin në Swiss Diamond me Presidentin?
Ti m’u përgjigje rreptë:
— Mos fol për Hashimin, se ta hjek kryet! Ju nuk e dini kush asht ai. Më leni mua t’ia nxjerri n’shesh të zezat, se mua s’guxon gja me m’ba!
Më thuej sot, Gjeneral: kur po flet n’superlativë për të dhe po e propozon për President, cili je ti e cili asht ai?
Cili ishte i keqi prej jush atëherë, e cili qenka i miri tash?
Nasimi po don me kallë Kosovën nëse ata dënohen. Edhe do deputet nga partia e tij. Por çështja asht: cilën Kosovë?
Atë Kosovën e partive që votuet që ata të burgoseshin? Apo Kosovën e atyne që nuk votuen, sepse nuk deshtën që krerët e UÇK-së të gjykoheshin për fajet që s’i kan?
M’u kujtuen Rojet e Mjegullës të Rexhep Qosës dhe e pyeta veten:
Kujt i duhet mjegulla në këto ditë me diell?
Po ne që nuk deshtëm me votue as Gjykatën, as Demarkacionin, as Zajednicën, pse u dashka me na i kallë kasollat e zhelet neve, e pallatet tueja milionshe?
Jo
Dilni n’Rashkë e futjani flakën, se aty vinte Vuçiqi e takohej me Radojçiqin për me marrë informata prej kabinetit tand.
Për fund:
Ju kurrë s’keni me u gëzue kur të lirohen Kadriu, Jakupi, Rexha e Hashimi.
Po kemi me u gëzue na.
E familjet e tyne.
Sepse vetëm ne nuk ua dëshiruem burgun.
Ju e keni prej frikës së fjalëve të këqija që keni thanë për pesë vjet. Prandaj po e rrahni tupanin e po luteni ma shumë për veten sesa për ata.
Kur e mbarova shkrimin, e pyeta lisin:
— Pse rrin drejt?
Lisi m’u përgjigj:
— Se i kam rrânjët thellë n’dhe.
Rrini drejt edhe ju.
E mos i koritni rrânjët nëse hala janë të shëndosha.
Prizren, 22.08.2026