Poezia “Mustafa Pasha në Babunë” është një nga krijimet më të fuqishme të Ndre Mjedës, që ndërthur fuqishëm ndjeshmërinë patriotike me një vizion të qartë ideologjik të Rilindjes Kombëtare për fatin dhe figurën e prijësve shqiptarë nën Perandorinë Osmane. Titulli dhe tematika përqendrohen në betejën vendimtare të Mustafa Reshit Pashë Bushatlliut, një prej figurave më të rëndësishme të Pashallëkut të Shkodrës, i cili u thye në luftimet e Babunës nga trupat osmane të kryevezirit Reshid Pasha më 1831. Mustafa Pashë Bushatlliu ishte anëtar i njërës prej familjeve më të fuqishme shqiptare të kohës, që nga fundi i shekullit XVIII dhe në pjesën e parë të shekullit XIX kishte sunduar de facto një pashallëk autonom në Shkodër.
Familja Bushatlli ishte përfshirë në një politikë të vazhdueshme të forcimit të autonomisë lokale kundrejt Portës së Lartë osmane, duke luajtur një rol ambivalent midis patriotizmit lokal dhe interesave të pushtetit personal. Mustafa Pasha, nipi i Ibrahim Pashë Bushatlliut dhe pasuesi i tij, trashëgoi jo vetëm një strukturë të konsoliduar feudale, por edhe një konflikt të hapur me Perandorinë Osmane, e cila, nën presionin e reformave centralizuese pas rënies së Ali Pashë Tepelenës kërkonte të rivendoste kontrollin mbi provincat.
Mustafa Pasha, të cilit iu dha grada e vezirit brenda dy vjetëve (maj 1812) punoi që të mbante nën rregull dhe administrim të plotë zotërimet osmane në Ballkan , aq sa u caktua që të shtypte kryengritjen e Ali Pashait të Janinës ndaj qeverisë qendrore. Së bashku me valiun e atëhershëm të Rumelisë , arritën të shtypnin rebelimin e Ali Pashë Tepelenës më 1822. Ai kontribuoi në shtypjen e rebelimeve në zotërimet osmane në Ballkan duke eliminuar sulmet malazeze ndaj viseve shqiptare. Sidoqoftë ai kundërshtoi rekrutimin e rregullt ushtarak që u përpoq të zbatohej në Rumeli, duke u bërë kësodore kundërshtar me kryevezirin Mehmed Reshid Pashën. Mustafa Pashë Bushatlliu u thirr nën armë për luftën Osmano-Ruse të 1828-29, duke iu dhënë komanda e krahut të Edrenesë, iu dha tagër të mobilizonte krejt Rumelinë. Ai luftoi kundër rusëve ku këta kishin okupuar Vidinin dhe Rahovën, shërbime për të cilat u lavdërua nga Sulltan Mahmudi II.
Gjithsesi ai pati pakënaqësi pasi pa që Sulltan Mahmud II dëshironte të eliminonte pushtetin autonom të pashallëqëve. Për këtë arsye u radhit me krerët e pakënaqur boshnjakë, valiun e Egjiptit Mehmet Ali Pashën , princin serb Millosh Obrenoviqin dhe princin malazez Petar Njegoshin II për të kundërshtuar centralizimin e pushtetit persndorak osman në Ballkan. Kur ia hoqën sanxhaqet e Ohrit, Elbasanit dhe Dukagjinit/Pejës nga administrimi i tij, ai reagoi duke shtirë në dorë qytetet e Nishit, Sofies dhe Shkupit, veprim për të cilin u shpall rebel. Në vitin 1831, Mustafa Pasha udhëhoqi ushtrinë e tij kundër forcave të Sulltan Mahmutit II. Beteja përfundimtare u zhvillua në malin Babunë, një vendmal i lartë në afërsi të Perlepit në Maqedoninë e Veriut të sotme.
Babuna, me luginat e thella dhe peizazhin e ashpër, u kthye në një teatër të një disfate të madhe që shënoi fundin e autonomisë së Pashallëkut të Shkodrës. Mustafa Pasha u ngujua në kalanë e Shkodrës, ku pasi u rrethua kërkoi që të dorëzohej dhe e shpunë në Stamboll. Iu dha një banesë në lagjen Sulejmanije, ku në sajë të personalitetit të tij fetar, interesit për letërsinë, poezisë së tij dhe kuvendimeve, rrethi i miqëve të tij në kryeqytet erdhi duke u shtuar. Kësisoj ai u kthye edhe njëherë nëpër detyra qeveritare,në Bolu, Kastamony, Adana, Marash dhe Konja nëpër Anadoll. Më pas u kthye sërish në Rumeli, me detyrë në Hercegovinë me qendër vilajeti në Mostar më 1853. Si detyrë të fundit u emërua shejh-ul harem në Medine, titull nderimi që u jepej dijetarëve islamë nëpër dy qytetet e shenjta.. Ndërroi jetë në Medinë ku dhe u varros në varrezat Bekije të saj.
Ndre Mjeda, si përfaqësues i elitës intelektuale të Rilindjes Kombëtare, ofron përmes kësaj poezie një akt gjykimi moral dhe historik ndaj pashallarëve shqiptarë, të cilët, sipas tij, pavarësisht prejardhjes shqiptare, nuk e shfrytëzuan pushtetin për të çliruar vendin, por për t’u bërë pjesë e sistemit shtypës osman. Në këtë mënyrë, Mustafa Pasha përfaqëson një trajektore tragjike: një figurë shqiptare me autoritet, që nuk u vu në shërbim të kombit.
Në strofat e para, Mjeda përshkruan një peizazh të shkatërruar, të zbrazët dhe të përvuajtur:
E djerr â toka: krrut ndër livadhe / Shkon kau… / E n’mal pa nieri berret firojnë…
Këto vargje janë pasqyrim i gjendjes së Shqipërisë, ku jetesa është rrënuar, burrat mungojnë, prodhimi është ndalur dhe jeta është pezulluar. Kjo zbrazëti nuk është thjesht natyrore, por pasojë politike – rezultat i një pushteti të korruptuar dhe të shërbyer vetes. Në kontrast me pasivitetin e pashait, vjen fuqishëm imazhi i luftëtarëve shqiptarë:
Mbas teje, Shqype, burrat fluturuene / Ndër male t’reja… / T’gjith për atdhe.
Mjeda krijon një ndarje të qartë midis trimit shqiptar të lirisë, që shkon në male për t’u flijuar për Atdheun, dhe figurës së pashait të korruptuar, që rri “mbi thasë florinjsh” duke dëgjuar muzikë orientale në oborret e pushtetit.Figura e Mustafa Pashës portretizohet me sarkazëm dhe përçmim:
E pasha, ndejun mbi thasë t’florive / Ndër valle jevgkash, n’lodër dudumash…
Këtu Mjeda denoncon hedonizmin dhe dekadencën e një klase sunduese që ka humbur kontaktin me popullin dhe që është bërë objekt talljeje, jo vetëm nga armiqtë, por edhe nga forcat e mbinatyrshme (shtojzovallet, që “kcejnë me ty”). Strofat kulmore janë ato ku vjen gjykimi historik dhe moral:
Ora e shqyptarit t’lëshoi, e fatosat / Gjikim po lypin…
Drejtësia vjen me vonesë, por vjen. Në një skenë pothuaj mitike, paraqitet shpirti i Mehmet Beut, gjyshit të tij , themeluesit të Pashallëkut të Shkodrës, që vjen nga varri për të kërkuar llogari dhe për të vendosur një vlerësim moral për fatin e atdheut dhe për fajtorët e tij.Në vargun përmbyllës, Mustafa Pasha përballet me një dënim të dyfishtë: atë moral dhe fizik:
Zgaq i përbuzshëm, Shqypnija t’volli: / Ty shpina e detit, ty, vend robnijet, / T’pret Anadolli.
Shqipëria – në kuptimin e vetëdijes kombëtare – e refuzon pashain, e largon si trup të huaj. Anadolli nuk është thjesht vendi ku ai internohet, por simbol i rrënjës së huaj, të cilës ai i përket më shumë se Shqipërisë.
Ndre Mjeda nuk e sheh figurën e Mustafa Pashës me sytë e historisë zyrtare, por me sytë e popullit dhe të ndërgjegjes kombëtare. Ai përqafon idealet e Rilindjes Kombëtare, ku vlerësohen: Vetëflijimi për Atdheun, largimi nga ndikimi osman, rivendosja e drejtësisë historike dhe ngritja e figurës së luftëtarit dhe delegjitimimi i bashkëpunëtorëve me Perandorinë. Kjo poezi kthehet në një akt akuzë, vajtim kombëtar dhe një thirrje për llogaridhënie për gjithë ata që, si Mustafa Pasha, kishin fuqinë por nuk patën vizionin për të ndërtuar një Shqipëri të lirë.
Historikisht, Mustafa Reshit Pasha Bushatlliu ishte një figurë e fuqishme: reformator, ushtarak, ndonjëherë edhe në konflikt me Stambollin. Ai kontribuoi në infrastrukturën dhe arsimin e Shkodrës, por po ashtu u pa si pengesë për konsolidimin e një vetëdijeje kombëtare shqiptare, sepse ruajti lojalitetin ndaj strukturës osmane dhe i kundërshtoi përpjekjet për organizim të brendshëm autonom. Ndre Mjeda përfaqëson atë brez rilindas që e shkëput gjykimin historik nga meritat individuale të një administratori osman dhe e zhvendos te përgjegjësia kombëtare. Në këtë këndvështrim, Mustafa Pasha, pavarësisht se shqiptar, shihet si përfaqësues i huaj në trojet shqiptare, si një mohues i misionit kombëtar.
Poezia “Mustafa Pasha në Babunë ” nuk është vetëm një poezi për një betejë të humbur; ajo është një epitaf moral për një epokë të gabuar, një akt ritual i ndarjes së Shqipërisë së re nga Shqipëria e nënshtruar. Për Ndre Mjedën dhe për elitën rilindase, Pashallëku i Shkodrës nuk ishte një gur themeli i shtetësisë shqiptare, por një shans i humbur, një formë e tjetër e nënshtrimit.
Përmes këtij teksti, Ndre Mjeda vendos në qendër parimin e përgjegjësisë kombëtare, duke e shndërruar poezinë në një gjykim poetik dhe historik të elitës së vjetër feudale shqiptare dhe në një manifest për lindjen e një elite të re, të vetëdijshme për identitetin dhe të ardhmen kombëtare.
Mustafa Pasha në Babunë
===========================
E pranë vallet ndër male unji
E ushtima e pushkve ndër lugje mejti;
Ndër festa e t’kremte n’fushë e n’malci
Burrnimi u dejti.
.
E djerr â toka: krrut ndër livadhe
Shkon kau, e avllin qi del prej arve
Erton e nepet për stinë të madhe,
Për rreth t’kularve.
.
Por mb’zgjedhë mbërthye kulartë pushojnë
Vjerrun nën trena, e rri n’gardh parmenda;
E n’mal pa nieri berret firojnë,
O dridhen mbrenda
.
Vathit, ku unshem sillet ulkoja,
E rrmon me kthetra dyert që barija
Dikur pertrini, sot hull e zoja
Pa burrë te shpija.
.
Mbas teje, Shqype, burrat fluturuene
Ndër male t’reja, n’nji lugje t’re;
Gadhnjim o deken tuj lyp’ u lshuene
T’gjith për atdhe.
.
E luftojnë rrebtas: nën breshni plumbit
Qi karajfilet lëshojn’ e bershanat,
Turren, o Shqype, si rrjedha e lumit
Trimat si zanat.
.
E pasha, ndejun mbi thasë t’florive
Ndër valle jevgash, n’lodër dudumash,
Tallet i knaqun prej zanit t’fqive,
Si qen mbas trumash.
.
O pjellë e keqe! O dhunë!, o kore!
Qe, shtojzovallet, pa e dijt’, po kcejnë
Me ty e zgërdhihen, e j’kangë mortore
Nën za shpërthejnë.
.
Ora e shqyptarit t’lëshoi, e fatosat
Qi n’luftë, pa shkrepun, shkrine në marri,
Gjikim po lypin, e thekshem kosat,
Shpirtna me mni,
.
Sjellin n’shpi tande. Qe Mehmet Begu,
Eshtna t’shpluemun, mbi vorr tu’ u çue,
Idhun prej s’largut t’thotë: “Ktu â shtegu
Me folë me mue.
.
Ktu t’prita ç’moti: ktu do tpaqohet
Vaji i nji femnës, qi n’mjerim lëshova
Pa faj; shqyptari ktu do t’kujtohet
Se hupës nuk shkova.”
.
E prej gjith fushash bajnë valle t’mnershme
Arët e livadhet qi j ditë grabite:
Sot, vonë, ma t’rrebshëm për faje t’hershme
Gjikimin prite.
.
Del, mizuer, këndenaj, del; prej mërzijet
Zgaq i përbuzshëm, Shqypnija t’volli:
Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,
T’pret Anadolli
.
1-Mustafa Pashë Bushatlliu
2-Malet Babunë në Maqedoninë e Veriut
3-Ndre Mjeda.