Një ministre që del publikisht me gjuhë kërcënuese ndaj një populli të tërë nuk përfaqëson
diplomaci, por një mendësi të rrezikshme shoviniste dhe neofashiste. Fjalët e saj janë të
papranueshme dhe të padenja për një zyrtare të një shteti që pretendon të jetë pjesë e Evropës
demokratike.
Snežana Paunović duhet të mbajë përgjegjësi publike dhe politike për deklaratat e saj.
Një ministre nuk ka të drejtë të ringjallë retorikën e dëbimeve, të masakrave dhe të urrejtjes
etnike, sidomos kundër një populli që ka përjetuar vrasje, dhunime, dëbime masive, plaçkitje
dhe shkatërrime.
Për dekada të tëra, qarqet shoviniste serbe kanë fabrikuar dhe shfrytëzuar ngjarje të dyshimta
për ta paraqitur popullin shqiptar si fajtor të përhershëm. Shembulli më famëkeq mbetet rasti i
Đorđe Martinovićit, i cili u përdor për të ndezur urrejtjen kundër shqiptarëve dhe për të
ushqyer mitin e rrezikimit të serbëve në Kosovë.
Edhe pse ekspertizat e asaj kohe dhanë përfundime kundërthënëse për mënyrën se si ndodhi
lëndimi, versioni që fajësonte shqiptarët u ngrit menjëherë në nivel të një fushate të gjerë
politike e mediatike.
Një ngjarje individuale dhe e pasqaruar plotësisht u shndërrua në armë propagandistike
kundër një populli të tërë.
Por koha e trillimeve të tilla duhet të ketë përfunduar. Në Evropën e digjitalizuar, ku
deklaratat, dokumentet, pamjet dhe dëshmitë ruhen e krahasohen, shpresa se propaganda e
vjetër mund të paraqitet pafundësisht si e vërtetë është vetëm utopi. Mashtrimet mund të
përsëriten, por nuk mund ta fshijnë realitetin historik.
Fatkeqësisht, ky realitet është shumë më i rëndë se çdo propagandë. Unë vetë kam pasur në
duar fotografi tronditëse të grave shqiptare të dhunuara dhe të gjymtuara mizorisht. Ato pamje
nuk ishin trillime, as legjenda politike, por dëshmi të dhunës së ushtruar mbi trupin dhe
dinjitetin e njeriut.
Pikërisht për këtë arsye, gjuha kërcënuese e një ministreje nuk mund të trajtohet si një
pakujdesi e zakonshme. Ajo plagos përsëri viktimat, rikthen frikën dhe përpiqet ta
normalizojë mendësinë që në të kaluarën prodhoi dëbime, dhunime dhe varre të panjohura.
Evropa nuk duhet të heshtë përballë një gjuhe të tillë. Heshtja ndaj urrejtjes së artikuluar nga
një përfaqësuese shtetërore nuk është neutralitet; është lejim që e kaluara e përgjakshme të
kërcënojë përsëri të ardhmen.