(Shtytja e fundit për Ramën prej Komisioneres së Zgjerimit, Kos)
Edhe pse zhvillohet e drejtpërdrejtë një konferencë shtypi në Bruksel, titujt paraprijës nuk kombinojnë me ata përfundimtarët kur bëhet fjalë për Shqipërinë. Nuk kombinojnë sepse protokolli dhe rregullat ose shkurt ‘burokracia e dobishme’ që e nxjerr produktin finalizohet në një dokument, përcillet ndryshe si informacion. Pra Brukseli dhe qeveritë e interesuara që në datën 10 Korrik e dinin se do mbërrinin në këtë pikë. Kjo është thënë më thjeshtë është angazhim, punë dhe shërbim i qeverisë ndaj qytetarëve për çka ata janë zgjedhur për të drejtuar. Kësisoj ajo që arriti Shqipëria ishte një hap përpara. Mbyllja provizore e negociatave të anëtarësimit me tre kapitujt; kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”. Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE e 14 Korrikut 2026 ka ndërmjet të sotmes dhe hapjes zyrtare të negociatave me Shqipërinë plot 4 vite 19 Korrik, 2022 atëherë kur në Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u parashtrua metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.
Në konceptin ‘kohë’, fillimi i këtij procesi ishte edhe një parapërgatitje që lidhet me kohëzgjatjen. Tani pas katër vitesh kemi mbylljen provizore të tre kapitujve ç’ka na tregon se deri në mbylljen e plotë janë edhe 30 të tillë të përmbledhur në gjashtë grup-kapituj.
Interesante është të kuptohet se si politika shqiptare e administron kohën në këtë proces. Sepse katër vite janë një kalendar ku minimalisht futen tre raunde zgjedhorë, të përgjithshme apo vendore kjo pak rëndësi ka, por shanset pas çdo raundi zgjedhor konfigurimi pluralist dhe shkalla e përfaqësimit detyrimisht reflekton rezultate dhe pëlqyeshmëri për t’i besuar drejtimin një force politike, një aleance forcash politike dhe gjithshka tjetër që i jep kuptim zhvillimit ekonomik, sigurisë dhe integritetit kombëtar dhe sidomos përmirësimet në të gjitha fushat e jetës për mirëqenien e popullit shqiptar. E parë në këtë proces mbyllja e kapitujve është një përgjegjësi e ndërqeveritare e orientuar si Shqipëri- BE dhe jo një monopol i vetëm i një qeverie.
Këta tre të parët nuk mund të thuhet thjeshtë se janë më të lehtë apo më pak të rëndësishëm, por janë një fillim i mirë edhe për të mësuar procesin. Është kontribut i një qeverie që ka rradhën në drejtimin e vendit, por jo me do e mos vetëm i një force të vetme kur bëhet fjalë se ka një Kuvend ku do të duhej të dëgjohej mendimi ndryshe, pra jeta pluraliste. Transparenca dhe bashkëpunimi sikurse ka edhe ngjarje jo të vogla që tregojnë se kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk japin drejtësi dhe rezultate atëherë natyrshëm do të gjejë shpërthim vullneti i popullit. Dukshëm në ngjarjet e deritanishme një protestë qytetare paqësore i ka bërë të pandjeshme gëzimet që mund të vijnë nga lajme të tilla. Mbyllja e tre kapitujve që vijnë në ditën e 45 të pandërprë të protestës mban të mbërthyer të 33 kapitujt së bashku dhe ka forcën dhe presionin e duhur për të shtruar kërkesat madhore dhe kërkuar zgjidhjen e tyre. Shifra se 93 % e shqiptarëve e duan BE tregon më së miri se përse ky organizim mbarëkombëtar duke përfshirë edhe diasporën, përkrah zhvillimin dhe kërkon ndryshime.
Kush e ka ndjekur protestën me siguri ka dëgjuar se arsimi, kultura, shkenca dhe kërkimi shkencor të përfshira në dy kapituj kanë problematikat e tyre që lidhen me mplakjen dhe lëvizjen e popullsisë brenda vendit dhe në emigracion.
Vetëm një statistikë e INSTAT-it duke ju referuar vitit 2024-2025 se në arsimin para universitar ka një rënie të numrit të studentëve me 3% ose 10.000 nxënës më pak në bankat e shkollës sado që ta thuash bombastike, propagandistike, kritikuese, “armiqësore” frazën kjo e dhënë është mjaft goditëse. Sikur 1 nxënës të kësaj moshe ta shoqërosh me dy prindër, gjysh e gjyshe pra një familje me lidhje tradicionale kjo tregon se vendi përjeton një dallgë demografike që lëviz brenda apo jashtë vendit. Ke pasojat e përshtatjes me kushtet e reja sikurse ndesh dhe prishjen e bërthamës së familjes shqiptare në kërkim të punës, të ardhurave për plotësimin e nevojave ekonomike apo edhe largimin nga vendi.
Pra le ta mendojmë se njerëzit e zakonshëm i dëgjuan deklaratat nga konferenca për shtyp në Bruksel. Po veçojmë Komisioneren për Zgjerimin në BE, Marta Kos:-“Sot është një ‘super e martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër Konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që kryesojnë procesin, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi, po hedhin të gjitha hapa të mëdhenj përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.”
Kjo është një ndjenjë gëzimi dhe përgjegjësi e detyrave të saj që i sheh se marrin rrugë me vendet përkatëse. Dikush më para dikush në start, por e rëndësishme është metodologjia e zgjerimit. Në drejtim të Shqipërisë duke ju drejtuar edhe me emër kryeministrit Rama, kur në konferencë ishte gjithashtu i pranishëm Thomas Byrne, ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Komisionerja Marta Kos u shpreh se:- “ Tre përfunduan, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha kur Shqipëria është tashmë pjesë e familjes evropiane.”
Me taktin diplomatik ky leximin politik i bërë duke e marrë në konsideratë periudhën prej një muaji e gjysmë që në Tiranë zhvillohet protesta paqësore qytetare është edhe një sinjal paralajmërues për kryeministrin Rama i cili është shprehur më shumë se një herë mes anëtarëve të Rilindjes Socialiste se rasti kur Shqipëria të ulet zyrtarisht si anëtare në tryezën e Bashkimit Evropian do të jetë koha e duhur për t’u larguar nga drejtimi i Partisë Socialiste dhe i qeverisë.
Pra kur Marta Kos thekson se:-“Këto janë fusha kur Shqipëria është tashmë pjesë e familjes evropiane.”
Gjithë kuptimi i përmban këshillën e një hapi të duhur të nevojshëm ndoshta për t’u larguar si edhe respektin e gjithë këtyre viteve të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë. 30 kapitujt e tjerë lënë të kuptohet se ata duan kohën e tyre, duan një administratë të përgjegjshme, kanë nevojë për gjithpërfshirje dhe nuk mund të mbeten as vetëm me fuqinë e kartonit në Kuvend, as të ndërvaruara në premtimet e kaluara elektorale dhe as duke e trembur procesin e zhvillimit me faktorin e opozitës si gogol ose e paaftë për realizimin e gjërave që lënë të kuptohet se është vetëm një parti politike që vepron. Është vetëm një njeri në krye të asaj partie që po ashtu mendon. Kuvendi i Shqipërisë sidomos gjatë kësaj periudhe dallon për cilësinë dhe etikën më të dobët të performancës së saj e krahasuar me problematikat që po kalon vendi dhe bota.
Pikërisht Korriku, është fatkeqësisht muaji që shënon edhe mbylljen e sesionit të XI të Kuvendit për pushimet e verës në një kohë që qytetarët protestojnë. Kjo përforcon zvarritjen e detyrave në vendimmarrjet emergjente që i nevojiten shoqërisë shqiptare. Problematikat janë të shumta dhe protesta qytetare i ka bërë të qarta ato për t’i ballafaquar dhe bërë transparente ashtu siç e kërkon marrëdhënia e shtetit me qytetarët. Sikur nga sot të marrim si shembull detyrat e shtëpisë që BE-ja i ka lënë Shqipërisë për rishikimin e dy ligjeve një për mjedisin dhe çështjeve të pronësisë , Zonat e Mbrojtura dhe tjetri për Investimet Strategjike gjatë formulimit në Konferencën e Shtypit, Komisionerja Marta Kos ishte gjithashtu shteruese përsa pyetjet u drejtuan duke u shprehur se:-” E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar. Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe e mënyrës se si vendet, mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta janë pjesë thelbësore e proceseve pluraliste demokratike. Kështu që inkurajoj që qeveria shqiptare të marrë hapa përpara trajtojë shqetësimet e qytetarëve, por është ajo çfarë thashë që procesi i anëtarësimit është një proces në vazhdimësi. Kapitulli 27 është një prej kapitujve më kërkues, kështu që sigurisht jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por më së shumti sepse Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin për të cilin kemi rënë dakord kur çelëm grup kapitujt.” Ajo që e përforcon të gjithë këtë kërkesë është edhe ky theksim që veçohet prej përgjigjes së Marta Kos:-“Jemi të sigurtë që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë harmonizuar me Legjislacionin Evropian.”
E parë në këtë vështrim, ndryshe nga sa e sheh propaganda qeveritare dhe amplifikojnë mediat pranë saj se mbyllja e tre kapitujve ishte një fitore e Rilindjes Socialiste, elitës drejtuese dhe kreut të saj, aq sa edhe disa ide absurde dilnin në konkluzionet se “Protesta Mbaroi”, duhet thënë se tek qëndrimi i Evropianëve vihet re tërheqja me kulturën dhe popullaritetin e protestës, me ndërkombëtarizimin e problemeve të mbrojtjes së mjedisit, me luftë kundër korrupsionit kur po provohet se nivele të larta dhe politika janë përzier në to.
E përsa zhurma propagandistike përcillej si “Super e Marta”, më i pakënaquri për detyrat që janë ngarkuar dhe zotimet e pamundura që u detyrua t’ thotë se do t’i mbajë ishte kryeministri Rama. Ai i detyruar nga fundi i konferencës u shpreh se:-“… sepse dua të sigurohem që nuk ka një tjetër keqinterpretim të formulimit. Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike që është diçka për të cilin kemi disa kohë që kemi rënë dakord sepse ky ligj e ka përmbushur misionin e vetë dhe po punojmë ngushtësisht edhe me komisionin për atë që do ta zëvendësojë këtë ligj. Kur bëhet fjalë për ligjin tjetër, nuk kemi asgjë për të shfuqizuar edhe pse ka pasur një rezolutë në Parlamentin Evropian që ka kërkuar këtë, por na duhet ta trajtojmë ligjin mbështetur në të gjitha standardet evropiane dhe të ndryshojmë brenda këtij ligji gjithçka që nuk është në pajtim me standardet, evropiane, sepse shfuqizimi nënkupton anulim dhe ligji për investimet strategjike do të shfuqizohet, do të anulohet ndërkohë që ligji për zonat e mbrojtura është një nga ligjet më të mira që kemi. Është një ligj për të cilin kemi punuar shumë fort për ta hartuar. Ligji i parë në vend për zonat e mbrojtura.”
Në fakt Ligji 21/2024 do të vërtetohet që është shkaktari. Prapësimi i tij nënkupton shumë faktorë ku ndër kryesorët janë pjesëmarrjen e publikut, të ekspertëve, ruajtjen e sovranitetit të territorit Shqiptar, mbrojtjen e gjallesës me rëndësi për vendin dhe planetin dhe duart larg të sipërmarrjeve klienteliste dhe legjislacionit posaçërisht për ta.
Në këtë kuptim 14 Korriku në takimin e nëntë Ndërqeveritar Shqipëri-BE mund të kuptohet edhe si e “Marta e Madhe”. Një leksion i qytetarisë ndaj arrogancës.
14 Korrik, 2026