Në kodrën me ullinj, një skifter mori uratën e pronarëve, ngaqë u shpëtoi prodhimin, kërcënuar prej gergujve, të cilët ishin shtuar fill pas monitoriumit të armëve të gjahut. Përballë vinin tri gra, që, çuditërisht dukeshin, si shumfisha të njëra-tjetrës. Njësoj të shëndosha, me flokë të prera shkurtë dhe gjoks të bëshëm. Lëvizjet të ngathta edhe pse linin përshtypjen, sikur nguteshin. Me sa dukej e parapëlqenin ngjashmërinë mes tyre pasi preferonin të njëjtat rroba. Rrinin bashkë, sikurse burrat e tyre me pushtet. Njëra prej tyre mbante në duar një pëllumb në këmbën e të cilit ishte një lidhëse plastike, ku dallohej kodi i tij. Ishte një pëllumb gare. Sikurse më kishte thënë Tiku i priste të ktheheshin nga Kroacia. Në disa gara ndërkombëtare pëllumbat e tij kishin fituar trofe. Kisha mësuar prej tij, që të sigurohej kthimi i tyre, para garës ai i çiftonte me pëllumbeshat. Pra, veç Tikut pëllumbin e garës e priste dhe pëllumbesha.
-Ky është një pëllumb gare, ndaj e ka dhe këtë fjongo plastike të lidhur në këmbë.
-Ç’a gare thua ti?! Ai kish mbetur në mes të rrugës i dorëzuar!-ma preu ajo shkurt. Doja ta kundërshtoja, por, ishte e kot. Si gjë të gjetur, ajo e quante të sajin. Madje shtoi:-Mos ia qa hallin se një i coftur është!
E kisha numrin e Tikut dhe i telefonova menjëherë. Përtej telefonit dëgjoja zërin e tij, që, shqiptonte: “Rrofsh, rrofsh, rrofsh!” Që të orientohej i përmenda gratë e bëshme, të cilët ishin në kthim e sipër dhe ai e kishte kohën, t’u dilte në dalje të xhades. Për shansin e keq të tij gratë kishin kaluar në një rrugë tjetër dhe ai s`u takua me to. Nga larg e dallova Tikun, që priste i shqetësuar.
-Nga më humbën?!
-Me siguri kanë ndjekur rrugën tjetër.
-Ti e njeh atë?-Për një çast unë hezitova.-Ç’më rri si buf, kush ishte ajo?!
-E shoqja e skifterit.-i thashë unë, duke më shpëtuar një e qeshur, ndoshta ngaqë biseda po i ngjante një teatri kukullash, ku flitej për buf dhe skifter.
-Ëhë, e atij pijanecit të hipotekës! Ai mund të hipotekojë çdo gjë, por pëllumbin tim s`ka shanse!
-Ke ndonjë kunj me të?-nxitova ta pyes.
-Më solli ca kohë tryl, por kur e shtërngova m`i bëri me vrap letrat.
Më dukej se kisha vënë në lëvizje ngjarje, që s`dihej si merrnin. Pafuqia e pëllumbit të garës më dukej, sikur kishte kaluar tek unë.
Ajo që i ndruhesha ndodhi më keq nga ç’e përfytyroja. Tiku në rrëmbim e sipër kishte shkuar në vilën e shefit të hipotekës, por derën s`ia hapën, pavarësisht cetofonit, që, ai i binte me të zgjatur. Dikush i tha se e kish parë tek klubi i bretkosave. Kur Tiku qe futur në lokal në pjatancën e tij pa të pjekur pëllumbin e garës. Zuri një cep dhe ia shkrepi të qarit.
-S`e dinim që prekeshe kaq shumë, po qan burri për kaq gjë?! Gjë e lodhur, që u skarcua nga gara! Zëre se e hëngri skifteri!
-Ngaqë je mësuar t`i marrësh gjërat qyl, se mos ia di vlerat një pëllumbi gare!
-Ama dhe ti, në vend të merresh me një punë të hajrit, shokët e tu, po e ndjekin paranë në fund të botës, në një kohë ku njeriu po ha njeriun, kohë dronash, t`i merresh me pëllumbat e paqes?
-U mësove ti, që gjënë e tjetrit ta bësh kollaj tënden! Dhe tani që është vënë monitorimi i armëve të gjahut arma jote shkrep, ku t`i teket!
-Tek e fundit se mos e dija unë, që ishte i yti! Tani që na janë bllokuar armët, s`po hamë më as rosa të egra, as turtuj.
-Si ore s`e dije ti, kur një shoku im, ia kish thënë tët shoqeje, që është pëllumb gare, nga ata të mitë?!
-E po ai të paska fryrë ty! Ja kështu lloj mvartësish kemi ne! Hë, se atij, ia ndreq unë!
-Prapë dashke ti?! Provo dhe preke!
-Edhe ai, jashtë gare! Që nesër është i pushuar! Ta qaj hipotekën, atë vend pëllumbash!
Tikut, aq i mbajtën nervat dhe, e qëlloi me të gjithë fuqinë në fytyrë. Tjetri u rrëzua në dysheme.
-Le të thonë që e goditi për “motive të dobta”, por, për një pëllumb gare e ka me hak ky skifter zyrash. Mendja më shkoi tek pëllumbesha, që priste të dashurin e saj, i cili kishte kapërcyer male e detra për të mbërritur tek ajo.