1.
Në muajin e ikjes së Tij të papritur (korrik, tash dy vjet), më rastisi të lexoja një libër interesant.
Madje, të çuditshëm e të rrallëshkruar ndonjëherë.
Vetë titulli flet pohueshëm për befasinë time.
Dhe është: “I patalentuari Gëte”!
Që në fletët e para, do të gjeja se të shumtë e idhnakë i kishte kundërshtarët letrarë.
Thumbi i tyre niste nga muza që paskësh qenë aq e kursyer ndaj Poetit e duke kulmuar plot helm tek konformizmi i tij qytetar, pranë Yllit të politikës së lartë.
Mos i qasni librat e tij, zhurmonte August von Katzebue. sepse Gëte nuk di gjermanisht,
Me kaq gabime gjuhësore, vëren bezdisshëm Friedrich Glower, nuk ka shkruar askush deri tash…
Kishte dhe të tillë që jo vetëm për gjuhën, por hidhnin fjalë, gjithaq, për dhuntinë e munguar krijuese.
Dramat e tij, thoshte Friedrich Gottlieb Klopstock, nuk janë tjetër pos një mund i dështuar imitimi të dramaturgjisë antike greke.
Ç’janë këto lajka boshe për “Faustin”? Gjithçka është e mjerë, shkruante, disi njëj hakmarrje imagjinare,
Kristian Dietrich Grabbe. Më jepni mua përvitshëm nga 3000 talerë dhe, për tre vjet, betohej ai, do t’ju shkruaj një “Faust” të tillë, sa do t’mbeteni pa fjalë!
I ftuar nga Hirësi e tij, viti 1775, Gëte do të bëhej pjesë e hierarkisë së lartë të Karl Augustit, Dukë i Madh i Vajmarit.
Por kjo nuk i ndihte kolosit, anise nën udhëheqjen e tyre, Dukës e Gëtes, Vajmari u shndërrua në qendër iluminizmi gjerman, që Heinrich Heine t’i kursente fjalërëndën e vet. E thoshte përbuzshëm: është krejt e natyrshme që nuk e pëlqej Gëten, këtë shërbëtor të ulët oborrtar.
Do të ndërhynte, ndërkaq, dhe rebeltari Beethoven që, ndonëse njihej nga afër me Gëten, pyeste nga një anë tjetër morali: Princër që i lind rastësia ka shumë, por Beethoven është prorë dhe një i vetëm.
Ndaj, i pajisur kulture të epërme aristokracie, Gëte, vërtet, shpërfillte revolucionin francez dhe s’ishte fare entuziast ndaj kushtetutës amerikane. Admironte qetësinë, sigurinë e rendin vertikal të Principatës. Fundja, ngjashëm do të mendojë më vonë dhe Otto von Habsburg kur i cilësonte gjermanët “një popull perandorak”…
Një kohë Gëte ishte, madje, sekretar i Komisionit të luftës. Sa e trishtme, shfrynte sërish Heine: poet dhe, njëkohësisht, komisar kancelerie ushtarake!
Përkojnë vallë shkrimi elegant, i ndieshëm e i hollë letrar dhe skicëplanet e një lufte me gjak e jetëprerje, që mund të plaste?
Kjo, në fakt, ishte armata e salierëve të tij. Por, ndryshe nga Salieri i Vjenës, ata, tashmë në anë të ndryshme, ishin, si Mozarti vetë, popullorë.
Kurse, Gëte, i ngjasonte Salierit të parë vetëm në një gjë – ishte dinjitar aristokrat, por, sërish, i ndryshëm mijëra vjet prej tij. Një mjeshtër suprem pene që nuk vuante xhelozinë dhe s’bluante dot asnjëherë kurthe a helme kundër tyre…
Si për të dëshmuar këtë veçanësi madhështie,
historiani Wolfgang Rothe (lexuar tek “Njëzet minuta histori gjermane”), shkruante: Gëte ia doli të bashkonte në një t’vetmen levë Artin dhe Fuqinë!
2.
Ndaj dhe, ndërsa shfletoja “Të patalentuarin Gëte”, kujtoja vetishëm Kadarenë.
E kishin ftuar njëj dite të bukur vjeshte të përmallshme.
Do të vijsh, i thanë autoritetet e Nobelit, të shohësh vetë dosjenë tuaj ankimore.
Natyrisht, kishte vajtur dhe e kishte parë. Një mal shpifjesh të liga, nga kundërshtarë e zagarë, stolisnin ultësisht thashethemnajën e shthurur ballkanike.
Ashtu si përndjekësit e palodhshëm të Gëtes për Princin, e anatemonin për bashkëjetesë me diktaturën dhe, zgjedhjen e gabuar mes saj e disidencës.
Por, nuk dihet të ketë qenë doktrinar luftërash a përcaktues Ore për krisjen e tyre.
Mirëpo, nuk ishte shqetësuar aq shumë. E kishte pritur. Manteli i shkrimtarit kombëtar përcyste ende mëri që i thërriste zisë. Prijësi, ky dyshimtar karriere, që i rivalizonte duke zbërthyer çdo kod e figurë letrare të shkrimtarit të madh, nuk ishte më në jetë. Por galeria e brezave të smirës dhe prapavënjes vijonte e gjatë dhe e dhimbshme.
Salierët janë një soj i pazhdukshëm që shumëzohen në kohë të këqija stuhie e korbash dhe mbijetojnë sipër fateve elitare të Letrave të bukura.
Veçse, a nuk arsyetoi saktë për letërsinë e historinë, autori gjerman Rothe? E prandaj, duke qenë në indin e gjeniut që përballon diktaturën me estetikën e letërsisë, rezoni intelektual i historianit është, që këtej, një formulë, kimi nyjëtimi mes Artit dhe Fuqisë!
Por, prapë, s’ishte larguar pa vërejtur një kryemarrëzi të llojit më të habitshëm. Ishte një akuzë e padëgjuar. E pabesueshme. Dhe e errët sikur të vinte nga ena e urrejtjes rretherrotull shqiptarëve.
Mirëpo, do të jetë ndalur pak. Ah, është shprehur më vete, kjo akuzë e terrshme i mohon vetishëm të gjitha shkresurinat tjera përbetuese.
Dhe Anonimusi i fjalës goditëse përjarget mbi rreshtat e injorancës turpnore: Kadare nuk di të shkruaj shqip!
Athua, porsi Gëte që, dhe ai, nuk dinte gjermanisht?
3.
Ja pra, dy hierarkë letrash Europe, nuk dinë t’a shkruajnë gjuhën e vet amtare!
Kaq shumë injorancë e salierizëm s’kishte pritur kurrë.
Të tillë që të kenë aftësinë e padurueshme për t’i mohuar shqiptarëve nderin e Kombit Nobelist të Letërsisë, që Kadare, pra vetëm ai, të mos laurohej me çmimin e lartë!
Eh, ti kohë mrekullore që ndryshon e vjetron gjithçka!
Ku gjenden e livadhisin tani kundërshtarët inferiorë të Gëtes e Kadaresë?
Të Gëtes, përveç ndonjë të rrallë, nuk i kujton askush. Harresa ka hedhur qyshkur pëlhurën e saj mbi emrat e tyre.
Kurse zhganin mohimtar të Kadaresë as tani, kësomotshëm, nuk e lexon njeri, sado e ulët të jetë kultura e tij leximore. Dhe vdekja, kjo redakturë e fundme, do t’i shuaj njëj dite vetmitare!
4.
Raporti i krijuesve elitarë me politikën a diktaturat ka qenë historikisht një marrëdhënie komplekse: midis shërbesës, mbijetesës me gjuhë Ezopi dhe qëndresës së vështirë në atdhe apo në mërgim.
Por, Niçe shpjegonte këtë kalvar të dybotshëm në mënyrën e tij: mos kërkoni shenjtorë në letërsi. Ata, njëmend, nuk banojnë mes nesh…
A nuk nobelizohej një letrar sllav (Andriq), megjithëse kishte hartuar elaborate për zhdukjen e popullit fqinj e të lashtë shqiptar, në Kosovë?
Vetë autorë të shquar nga ky popull i shenjuar për mort (Kadare e Shehu), admironin deri në lavdi kryeveprën e tij “Ura mbi Drinë”…
Mandej dhe Ezra Pound, Richard Wagner apo filozofi i shquar Martin Heidegger, do t’i dilnin ballas në krah nacifashizmit në messhekullin e ikur.
E pra, vetëm Personi krijues, kujtohet, lexohet, shijohet e studijohet nga ata që vijnë pas tyre.
Kurse në Fletën tjetër paralele të Personit qytetar, ithtarë pikanterish rrëmojnë për t’i gjetur dhe evokuar muzgjeve pranë oxhakut dimëror.
Fjala vjen, sesi Napoleoni ishte joshur të flinte me t’motrën sepse, thosh, është e përdalë dhe më eksiton fort…A pati, tani, ky moment i tij i lig një ndikim në vlerësimin real të lavdisë së gjeneralit në politikë e fushëluftë?
Apo dhe atje, në veriun me diell të largët, një autor danez letrash, Hans Christian Andersen kishte një frikë të padëgjuar: trëmbej se mos e varrosnin të gjallë. Dhe mbante përherë me vete një letër ku shkruhej: “Unë vetëm dukem si i vdekur”.
Por bota tjetër e tij, Njeriu krijues nordik mbetet prorë i lartë, mbi rétë e mugëta, me letërsinë e tij të përjetshme…