Sa herë si fëmijë vij te shtëpia e madhe
Ulem ku ti re me tre dega rrushi në dorë,
Me zë malli t’i them dy fjalë në heshtje
Edhe pse flokët më janë mbushur me borë.
Edhe një gotë qelqi me raki nga jotja
Aty ta lë, ku ka çelur dhe një trëndafil,
Kaq vjet boshuar kanë ngelur koshat
Kaq vjet mbi trëndafil këndon një bilbil.
Rakia e rrushit që ti bëje qe mjaltë
Se ti me miq e ktheje dhe çelje pranverë,
Nga damixhanët që ke lënë, pi pak
E vij tek ti poshtë hardhisë – ky ritual çdo herë…
13 qershori yt me dritërimë shpirti
Më bën të dobët, lëmsh e gur e gërxh në grykë,
Të kisha mësues e vëlla të madh të kisha
Kujtime nëpër lot, malli rëndë m’i lag sytë…
17 vjet pa ty baba, po me emrin tënd
Si firmë të denjë drite, që le në hapësirë,
Kur tek ti vij, fëmijë ndihem, me tërë mend
Si zog më rreh zemra e ta shoh dritën,
o mësuesi im më i mirë…