Autorë: Erisa Kryeziu dhe Vjolanda Peca | Citizens.al
“Në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?”
Kjo ishte pyetja që arkitekti holandez Reinier de Graaf i drejtonte kryeministrit Edi Rama në një letër në mars 2025, thuajse dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku Rama mori mandatin e katërt të tij qeverisës.
Shqipëria, shkruante ai, ishte kthyer në një “mekë të arkitekturës bashkëkohore” dhe nuk mund ta imagjinonte se çfarë do të ndodhte nëse socialistët nuk i fitonin zgjedhjet.
“A do të thahet papritmas ky burim që duket i pashtershëm pune? A mundet që “Ushtria e Arkitektëve” të detyrohet të ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua?”, ngrinte ai pyetje në letrën e tij.
Duke shfletuar “The Albanian Files”, në fakt është e vështirë të mos mendosh se De Graaf nuk kishte të drejtë. Shqipëria duket si një ekspozitë e hapur ndaj arkitektëve të huaj, duke servirur veçanërisht hapësirat publike, zonat e mbrojtura, dunat e lagunat si hapësira eksperimentale për të përmbushur dëshirat e atij që vetë De Graaf i sugjeron të jetë mbret.
“Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm – ose ndoshta edhe si mbret”, vijon ai në letrën e tij.
Nuk është rastësi që edhe OMA, studioja e Rem Koolhaas dhe Reinier de Graaf, ka hyrë tanimë në panoramën shqiptare.
Por ndërsa në kryeqytet debati po zhvillohet rreth kullave dhe densitetit urban, jashtë tij po zhvillohet një proces më pak i diskutueshëm: “kolonizimi” gradual i peizazhit natyror nga masterplanet turistike.
“Kingcoast Development”, në ligatinat e Parkut Kombëtar të Divjakës
Të dhënat nga libri “The Albanian Files”, që prej kryeministrit Rama shërben edhe si dhuratë në takimet zyrtare me përfaqësues shtetërorë të vendeve evropiane, na sjellin para syve një arkivë të projekteve arkitekturore dhe urbane të planifikuara në vend. Këto investime private dhe publike po projektohen apo zhvillohen në afërsi të zonave të mbrojtura, në laguna, duna bregdetare dhe hapësira që deri para pak vitesh ishin pasuri publike natyrore.
Foto: Pjesë nga masterplani i “Anupama Kundoo Architects” për Divjakën
“Një ekosistem urban me biodiversitet të pasur, ku natyra, inovacioni dhe ndërgjegjja kolektive ndërthuren”, thuhet në nisje të prezantimit skicor të një masterplani dhe zhvillimi të projektit “Kingcoast Development” në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
I projektuar nga “Anupama Kundoo Architects” dhe zhvillues i projektit është “NIU Invest”, kompani e krijuar në vitin 2022, në Berlin të Gjermanisë, e përqendruar në tranzicionin e gjelbër. Sipas përshkrimit të projekt-idesë, “Kingcoast Development” do të jetë i vendosur në zonën e Parkut Kombëtar të Divjakës, rreth 35 km i gjatë, dhe Lagunës së madhe të Karavastasë, habitat i pelikanit kaçurrel, një sipërfaqe toke e rikuperuar nga deti, rreth 8 km e gjatë dhe 4 km e gjerë, e cila do t’i rikthehet pjesërisht detit, duke krijuar kanale dhe rrugë ujore për lëvizshmërinë.
Në tërësi, çfarë planifikohet të ndërtohet është një qytezë e re, me 50 mijë banorë të ndryshëm nga e gjithë bota.
“Përfshirë komunitete sportive, për të bashkëpunuar mbi çështje të ndryshme globale përmes një qasjeje të integruar dhe holistike”, thuhet më tej në përshkrimin e projekt-idesë.
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë dhe ka ekosisteme komplekse, të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Në vitin 2022, parku u zgjerua nga 22,230.2 ha në 22,389.08 ha, ndërsa prej vitit 1995 është zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit.
Laguna, duna dhe brigje nën presion
Në Orikum, një seri projektesh parashikojnë zhvillimin e resorteve dhe rezidencave.
Projekti “Dunes of Orikum”, që parashikon ndërtimin e resorteve dhe rezidencave, është në fazë pritjeje, ndërsa nuk bëhet e qartë se cili është ndërtuesi dhe zhvilluesi i këtij projekti. Projektuesi është kompania “Office Kersten Geers David Van Severen”, themeluar në vitin 2002 në Bruksel.
Bashkë me “Orikum Oasis”, këto dy projekte propozojnë ndërhyrje në një territor që shërben si barrierë natyrore mes detit dhe tokës, sikurse Laguna e Orikumit, me origjinë tektonike prej rreth 130 hektarësh, ndodhur në pjesën jugore të gjirit të Vlorës dhe rrëzë maleve të Ceraunit.
Projekti “Orikum Oasis”, i cili sipas “The Albanian Files” është në vijim, planifikon një sipërfaqe prej 500,000 m², ka si zhvillues “LAXMI Real Estate” dhe partner në Shqipëri “iRI shpk”.
“LAXMI Real Estate” administrohet nga familja indiane Sandesara, Chetankumar dhe Nitin Sandesara, pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Ky nuk është një emër i panjohur, pasi kanë qenë të akuzuar për mashtrim bankar me vlerë 700 milionë dollarë dhe kanë qenë në kërkim ndërkombëtar. Sipas një investigimi të OCCRP-së, ata arritën të largohen nga Shqipëria në vitin 2019.
Më tutje, në një skicim dyfaqësh të librit, bregore të diktuara nga ndërtesat dy-trekatëshe që vijëzohen sipas lakimeve të një lapsi, merr jetë “Poro Valona Albania”, e dizajnuar nga “Archea Associati”.
Foto: Master-Plani i “Poro Valona”
Vendndodhja të lë përshtypjen e Lagunës së Pishë Poros, peizazhit të mbrojtur në Vlorë, ndërsa katalogu i “Shqipërisë së ardhshme” e përcakton si hapësirë private. Zhvilluesi i këtij projekti është “Natura Resort shpk”, me administrator Renis Tërshana, kompani e themeluar në vitin 2022, e cila merret me ndërtim, zhvillim të strukturave me destinacion turizmin.
Në të njëjtin peizazh, në “The Albanian Files” shënjohet edhe një masterplan për Zvërnecin, me projektues të njëjtën kompani, “Archea Associati”, dhe me zhvillues “Kastrati Group shpk”. Masterplani ka mbetur në proces të dizajnimit të konceptit. Një seri hulumtimesh të Citizens.al tregojnë si planet për këtë zonë kanë ndryshuar.
Masterplane të përgatitura janë edhe për brezin bregdetar të deltës së Vjosës, e cila u la jashtë Parkut Kombëtar në vitin 2023.
Ilustrim grafik i planeve “Umea” dhe “New Apollonia”
Masterplani “UMEA”, projektuar nga studioja MVRDV dhe me zhvillues “UMEA Ingegneria”, parashikon një koncept zhvillimi për 650 ha pranë lumit Vjosa. Një artikull i mëparshëm i Citizens.alsqaron dy projekte të planifikuara në këtë zonë.
“Zhvilluesi donte të krijonte një destinacion gjatë gjithë vitit: një vend që kombinon kohën e lirë, mikpritjen dhe jetesën, të udhëhequr nga peizazhi përreth, brenda një sipërfaqeje prej 650 hektarësh”, thuhet në përshkrimin e projektit, ndërsa janë në zhvillim të dizajnit.
Renditja kronologjike këtu ka rëndësi: kufiri i parkut u vendos në vitin 2023; masterplani për të njëjtën zonë erdhi më pas.
Nga Krorëzi në Ksamil
Foto: Projektet e Luca Dini-t “Atara”, “Life Marina” dhe Masterplani i Krorëzës
Sipas Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Krorëza, midis zonës së Shpellë-Lukovës dhe Gjirit të Kakomesë, është një nga plazhet më të paprekura në Shqipëri.
Megjithatë, as këtu nuk mungojnë planet për një qytet turistik me marinë.
“Ky është Krorëzi, një urbanizim bregdetar i frymëzuar nga fshatrat e vegjël në bregdetin italian, të njohur për terrenin e tyre të pjerrët dhe të thyer. Në Krorëz, dizajni pasqyron konturet natyrore të zonës, duke krijuar një peizazh unik arkitektonik, ku shtëpitë dhe shtigjet bashkohen me kodrat, me pamje nga deti”, thuhet në përshkrimin që i bëhet projektit “Krorëz Master Plan”, dizajnuar nga “Luca Dini Design and Architecture”.
“Zbulimi” i këtyre gjireve është kryer nga Luca Dini përmes një udhëtimi me jaht.
Por kjo nuk është e vetmja. Shtatë kilometra bregdet të virgjër, dy marina të mëdha dhe një fshat, hotel, kazino e disko është çfarë ofron “Life Marina Complex”, pranë Sarandës, një masterplan tanimë në fazë konceptimi.
Nëse vijon të ecësh më tutje me jaht, si koncept propozues është kompleksi “Atara” në Lukovë. Një masterplan që përfshin hotele luksoze dhe shtëpiza private.
“Atara është projektuar për t’u ofruar mysafirëve një lidhje intime me natyrën, ku çdo pamje dhe përvojë është kuruar me kujdes për t’u përzier me mjedisin”, thuhet në përshkrimin përmes “cartoons” përbri projekt-idesë.
I konsideruar si “Maldivet” e Shqipërisë, edhe për Ksamilin duket se ka disa plane.
Studiot e huaja kanë parashikuar katër projekte për këtë zonë.
“Les villages d’Azur”, masterplan i projektuar nga “Emre Arolat Architecture” dhe zhvilluar nga “Onhezmi Marina”, me administrator Arben Çera, shoqëri e kontrolluar nga kompania “Kupa” e Shkëlqim Kupës.
Megjithatë, me një vendim të 7 nëntorit 2024, ministri Blendi Gonxhja nuk e ka miratuar raportin e vëzhgimit arkeologjik sipërfaqësor për këtë projekt, pasi sipas vendimit bie ndesh me ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, konventën e ratifikuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe botërore, VKM-në për shpalljen kompleks ligatinor të Butrintit dhe VNM-në për planin e menaxhimit të integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit.
Përpos kësaj, në “The Albanian Files” studioja 51N4E ka projektuar “Ksamil Village”, me zhvillues “AnimaCon”, në pronësi të Lori Hoxhës, dhuruar nga e ëma, Vjollca Hoxha, në vitin 2025.
“Katër Kulla Hotel” është një tjetër projekt në Ksamil, në një hapësirë prej 1,425 m², me projektues Nuno Melo Sousa dhe me partnerë shqiptarë “SON Architects”. Ndërsa gjatë publikimit të librit ka qenë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit.
Nga Butrinti në Rrjoll
Në “The Albanian Files” hapësirë zë edhe Parku Kombëtar i Butrintit, ku synohet të ndërhyhet përmes projektit të qendrës së vizitorëve. Një projekt i projektuar nga Kengo Kuma, me zhvillues Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, themeluar nga Ministria e Kulturës dhe AADF-ja për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritjeje.
Foto: Projekti i Kengo Kuma në Butrint
Proces ky i cili ka ngjallur pakënaqësi për mënyrën si menaxhohen parqet kombëtare, jo nga vetë shteti, por përmes fondacioneve. Për këtë, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit nga AADF-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.
Projekti i Rrjollit, për ndërtimin e projektit turistik “Baks Bay” nga “Gener 2 shpk”, renditet mes të tjerash në “The Albanian Files”, si një projekt në proces ndërtimi.
Rrjolli shtrihet mes Lagunës së Vilunit në veri dhe Ranës së Hedhun në jug, ndërsa punimet për resortin turistik kanë ndaluar për shkak të rezistencës së banorëve.
Zona ku po ndërtohet ishte pjesë e një brezi të mbrojtur bregdetar. Përfshihej në nënzonën 1b të “Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë”.
Në këtë nënzonë zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore, e cila synonte ruajtjen e biodiversitetit, duke lejuar aktivitete tradicionale, ekonomike dhe turistike, për sa kohë nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.
Por, me ndryshimet e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, në vitin 2024, u përfshi edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”, i cili parashikon struktura akomoduese me standarde të larta arkitektonike dhe mjedisore. Ky është mekanizmi ligjor që e bën Rrjollin dhe potencialisht raste të ngjashme të mundshëm pa shkelur, teknikisht, asnjë ligj. Ligji vetë u ndryshua për t’u përshtatur me projektin, jo e kundërta.
Rana e Hedhun, me kulla prej “rëre” mbi duna
Rana e Hedhun gëzon statusin “Monument Natyre”, si një dunë bregdetare në detin Adriatik, në veriperëndim të Shëngjinit. Është një plazh i pastër rreth 4 km, i formuar nga duna rëre, ku më e madhja është e vendosur në shpatin e kodrës dhe arrin lartësinë deri në 80 m, ndërsa të jep pamjen sikur rëra derdhet nga mali në det.
Mirëpo, në këtë zonë parashikohen të ndërtohen kulla, ndërsa janë në proces të marrjes së lejes së ndërtimit. Nuk është ende publik zhvilluesi.
Po ashtu, është projektuar nga Alvaro Siza edhe një masterplan për dunën, ku zhvillues është “Gruppo IDA” dhe inxhinierë Ilir Trebicka dhe Klodiana Kucuku.
“Në shpatin jugperëndimor mbi Adriatik, midis Malit të Zi dhe Shëngjinit, plani i Ranës së Hedhun është hartuar për të përcaktuar dhe organizuar territorin dhe ndërtesat e tij”, thuhet në përshkrimin që shoqëron projekt-idenë.
Foto: Pjesë nga Master-Plani i “Valamar Tale”
Nuk mbetet pa u prekur edhe plazhi i Tales. “Një kapitull i ri fillon në veri të Shqipërisë. Prezantojmë Valamar Tale, ku natyra, dizajni dhe stili i jetesës bashkohen në harmoni”, thuhet në rrjetet sociale të “Balfin Real Estate”.
I quajtur “Master plan design for Valamar Tale”, i projektuar nga “Toyo Ito and Associates, Architects” dhe me zhvillues “Balfin Group”, projekti ndodhet në fazën e tretë, atë të dizajnimit të masterplanit.
Nga liqeni në “pyjet” e Drilonit
Foto: Pjesë nga projektet “Pyjet e Drilonit” dhe “Koran Village”
Përpos vijës bregdetare, interes për zhvillim paraqet edhe qyteti i Pogradecit, ndërsa ka një peizazh të mbrojtur, sikurse Liqeni i Pogradecit. Parku Ujor Drilon-Tushemisht është shpallur Monument Natyre, sipas informacionit zyrtar të turizmit dhe zonave të mbrojtura në Shqipëri. Zona përfshin burimet karstike të Drilonit, kanalet ujore dhe ekosistemet përreth liqenit të Ohrit.
“Bimësia në grykëderdhjen e lumit Drilon në liqenin e Ohrit përhapet midis gishtërinjve të dridhur të pallateve të banimit”, thuhet në projekt-idenë e “Pyjet e Drilonit”, me zhvillues kompaninë “Kontakt”.
Po ashtu, mbi Liqenin e Pogradecit, EMBT-ja e Miralles Tagliabue ka projektuar “Koran Village” për kompaninë “Arlis Ndërtim” dhe “Hotel Millennium” për “Millennium Group”.
“Nuk mund të ketë ndërtime në zonat e mbrojtura pa vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis”
Ekspertët e mjedisit po shprehin shqetësim për një sërë projektesh turistike dhe investimesh të propozuara në disa prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, duke paralajmëruar se ato mund të sjellin pasoja të pakthyeshme për biodiversitetin dhe ekosistemet e mbrojtura.
Taulant Bino, nga Albanian Ornithological Society (AOS), thotë për Citizens.al se disa nga projektet dhe projekt-idetë e prezantuara vitet e fundit konsiderohen veçanërisht problematike për shkak të vendndodhjes së tyre dhe ndikimeve të pritshme në mjedis.
“Midis tyre resorte në Divjakë-Karavasta dhe Butrint, përkatësisht në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe Butrint, Baks Rrjolli, Pogradeci, Poro-Vjosë, përkatësisht në Peizazhin e Mbrojtur Bunë-Velipojë, Liqeni i Pogradecit, Pishë-Poro-Nartë, Orikumi, Tale dhe Qafë-Shtama, me shumë gjasa në Parkun Natyror Karaburun, Kune-Vain dhe Qafë-Shtamë”, rendit Bino.
Ai thekson se çdo projekt i propozuar brenda ose pranë zonave të mbrojtura duhet t’i nënshtrohet procedurave të plota të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimit të Duhur Mjedisor, në përputhje me standardet dhe kërkesat e Direktivës Evropiane të Habitateve.
“Duhen anuluar projektet e miratuara dhe duhen pezulluar të gjitha propozimet e reja deri në shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe deri në përfundimin e afateve të ligjit për Investimet Strategjike”, argumenton Bino.
Sipas ekspertit, zhvillimi ekonomik dhe turizmi nuk duhet të vijnë në kurriz të trashëgimisë natyrore të vendit. Për këtë arsye, ai kërkon më shumë transparencë mbi mënyrën se si janë miratuar projektet deri më tani, publikimin e studimeve të ndikimit mjedisor dhe garantimin e një procesi vendimmarrës që përfshin konsultimin publik dhe ekspertizën shkencore.
“Të gjitha projektet duhet të kalojnë në lupën e Vlerësimit të Thelluar të Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimit të Duhur, sikurse e kërkon Direktiva e Habitateve. Nuk mund të ketë projekte në Zonat e Mbrojtura pa ndërhyrjet ligjore të mësipërme, pa transparencën për vendimmarrjen e deritanishme, për ndikimet e thelluara në mjedisin natyror dhe biologjik dhe pa Vlerësimin e Duhur Mjedisor”, deklaroi Bino.
Kur projektet vendosen njëra pas tjetrës në hartë, shfaqet një model i qartë: dunat, lagunat, brigjet e virgjëra, pyjet bregdetare dhe zonat e mbrojtura po kthehen në objektiva të zhvillimit turistik, duke i dhënë përparësi interesit privat, karshi atij publik.