Duke u ndërruar kalendari nga 20 në 21 Qershor, shumë nga diaspora përtej oqeanit dëgjuan sërish Himnin Kombëtar të qytetarëve shqiptarë në protestën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Janë shqiptarë që kanë ardhur dhe tregojnë se ndodhen në shtëpinë e tyre.
20 Qershori ishte një ditë që filloi ndryshe.
Dha shumë gjendje dhe sigurisht pati të tjera pritshmëri.
Në “Pallatin e Brigadave” askush nuk u bë rremtar*, por mbeti me rremen* në takimin e së Shtunës së socialistëve që quhej “Sfidat Parlamentare për Shqipërinë 2030” të thirrur nga kryetari i PS.
Një tjetër grep për publikun.
Një tjetër mjegull dhe mashtrim.
Askush nuk u pa se u dha lopatave pas fjalimit një orësh të kryetarit të PS dhe kryeministrit Rama, që me sa duket e mbylli edhe leksionin e fundit të Akademisë Politike.
Të gjithë anëtarët pjesëmarrës të GPS e duartrokitën dhe pas tij heshtën në kërkim të lajmeve të mira.
Shumë kush mund të pyes se për çfarë hyn këtu Akademisë Politike e PS?
Së pari hyn për konceptin politik se si kjo forcë udhëheq vendin.
Hyn edhe më shumë sepse prej Shtatorit 2025 kur filloi Legjislatura e XI, ose “vitin e ri shkollor”, 59 deputetë nga 83 mandatet e PS u futën në Kuvend për herë të parë.
Megjithëse Shqipëria ndodhet në krizë, të gjithë duartrokitën për sa dëgjuan apo edhe përsa u pëlqeu rrëfimi i kryetarit në ditën e 20 të një proteste të pandërprerë qytetare. Të një proteste të përqendruar në kryeqytet dhe të ndjeshme herë pas here në disa qytete kryesore të vendit dhe kudo në diasporë ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Ndërsa fakti që ata do të derdheshin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u duk se askush nuk e pranoi.
Duke dashur ta zvogëlojë numrin e pjesëmarrësve dhe përmasën e asaj çfarë shihet me kërkesën për dorëheqje, Rama ju foli të pranishmeve në GPS, me gjuhën e Diellës.
Takimin/leksionin e kishte pushtuar një heshtje, aq sa edhe frymëmarrja e lektorit ndihej.
Veç armiqve të shumtë të jashtëm që tashmë janë përmendur si edhe tik-tokut (të rihapur pas gati një viti ndërprerje në muajin Shkurt 2026), që u bashkohet atyre “fatkeqësisht” armiku i ri që Rama përcaktoi së fundmi vjen nga fusha e zhvillimit teknologjik dhe botës digitale. Prej aty doli dhe u përcaktua se ishte A L G O R I T M I*.
Një luftë tjetër imagjinare.
Një kryeministër që shpejt harroi se mediat e kapura nuk krahasohen me “hashtag-un” që secili shqiptar i lirë mund ta zgjedhë dhe ta përdorë për një qëllim të mirë kur duhet. Për një komunikim kur flitet për ndihmë ndaj njeri tjetrit dhe vendlindjes. Prandaj dhe protesta u mbush duke i tejkaluar 100 mijë qytetarët dhe shkoi deri në 150 mijë brenda pak orësh.
Rama foli për një luftë tjetër imagjinare dhe ju mori atyre politikanëve të gjithë paraditen. Ua shteroi energjitë dhe i bëri për të vrarë mendjen se çfarë mund të bëhet me sheshin e protestës qytetare të cilin kryeministri e quan edhe “shesh xhirimi”.
Vërtetë është një shesh xhirimesh. Është një shesh xhirimesh që lum kush e jeton sepse kamerat po fiksojnë historinë dhe jo një skenë “Big-u dhe Bigjesh” që e drejtojnë nga duan lojën.
Rama u mundua e foli në këtë shtrëngesë të fundit përpara se të dalë në Kuvend, me gjuhën e Diellës dhe të Uliksit.
Foli si Diella edhe pse kohët e fundit ajo nuk është dëgjuar, por që fizikisht është e ngjitur pas tij dhe tha se:-“ Zgjedhja jonë është të bëjmë çmos që njerëzve t’u japim lajmin e mirë. Cili është lajmi? Jo propaganda, lajmi i mirë. Kemi një problem me shërbimet. Kemi patjetër një problem me shërbimet, por ama sot janë mbi 3 milionë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, që 95% të shërbimeve i marrin nga celulari, pa takuar asnjëri dhe pa pasur nevojë të fusin mik askënd. 95%! Por kryeministri njëkohësisht harroi se është në mandatin e katërt (19 Shtator 2025-2029). Që prej Shtatorit të kaluar në kabinetin qeveritar sot Shqipëria ka një Ministre Shteti për Inteligjencën Artificiale, dhe nuk ka një ministër/e ose ministri që të mbulojë R I N I N Ë. Kjo është gjuha e algoritmit dhe gjuha e Diellës, ndaj protesta qytetare thirri diasporën dhe ajo ju përgjigj në fundjavë duke e tejkaluar pjesëmarrjen e 100 mijë shqiptarëve. Ishin tre mandatet dhe është po korrupsioni në qeveri që e bëjnë rininë të largohet (përkohësisht).
Shqipëria nuk ka sot një ministër/e ose ministri që të mbulojë R I N I N Ë , sepse ka një kryeministër që ushtron edhe dhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të inteligjencës artificiale Diella të dekretuar nga presidenti. Aty mund ta gjejmë edhe algoritmin se përse pushtetarët kanë edhe më shumë pushtet dhe zgjedhësit mbeten nën zgjedhën e politiukanëve të korruptuar.
Rama ju referua busullës së GPS në rastin duke e kujtuar Uliksin kur tha se:-“Një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët. Përkundrazi, një qeveri duhet të dëgjojë. Një qeveri duhet ta dëgjojë dhe, patjetër, një grup parlamentar, flas për një grup qeverisës, duhet ta dëgjojë edhe gjithçka që thuhet në atë sheshin e xhirimeve, pra algoritmin, dhe nga diskutimet e para është shumë e qartë që janë dëgjuar. Duhet të dëgjojë kritikën dhe zemërimin. Nuk është e mundur që një qeveri ta skualifikoje duke ia hedhur të gjithë fajin algoritmit.”
Por në të vërtetë edhe pse luajti rolin e qëndrestarit për të duruar sirenat dhe të dukej sikur ishte i lidhur pas timonit që të mbante drejtimin, ideologjikisht ai ju dyllosi veshët socialistëve, për të heshtur dhe për të mos pasur një mendim ndryshe.
Këtë të bën utopia dhe ideologjia.
Shkon deri në shpëlarje të mendimeve origjinale.
Humbet identitetin kundrejt zgjedhësve sepse përqafon autokratin dhe në emër të tijë edhe pse i ke kaluar 13 muaj nga “zgjedhja” për herë të katërt, nuk arrin të kuptosh se në themel të sistemit qëndron korrupsioni.
Ndoshta duhet përsëritur edhe njëherë ajo se çfarë tha Rama kur vendosi të bëjë qëndrestarin:- “Një qeveri nuk ka të drejtë t’i mbyllë veshët…” nga historia tregohet se udhëtimi i Uliksit drejt Itakës (kthimi i tij), zgjati 10 vite, ndërsa kjo qeverisje e socialistëve ka konsumuar edhe të trembëdhjetin. Në rastin e qëndrestarit historia përshkruan se vetëm Uliksi i dëgjoi sirenat dhe tundimet përsa rremat rrahën detin pa ndaluar.
Edhe në këtë rast Rama tregoi të kundërtën nuk ndenji në zyrë që t’i përjetojë “sirenat”.
Skeda zyrtare e tij tregoi se kryeministri po përgatitet të udhëtojë drejt Parisit.
______
*rremtar/i, ai që nget varkën. I jep shtytje me lopata dhe e bën të lëvizë.
*rrem/ë/e, gënjeshtër, mashtrim, jo e vërtetë.
* algoritmi-është një rend i kufizuar udhëzimesh të mirëpërcaktuara për të zgjidhur një problem të veçantë ose për të kryer një llogaritje. Algoritmi ka raste kur në çdo hap përcaktohet saktësisht dhe shpie në një interpretim të vetëm, (rezultati i kërkuar).
20 Qershor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)