Prej thuajse një dekade, një pjesë e madhe e organizatave të diasporës është vënë në shërbim të pushtetit në Shqipëri.
Për disa pjesëmarrës, këto organizata shihen si trampolinë për një post drejtues në atdhe; për të tjerë, si mundësi për të siguruar fonde apo marrëveshje nga ambasada.
Ka edhe nga ata që janë kthyer në gaztorë të oborrit diplomatik, të gatshëm të sakrifikojnë dinjitetin e tyre për një foto a një mikrofon në një aktivitet zyrtar.
Andaj nuk është aspak çudi që përballë protestave të ditëve të fundit organizatat “zyrtare” të diasporës në Kanada, në rastin më të mirë, zgjodhën heshtjen, ndërsa në rastin më të keq u përpoqën në mënyrë qesharake të “distancohen” nga protestat “politike”.
Tashmë është e qartë se KKD-ja dhe organizatat që vazhdimisht vetpromovohen nëpër Samite nuk përfaqësojnë larminë, vlerat dhe zërin e vërtetë të diasporës.
Megjithatë, diaspora ka të rinj energjikë, plot shpresë, idealistë e madje naivë në kuptimin më të bukur dhe frymëzues të fjalës, të cilët nuk zgjedhin heshtjen përballë padrejtësisë.
Protesta në Toronto, që mblodhi qindra anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez, u organizua tërësisht vullnetarisht nga një grup të rinjsh.
Prej ditësh pata mundësinë të ndiqja prapaskenat e koordinimit të këtij aktiviteti, dhe zemra më është mbushur plot!
Plot për qytetarinë që treguan, përkushtimin e palëkundur, frymën gjithëpërfshirëse, kreativitetin, këmbënguljen, vendosmërinë dhe bujarinë për të mbështetur me forma nga më të ndryshmet një kauzë të drejtë e të rëndësishme.
Këta të rinj më kujtuan se shpresa nuk jeton te strukturat formale, por te njerëzit që veprojnë me ndërgjegje, kurajo dhe idealizëm.
Kjo është forca e diasporës

