Nga protestat e ditëve të fundit të rinisë shqiptare në Tiranë dhe në Shkup, kohët e fundit, po vihet re një zgjim i ri qytetar, anë e mbanë trojeve shqiptare, sidomos në radhët e rinisë shqiptare. Edhe rinia e Kosovës gjëndet këto ditë përballë një momenti vendimtar — Zgjedhjet e 7 qershorit zhvillohen në një kohë kur rinia shqiptare në rajon po dëshmon një aktivizim të ri qytetar. Protestat e fundit të të rinjve në Tiranë dhe Shkup kanë treguar se brezi i ri nuk është më i gatshëm të qëndrojë indiferent përballë çështjeve që prekin të ardhmen e tij. Në Tiranë, të rinjtë janë bërë pjesë e lëvizjeve qytetare dhe protestave për kauza publike e politike — ndërsa në Shkup mijëra studentë shqiptarë dolën, më heret, në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e kthyer çështjen në një debat të gjerë shoqëror dhe kombëtar.
Këto zhvillime përçojnë një mesazh të qartë se rinia shqiptare nuk kërkon më vetëm të dëgjohet, por edhe të ndikojë. Ajo po refuzon rolin e spektatorit dhe po kërkon të jetë pjesë e vendim-marrjes, për çeshtjet që prekin të ardhmen e tyre. Pikërisht, për këtë arsye, zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë përbëjnë një provë të rëndësishme për vetëdijen politike të brezit të ri në atë vend. Prandaj, nëse protestat e rinisë në Tiranë dhe në Shkup janë shënja serioze e një zgjimi të ri qytetar e rinor ndër shqiptarët, atëherë 7 qershori mund të jetë dita kur ky zë do të dëgjohet fuqishëm edhe në kutitë e votimit të Kosovës këtë të dielë. Jo vetëm për të zgjedhur qeverinë e ardhshme, por edhe për të përcaktuar përparsitë e dekadës së ardhshme dhe përtej, për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. Sepse, në fund të fundit, e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë trojeve shqiptare do varet gjithnjë e më shumë nga brezi që sot kërkon, jo thjesht, të përfaqësohet, por të marrë pjesë drejtpërdrejt edhe në formësimin e saj. Protestat dhe reagimet publike janë mjetet të fuqishme demokratike, por ndryshimi rrënjësor dhe afatgjat, që sot kërkojnë shqiptarët, nevojit pjesëmarrje të drejtpërdrejt në proceset politike dhe institucionale. Në ketë mes, vota – VOTA, vërtetë e LIRË — mbetet instrumenti më i fortë për ta shndërruar pakënaqësinë në ndryshim konkret, por pa përjashtuar as protestat, që janë pjesë e demokracisë së mirëfillt dhe e drejtë e qytetarëve.
Përballë sfidave si papunësia, emigrimi, cilësia e arsimit dhe mungesa e mundësive, të rinjtë kanë arsye të mjaftueshme për të kërkuar politika konkrete dhe jo vetëm premtime elektorale. Vota e tyre duhet të jetë një votë e informuar, e bazuar në programe dhe vizione për të ardhmen, e jo në retorikë politike e 22- partive politike që po marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit. Thuhet shpesh se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Banorët e Kosovës nën moshën 25-vjeçare përbëjnë ende mbi 55-përqind të popullsisë totale, megjithë emigracionin masiv, mbetet një faktor elektoral ky me shumë rëndësi që mund të vendosë rezultatin përfundimtar në zgjedhje.
Historia politike e shqiptarëve ka treguar se momentet e kthesës dhe ndryshimit të madh kanë ardhur shpesh nga energjia dhe vizioni i brezave të rinj. Pikërisht, për këtë arsye, zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë nuk duhet të shihen vetëm si një garë mes partive politike. Ato janë edhe një provë për aftësinë e sistemit politik që të kuptojë dhe të përfaqësojë kërkesat e një brezi të ri të shqiptarëve që duan një distancim nga politikat e vjetra përçarse dhe nga influencat e ideologjive të huaja — përfshir ato të mbeturinave ish-komuniste në të dy anët e kufirit – fatkeqsisht, ende të gjalla në politikën e hapësirës shqiptare, 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Ashtu siç ka ndodhur edhe në Shqipëri, nëse partitë politike në Kosovë vazhdojnë të mbështeten te narrativat tradicionale dhe te figurat e konsumuara politike, atëherë edhe ato rrezikojnë të humbasin lidhjet me segmentin më dinamik të shoqërisë shqiptare kudo, përfshir Kosovën.
Mund të themi se lajmi i ditës është se po shohim një gjeneratë shqiptare që nuk mjaftohet me slogane politike por kërkon rezultate konkrete për ndryshim dhe për një jetë më të mirë për të gjithë. Kemi të bëjmë me një brez rinie që komunikon ndryshe, organizohet ndryshe dhe ushtron presion politik e publik, përmes instrumenteve modernë të komunikimit dhe mobilizimit qytetar.
Shqiptarët sot nuk janë më të izoluar si në komunizëm brenda kufijve artificial shtetëror. Trojet shqiqtare janë sot më të lidhura se kurrë më parë, ndërmjet vetes dhe me botën dhe shumë mirë e informuar. Çdo protestë në Tiranë, ndiqet në Prishtinë, ashtu si edhe çdo debat në Prishtinë ndiqet në Shkup e më gjërë.
Energjia që po shihet sot në rrugët e Tiranës dhe Shkupit më heret, duhet të shndërrohet në një pjesëmarrje demokratike edhe në votimet në Kosovë, pasnesër.
Protesta, si gjithmonë kudo në botë, është një formë e rëndësishme e angazhimit qytetar, por vota kur është e lirë, mbetet instrumenti më i fuqishëm për të sjellë ndryshim. Nëse rinia shqiptare arrin ta bashkojë zërin e protestës me forcën e votës, ajo mund të bëhet faktori më i rëndësishëm në përcaktimin e drejtimit që do të marrë vendi dhe dhe Kombi shqiptar më vitet dhe dekadat e ardhme.
Më 7 qershor, të rinjtë e Kosovës kanë mundësinë të dëshmojnë se janë jo vetëm e ardhmja e vendit, por edhe forca që mund të ndikojë vendimet e së tashmes. Në fund të fundit, një demokraci është aq e fortë sa edhe pjesëmarrja e brezit të ri që do ta trashëgojë atë demokraci. Prandaj, ashtu si edhe rinia që po proteston në Tiranë dhe në Shkup, edhe rinia e Kosovës gjëndet sot përballë një momenti vendimtar, në prak të zgjedhjeve të 7 qershorit. Sepse e ardhmja e Kosovës, si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik por edhe e Shqipërisë dhe gjithë hapësirës shqiptare në Ballkanin Perendimor, do varet gjithnjë e më shumë nga brezi që sot kërkon jo vetëm të përfaqsohet, por edhe të marrë pjesë dejtpërdrejt në formësimin e asaj së ardhme që ky brez kërkon sot për veten, për familjet e tyre dhe për mbarë Kombin.
Frank Shkreli