Mes kujtimeve traumatike dhe jetës së përditshme, shumë të mbijetuar të masakrave të luftës në Kosovë vazhduan të jetonin brenda shtëpive ku u vranë të afërmit e tyre.
Në dhomën e ndejës së shtëpisë së familjes Gërxhaliu, në fshatin Studime e poshtme në komunën e Vushtrrisë, fotografitë e 13 anëtarëve të familjes që u vranë nga forcat serbe më 31 maj 1999 janë vendosur me kujdes mbi divanin e vjetër.
Shtatë nga viktimat ishin fëmijë.
“Këtu kemi jetu me Lisën”- tha Gërxhaliu, duke iu referuar vajzës së tij Elisa me nofkën e saj- ulur në dhomën ku kishte ndodhur masakra.
Nexhmedin Gërxhaliu u kthye në shtëpi nga Gjermania në mesin e qershorit 1999, disa ditë pasi trupat e NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate bombardimi ajror prej 78 ditësh.
Një vend që mbante kujtime të panumërta të fëmijërisë ishte shndërruar në vend masakre.
Gërxhaliu, tash 64 vjeç, dhe vajza e tij Elisa, 20 vjeçe, vazhduan të jetonin në shtëpinë ku 13 anëtarë të familjes së tyre ishin masakruar, deri në vitin 2018.
Që atëherë, shtëpia ka mbetur bosh dhe pritet të shndërrohet në muze. Ajo është një nga disa lokacione në Kosovë të lidhura me masakrat e luftës që institucionet po përpiqen t’i ruajnë si memoriale.
Megjithatë, Ministria e Kulturës tha se procesi nuk është pa sfida. Në disa raste, të mbijetuarit e masakrave ose familjarët e viktimave vazhdojnë të jetojnë në këto vende, shpesh sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.
Për shumë të mbijetuar në gjithë Kosovën, vendet e krimeve të luftës nuk janë memoriale të largëta, por hapësira të jetës së përditshme.
Në fundin e atij Maji, Gërxhaliu humbi gruan e tij të parë, djalin, vëllanë, kunatën, nënën, gjashtë mbesa e nipër dhe kushëririn. Një nip tjetër ishte vrarë disa ditë më herët në qytet.
Vëllai i tij Selatini, së bashku me djalin Shabanin dhe kushëririn Xhemajlin, u ekzekutuan jashtë, ndërsa të tjerët u vranë brenda shtëpisë.
“Tragjedia ishte e randë, jo vendimi mu kthy me jetu në këtë shtëpi” shpjegon ai, duke shtuar se “jeta më pas ishte katastrofike — me padrejtësi, pa përgjigje.”
Sfidat e kthimit të shtëpive në memoriale
Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN
Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar brenda shtëpisë së Gërxhaliut që nga ajo ditë e majit të 1999.
Vrimat e plumbave ende shihen në mure. Mobiliet kanë mbetur saktësisht aty ku ishin.
“Edhe divanet janë të njëjtat”- tha Gërxhaliu. “I kemi mbulu se janë plot me vrima plumbash.”
Ai tani jeton afër, por kthehet rregullisht për ta mirëmbajtur pronën. Të jetuarit aty, tha ai, nuk ishte kurrë frikësues.
“Sa jetuam këtu, disi u pajtuam”. Tash që vij më rrallë dhe jetoj më larg, është ma e rëndë.”
Edhe për Elisën, shtëpia nuk është ndjerë kurrë si e përhumbur. “Për mu dhe babin, nuk ishte kurrë e frikshme apo traumatizuese të jetonim këtu”- tha ajo.
Megjithatë, duke kujtuar rritjen mes mungesës dhe duke qëndruar përballë fotografive të gjysmëvëllait dhe të afërmve që nuk i kishte njohur kurrë, zëri iu drodh teksa kujtonte si ishte rritur duke parë babanë dhe hallat e saj të qanin për të afërmit që kishin humbur.
“Tash une jam gjaku i vetëm në këtë shtëpi”- tha Elisa, duke shtuar se “kam menduar 100 mijë herë si do të kishte qenë jeta po të ishin gjallë.”
Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN
Sipas Ministrisë së Kulturës së Kosovës, projektet e konservimit kryhen nga ekspertë të trashëgimisë “me qëllim të ruajtjes së autenticitetit historik dhe kujtesës kolektive.”
Ministria tha se Agjencia për Mbrojtjen e Monumenteve ka konservuar ose trajtuar disa shtëpi të lidhura me krime lufte, përfshirë shtëpi të lidhura me masakrat në fshatrat Likoshan, Poklek dhe Reçak.
Në fshatin Poklek, 53 civilë u vranë në shtëpinë e Fadil Muqollit më 17.04.1999. 51 nga viktimat u ekzekutuan brenda shtëpisë, ku trupat e tyre u dogjën disa herë. Mes viktimave kishte gra shtatzëna dhe 23 fëmijë, nga gjashtë muajsh deri në 14 vjeç, ndërsa viktima më e moshuar ishte 75 vjeç.
Shtëpia në Poklek është shndërruar në muze memorial. Ajo përmban fotografi, rroba, libra, fletore shkollore dhe sende personale të viktimave.
Zyrtarët theksojnë se procesi është shumë më i ndërlikuar për shkak se disa shtëpi ende janë të banuara nga të mbijetuar ose familjarë të viktimave.
“Një nga sfidat kryesore të ruajtjes dhe memorializimit të këtyre shtëpive mbetet fakti se disa prej tyre ende përdoren si banesa”- theksoi ministria, duke shtuar se “në raste të caktuara kemi hasur mospajtime nga anëtarët e familjes lidhur me mënyrën se si duhet të trajtohen objektet.”
“Jetojmë në hijen e krimeve”
Pranvera Sharani mban një fotografi të saj dhe të bashkëshortit të saj, Tahir Sharani, i cili u vra nga forcat serbe në oborrin e shtëpisë së tyre më 10 maj 1999. Foto: BIRN
Ndryshe nga familja Gërxhaliu, shtëpia e së cilës po shkon drejt shndërrimit në muze, shumë familje ende vazhdojnë të jetojnë në prona ku dikur ndodhën vrasje. Përtej të qenit shtëpi, këto vende janë dëshmi të krimeve të luftës.
Në Gjakovë, Pranvera Sharani dhe katër fëmijët e saj kaluan vite duke fjetur në të njëjtën shtëpi, oborri i së cilës ishte vendi i ekzekutimit të 11 anëtarëve të familjes dhe fqinjëve të tyre në maj 1999.
“Kam mendu mu largu qysh ditën e parë”- tha ajo, duke parë drejt oborrit. “A pe sheh këtë oborr? Të gjithë i rreshtuan këtu. Nganjëherë kur mërzitem, them: ‘Po ecim mbi gjakun e tyre.’ Ende nuk e di si fle këtu. Jetojmë në hijen e krimeve”- tha ajo, teksa kujtonte si i kishte parë familjarët e saj dhe burra të tjerë të lagjes të rreshtuar nga forcat serbe.
“I pashë të rreshtuar”- kujtoi ajo. “Policia më patën tërheq zvarrë, duke më pyet ku ishin paratë. Kur dola përsëri, i pashë pranë murit. Derisa po largohesha, i dëgjova krismat e armëve.”
Tri ditë më vonë, ajo u kthye në zonë me disa fqinjë.
“E kemi pa një kamion të mbeturinave komunale që bartte trupat. Një kojshike madje i njohu rrobat e burrit të saj.”
Më 10.05.1999, gjashtë anëtarë të familjes Sharani u vranë, përfshirë burrin e saj Tahirin, 43 vjeç atëkohë, kunetërit Skyfterin, Mentorin dhe Isufin, si dhe dy nipër. Pesë burra nga familjet fqinje gjithashtu u mblodhën dhe u ekzekutuan në oborrin e tyre.
Duke treguar një fotografi të saj me burrin Tahirin, Sharani ndaloi për një çast. “Burri im… jeta jem”- tha ajo.
Kunata e Pranverës, Luljeta, jeton ngjitur, duke ndarë të njëjtin oborr. Luljeta humbi burrin e saj Skyfterin, 48 vjeç atëkohë, dhe dy djemtë e tyre, Valonin 22-vjeçar dhe Visarin 20-vjeçar.
“Kur ushtria hyri, u thashë djemve të fshiheshin”- kujtoi Luljeta në një intervistë për dokumentarin e BIRN-it mbi personat e zhdukur, transmetuar më 16.05.2026.
“Valoni më tha: ‘Ku të fshihemi moj mam? E gjithë lagjja është e rrethuar.’ Kur na nxorën jashtë me forcë, ndaluan 11 burra, ndërsa grave dhe fëmijëve iu urdhërua të largoheshin”- tha ajo.
Anëtarët e familjes Sharani të vrarë nga forcat serbe më 10 maj 1999. Foto: BIRN
Luljeta thotë se familja kaloi vite pa e ditur ku ishin dërguar trupat, duke protestuar vazhdimisht derisa u gjetën në varrezën masive të Batajnicës në Serbi, së bashku me më shumë se 700 trupa të burrave, grave dhe fëmijëve shqiptarë të Kosovës, të transportuar nga vende të ndryshme të Kosovës.
“Më 23 dhjetor 2003 filluan kthimin e trupave në arkivole”- tha ajo.
“Trupi i kunatit tim Tahiri u kthye me grupin e parë. Katër muaj më vonë, më 18 prill 2004, kthyen grupin e dytë, ku ishin Skyfteri, Mentori dhe Isufi.” Rreth tre vjet më vonë, më 15 janar 2007, “që ishte edhe ditëlindja e Visarit, m’i kthyen djemtë.”
Pranvera ishte kthyer me katër fëmijët e saj, të moshës nga 7 deri në 14 vjeç, dhe më vonë bëri disa renovime në shtëpi pasi ajo ishte djegur. Në vitin 2002, ajo u zhvendos me fëmijët në Prishtinë, ku punoi si mësuese historie në një shkollë fillore.
“Shkolla dhe nxënësit ishin shpëtimi im”- tha ajo.
Dy vjet më parë, pasi doli në pension, ajo u kthye sërish në Gjakovë, në të njëjtën shtëpi.
“Është e dhimbshme të jetosh në një vend ku dikur kishe një jetë të mirë, e pastaj për pesë minuta gjithçka ndryshoi.”
Sot, ajo pendohet që e rinovoi shtëpinë:
“Mendoj se nuk duhej ta kishim rinovuar kurrë. Duhej të kishte mbetur ashtu siç ishte, si dëshmi e luftës.”
Trauma mbetet brenda mureve
Nga instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, 2015
Për shumë të mbijetuar, dhuna e lidhur me shtëpitë e tyre shkoi përtej vrasjeve të të dashurve, megjithatë shumë prej tyre nuk morën kurrë mbështetjen e nevojshme për shëndetin mendor.
Pranvera Sharani tha se si të mbijetuar të krimeve të luftës “nuk kemi pasur as psikologë, pavarësisht gjithë traumës. Shëndeti mendor nuk diskutohej shumë në atë kohë. Trauma u transmetua edhe te fëmijët, sepse panë skena dhe abuzime të tmerrshme.”
Ajo kujton se kishte marrë djalin e saj të madh (17 vjeç atë kohë) me vete kur i’u kërkua të identifikonte mbetjet e burrit në një morg në Rahovec.
“Kam bo gabim. I ka ndiku shumë”- tha ajo.
Ndërkohë, vajza e saj ende e ka të vështirë të qëndrojë në shtëpi.
“Sa herë që vjen, më thotë: ‘Mam, nuk mundem me nejt këtu. Nuk mund të jetosh në këtë shtëpi.’ Dhe edhe për ne të tjerët, nuk është se qëndrojmë këtu me qelf, po të kishim ku të shkonim tjetër.”
“Edhe sot, kur shoh vetura policie, më kap një lloj ankthi.”
Përveç vrasjeve, dhuna seksuale dhe përdhunimet u kryen gjithashtu brenda shtëpive në gjithë Kosovën, dhe shumë gra u detyruan të vazhdonin të jetonin brenda atyre mureve.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT) tha se shumë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës ende jetojnë në shtëpitë ku ndodhi abuzimi seksual, shpesh sepse vështirësitë ekonomike nuk u lënë alternativë tjetër.
“Në këto situata, shtëpia shpesh mbetet njëkohësisht vend i jetës së përditshme dhe një kujtesë e vazhdueshme e traumës. Kjo mund të shkaktojë emocione të dhimbshme, ankth dhe ndjenja pasigurie”- shpjegoi organizata, duke shtuar se me mbështetje profesionale, të mbijetuarit mund të rindërtojnë gradualisht ndjenjën e sigurisë brenda të njëjtës hapësirë.
“Kur është klinikisht e përshtatshme dhe pas stabilizimit të mjaftueshëm, qasjet e bazuara në ekspozim mund t’i ndihmojnë të mbijetuarit ta shohin shtëpinë ndryshe. Qëllimi është të ndahet e kaluara traumatike nga realiteti i tanishëm dhe gradualisht të shndërrohet shtëpia nga simbol rreziku në një hapësirë rikuperimi dhe jete”- tha QKRMT.
Shtëpia në fshatin Studime, Vushtrri, ku familja Gërxhaliu u vra nga forcat serbe më 31 maj 1999. Foto: BIRN
Për Gërxhaliun, megjithatë, kufiri mes kujtesës dhe jetës së përditshme nuk është zhdukur kurrë.
Duke mbajtur në dorë një libër që dokumenton vrasjet, ai pa sërish fotografitë e vendosura mbi shtretër.
“Pjesa më e vështirë”- tha ai, “është kur vij këtu dhe i shikoj këto fotografi.”
“Kur i hap ato dyer atje poshtë”- shtoi ai, “më duket sikur ende i shoh fëmijët ashtu si i pata lënë.”
Shënim: Ky artikull është prodhuar në kuadër të Akademisë për Raportim në Fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (DëP) dhe Gazetarisë së Ndjeshme ndaj Konfliktit, e zbatuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK). Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të gazetarit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Pro Peace apo AGK-së./Kallxo.com