Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të garuar në listën e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një deklarim për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë së tij të mbajtur më 11.05.2026.
“Është diskutuar në PDK letra e Limajt drejtuar PDK-së. Është qëndrim i përgjithshëm i pjesës dërrmuese të Kryesisë së PDK-së që e presim dhe mirëpresim kontributin e z. Limaj, të Nismës Socialdemokrate, që në këto zgjedhje do t’ia japin PDK-së dhe jam i bindur që kjo përkrahje do të reflektojë në rritjen e votës për PDK edhe si rezultat i këtij angazhimi. Sigurisht se z. Limaj, në të ardhmen, në procese të brendshme zgjedhore, është i mirëpritur që të jetë pjesë e PDK. Sa i përket garimit në këtë listë është qëndrim i përgjithshëm që fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje për PDK-në, një vullnet i mirë nga Nisma Socialdemokrate dhe pastaj në zgjedhjet e ardhshme do t’i trajtojmë në mënyrën më të duhur të nevojshme. Por, kësaj radhe z. Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së” – tha Hamza.
Kryetari i Nismës i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, duke shprehur interesim për të garuar në listën e tyre për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Përndryshe, Nisma si e vetme është deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mospjesëmarrëje në zgjedhje.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ,ditë më parë ka thënë se partia e tij ka interesim që të shkrihet në PDK.
“Jemi të interesuar të bëjmë një listë të përbashkët që të maksimalizojmë vullnetin e atyre që besojnë si ne. Ne jemi të interesuar që të shkrihemi në një formacion të vetëm. Ta bashkojmë votën me shpresën që nesër të ofrohet mundësia të qeveriset me vendin. Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër”- ka thënë Limaj në DebatPlus në RTV Dukagjini.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Nisma si garuese e vetme nuk arriti të hyjë në Kuvend.
Mirëpo, në zgjedhjet e shkurtit 2025 përmes koalicionit me AAK-në hyri në Kuvend me tre deputetë: Fatmir Limajn, Xhevahire Izmakun dhe Arbëreshë Krasniqi.
Më pas, partnerët ndanë rrugët.
Pas zgjedhjeve të 09.02.2025, raportet mes Limajt dhe partnerit të tij të koalicionit, kreytarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, u tensionuan.
Kjo pasi Limaj shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se për të janë të rëndësishme temat nacionale dhe jo pozitat./Kallxo.com