Dimri sapo kishte ikur, duke çaluar. Akoma stomeve të arave e lugjeve kishin mbetur lara të holla bore. Një ere jugu as ato lara nuk i bënë ballë, u treten si floska. Mes marsi kishte filluar me lule të hershme si zakonisht, akaciet, lulebora, kumbulla e tjera. Nuk vonoi prilli dhe e mbushi fushën me gjelbërim, pasi temperaturat rriteshin çdo ditë. Maji, muaj më i bukur në të katër stinët e viti, e kishte mbështjellë natyrën kudo me gjelbërim, dushkimi i kishte dhënë natyrës një pamje piktoreske. Në atë aromë lulesh, duke shtuar mrekullinë aromatike të bagremit, pakkush rrinte në shtëpi, posaçërisht të moshuarit. Mali afër qytetit i ngjante një tregu ato ditë pranvere, posaçërisht ditëve të vikendit. Shëtitjet ishin në çifte bashkëshortësh, por edhe moshë e re, të dashuruar.
Lekë Shkoza, burrë afër të 70-tave, me rekomandim të mjekut shëtiste n ‘atë oazë të bukur thuaja gjithë vitin, bile edhe vite me radhë. Kështu i kishte thënë kardiologu profesionalist, për cilësinë e ajrit me pisha dhe arsyeve të tjera shëndetësore. Brenda kompleksit të asaj oaze malore kishte të ndërtuara edhe tri hotele ku pas shëtitjes, njerëzit freskoheshin me pije të ndryshe, kafe e lëngje të llojllojshme. Kishte edhe ushqime të tjera. Ditëve të vikendit e kishe vështirë të gjeje karrige të zbrazur nga mëngjesi deri në orët e vona të natës.
Lekë Shkozat, si shëtitësi më vjetër, i pandalshëm i asaj pishnaje, shpesh shkonte me bashkëshorten e tij dhe gjenin mrekullinë e ditës me orë të tëra. Në përditshmërinë e shëtitjeve të Lekës, një dukuri i ra në sy e cila filloi ta ngacmonte për shumë e shumë arsye të paditura. Herë te hyrja e njërit hotel, herë tek tjetri, vërente vazhdimisht një grua ulur buzë rruge duke kërkuar lëmoshë. Ajo, me një plaf të vjetër mbështillte dy carroket e saj kur i zintë gjumi, të cilët vonë zgjoheshin nga ndikimi i ajrit të pastër.
Pastaj kërkonin ushqime, ajo me paratë e falura iu blinte nga diçka sa për t’i mashtruar deri në darkë te shtëpia. Ajo e pinte duhanin në prani të fëmijëve dhe njerëzve kalimtarë, të cilët shpesh e qortonin. Më detyrojnë “mendtë e kresë ”-thoshte ajo dhe ulte kokën si në faj të madh….”
Lekës ditë të tëra nuk e hiqej nga mendja ajo grua me dy fëmijët e saj, i rrinte para syve kudo, ndiente dhimbje e keqardhje të skajshme. E mundonin edhe arsyet e asaj gjendje familjare. Ajo, lëmoshatarja, ishte e re, ishte e bukur, kishte flokë të gjata ngjyrë të zezë, fytyrë të rrumbullakët me hijeshi te veçantë. Sytë e zi e vetullat si krah dallëndysheje. Ajo pamje e saj i mahniste njerëzit, shëtitësit e vikendeve. Kishin dyshime në “arsyen” e lëmoshës së saj. Vetëm rrobat veshur dhe fëmijët pas vetes, të bënin të kuptoje hallin e saj pa hile.
Një mëngjes të hershëm Lekë Shkoza, pasi kreu orarin e shëtitjes, duke ikur për te shtëpia me bashkëshorten, ndaloi para saj me një keqardhje tronditëse por edhe shume seriozë, duke iu drejtuar me fjalë:
-Çfarë halli ke zonjë që del në këtë vend që afër tre muaj ? Ke familje, ke burrë, a ke shtëpi? Si është halli jote?
Ajo uli kokën duke medituar në largësi e afërsi të ngjarjeve të saj, e preken emocionet të thella deri në shpirte dhe me lot në faqe ngriti kokën drejtë Lekës duke pëshpëritur.
-Hallet o vëlla, problemet familjare, skamja, mos i provofsh ti e askush tjetër. Më ra “hisja” e Zotit’’- përfundoi skamnorja.
-Si e pate emrin, nëse ka mundësi ta di?
-Manike quhem.
-A e ke burrin, ku punon ai?-pyeti Leka!
-Po ti si e pate emrin zotëri?- Pyeti Manika!
-Lekë më quajnë, Lek Shkoza i lagjes “Malësorët” këtu në qytet.
-Dëgjo Lekë, të flas si vëllait. Burri im është punëtor krahu. Punon çdo ditë, por kurrë në shtëpi asgjë nuk sjell ,as për fëmijët e vet. Punon tërë ditën dhe gjithë natën luan panten e pin alkool. Dy vitet e fundit rrallë vjen te shtëpia, te fëmija. Nuk dij as ku flenë, ku e zë nata atë faqezi që më la rrugëve me këta carrok. Carrokët shpesh me tundojnë me pyetje se “ku është babi, kur vjen babi..” Ç ka të them me shumë o vëlla Lekë! Më plasi zemra për së gjalli në këtë moshë të re. Në fillim të martesës sonë, tri vite më parë, ishte çdo gjë për mrekulli. Kështu ecën punët z. Lekë!-përfundoi Manika përgjigjen e saj.
Manikës i shkonin lotët faqeve nga pesha e rëndë e gjendjes jetësore. Duart nuk i hiqte nga carrokët që i rrinin në prehër si pëllumba të urtë. Shikimin e drejtonte kah kalimtarët e rastit për lëmoshën, pastaj shikonte diellin se deri ku kishte vajtur dita. Leka akoma qëndronte para saj duke vështruar çdo lëvizje me dhimbsuni. Ajo gjendje e kishte prekur shume edhe Lekën ,të cilit pa dashje i shkuan disa pika lot faqeve, ku i lanë vazhda brazdave të rrudhosura.. Nuk pati durimin dhe Manikës ia bëri edhe disa pyetje.
-Si e njohe Manikë këtë faqeziun tënd, a mos prindërit të detyruan?!
-Mos vet vëlla Lekë!. Jo prindërit. Vetja ime. Vet pata faje, isha e pa përvojë, nuk e njihja jetën. Për fatkeqësinë time u njohëm në një dasmë në qytet. Pak fjale aty, shpejtë shkëmbyem numrat e telefonave. Bardhi ma tha emrin dhe iku. Pastaj vazhduam të shkëmbenim mesazhe dhe biseda tjera. Me pjekurinë time mendova se u sqaruam për çdo gjë për jetën. Në veten time isha e sigurte, andaj Bardhit ia kërkova “besën” që mos të më tradhtojë, por, vonë, shumë vonë kuptova se kishte qenë i pabesë fatziu im, për gjithë jetë. Mbeta rrugëve siç po më shikon.
I prekur thellë Lekë Shkoza mbylli bisedën dhe nga xhepi nxori dy monedha letre dhe ua hodhi dy carrokëve që luanin me guralecë në afërsi të hotelit, nën pishat e freskëta. Paç ndihmën e Zotit me këta dy bukuroshë, Manikë e nderuar!.
Duke i uruar fat e shëndet në jetë Manikës, Leka mori drejtimin e shtëpisë së tij, së bashku me bashkëshorten Hanën, duke bartur në zemër e shpirt gjithë brengën e asaj gruaje të bukur, te mashtruar nga një maskara i kohëve të pakohë.
Dy ditë radhazi Leka nuk doli në shëtitje. Ndjeu një lodhje të befasishme në gjithë trupin. Nuk i hiqej nga sytë ajo pamje e rëndë e Manikës me ata carrokë si lulet në pranverë. Pas tre ditësh iu drejtua mjekut, kardiologut personal, nga i cili mori rekomandime që të pushojë disa ditë, të jetë sa më i qetë, t’i ikë ngarkesa psikologjike.
Duke parë gjendjen shëndetësore se po i rëndohej edhe nga vapa e verës, vendosi që të ikë në lartësitë e majave bjeshkore, atje ku qetësia dhe bukuria e natyrës është ilaç shpirti. Ajri, uji i ftoftë, boronicat, mjedrat e dredhëzat, ia kishin ndërruar qelizat e gjakut, ishte përmirësuar mirë në shëndet. Atje në bjeshkë ndejti deri në fund të atij gushti, kur edhe moti filloi të ndjell melodinë vjeshtare.
Pas dy javësh pushimi nga bjeshka, Leka sërish vazhdoi avazin e vjetër, shëtitjen në oazën e pishnajave afër qytetit, aty ku vite me radhe e kishte gjetur veten si më së miri. Ai vend malor i dukej si një sanatorium shëndetësor për gjendjen e tij emocionale e kardiologjike.
Befas i shkuan sytë në shtyllat afër hotelit, në mesin e pishnajës dhe pa fotografinë e Manikës. Me dhimbje të madh lexoj lajmin mortor. “ E ndjera la pas vetës dy carrokë pa asnjë mbikëqyrje, në mëshirën e Zotit. E tradhtoi zemra në mungesën e durimit të gjendjes së keqe!”
Leka fshiu lotët dhe me pikëllim u drejtua kah shtëpia duke pëshpëritur uratat më të mira për dy bonjakët e mbetur jetimë në lulen e rinisë, atëherë kur iu duhej më së shumti dashuria ,përkëdhelja dhe ndihma amnore….