Dje u kujtua Dita e Masakrës së 2 Prillit 1991. Kanë kaluar 35 vjet nga ajo datë tragjike që lidhet me emrat e katër djemve shkodranë, të cilët dhanë jetën për lirinë e votës, kur ministër i Brendshëm i asaj kohe ishte Gramoz Ruçi.
Drejtësia shqiptare ka ngelur në klasë sa i përket dënimit të krimeve të diktaturës mizore, pasi hierarkinë e regjimit stalinist e dënoi për kafe dhe limonata dhe, pas 1997, e rehabilitoi. Edhe Gramoz Ruçit nuk do t’ia prishte askush karierën nga majat e Partisë së Punës, në majat e PS, deri tek kreu i Kuvendit të Shqipërisë.
Por, pas emërimit të Gramoz Ruçit si kryetar Parlamenti, më 4 shtator 2017 Balkanweb do të sillte një dokument, të bërë publik nga «Nisma Thurrje», që do ta botonte si lajm me titull “Masakra e 2 Prillit, ku zbulohet urdhëri i Gramoz Ruçit”.
Në tekstin e lajmit të Balkanweb lexohet: “Emërimi i Gramoz Ruçit si kryetar i Kuvendit ka hasur shumë debate në opinionin publik për shkak të kaluarës së karrierës së tij në kohën e komunizmit. Ruçi, një ish-funksionar komunist i viteve të fundit të regjimit, për më tepër Ministër i Brendshëm në momentin e ngjarjeve të 2 prillit ’91 në Shkodër. Gramoz Ruçi përbën për shumëkënd, më qartë për të gjithë pjesën anti-komuniste të shoqërisë, një “njollë” të atij regjimi.”
Dhe më tutje Balkanweb zbardh një pjesë të dokumentit që mban urdhërin dhe firmën e Gramoz Ruçit lëshuar më 2 prill 1991:“Për të vepruar me forcën e shkopit nuk ka askush arsye të pyes përgjegjësin. Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues mos shkojnë të armatosura”.
Pra, vini re, snajperat lart, në pikat kyçe. Snajperat ishin lart, në pikat kyçe edhe më 20 shkurt 1991, kur u rrëzua shtatorja e diktatorit, por nuk u qëllua.
Nëpër dokumenta thuhet se protestuesit mbanin në rreshtin e parë fëmijë dhe gra, për të treguar se protesta është paqsore.
Gramoz Ruçi ishte Ministri i Brendshëm i fundit e diktaturës komuniste dhe më jetëshkurtëri në këtë post. Ai pasoi Simon Stefanin prej 22 shkurtit 1991 deri më 11 maj 1991, pra ka qenë në këtë detyrë për rreth dy muaj e gjysmë si një ministër famëkeq që i atribuohen: 1) zgjedhjet e vjedhura nga PS të 31 marsit 1991 dhe 2)vrasjet e katër martirëve të demokracisë Arben Brocin, Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën si dhe plagosja e qindra të tjerëve, të cilët atë 2 prill po protestonin për votën e vjedhur nga PS.
Ka mbetur e pazbardhur masakra e 2 prillit 1991 dhe sot e kësaj dite dhe, nëse kërkohet drejtësi për 4 të vrarët e 21 janarit 2011, duhet të kërkohet drejtësi edhe për katër martirët e demokracisë që me gjakun e tyre i hapën rrugën zgjedhjeve të 22 marsit 1992.
Ndërkohë kariera e Gramoz Ruçit si Ministri i Brendshëm dhe i fundit i diktaturës do të duhej që ta mbante atë larg politikës pluraliste dhe larg PS.
Përkundrazi, Gramoz Ruçin e ricikloi viti i tmerrshëm i 1997 dhe ai i mori frenat e partisë si krahu më konservator i saj pranë Nexhmije Hoxhës.
Ngjitja e Gramoz Ruçit në majat e politikës shkon paralelisht me ngjitjen në politikë të Edi Ramës. Kryeministri ia dedikon karierën ish ministrit të Brendshëm të diktaturës, që e katapultoi pa zgjedhje në krye të PS dhe pastaj ia hapi rrugën e pushtetit që Edi Rama do ta uzurponte pa kufizime apo limite. Sot vota e lirë është nën prangat e trashëgimtarit të Gramoz Ruçit. Ky përcaktim i shkon Edi Ramës, i cili, për t’i shprehur mirënjohjen, e zgjodhi kryetar të Kuvendit më 2017, pikërisht kur «Nisma Thurrje» nxori në dritë dokumentin që mban firmën e tij.
Zgjedhja në krye të Kuvendit e Gramoz Ruçit shkaktoi reaksion negativ edhe në Perëndim, kur flitej se atij i ishte ndaluar prej vitit 2005 hyrja si non grata në SHBA.
Rreth këtij reaksioni Gazeta Der Standard e intervistoi Edi Ramën dhe i parashtroi pyetje si më poshtë që po i botojmë bashkë me përgjigjet e Edi Ramës:
____
«Der Standard: Kryetari i ri i Parlamentit Gramoz Ruci, ishte Ministër i Brendshëm në vitin 1991, kur 4 vetë u vranë në demonstratë në Shkodër. A po bëhen hetime brenda partisë tuaj socialiste për atë kohë?
Rama: Kjo është hetuar dhe gjykuar në gjykatë dhe është liruar nga të gjithë akuzat e çmendura. Pse duhet që partia të hetojë tani për këtë. Unë jam për një kohë të gjatë lider i kësaj partie. Unë kam qenë edhe lider i lëvizjes antikomuniste. Kjo Parti Socialiste që unë drejtoj nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën …
Der Standard: … megjithese ai ka qenë ish ministër i Brendshëm
Rama: …i cili ishte ministër i Brendshëm në periudhen e tranzicionit, saktësisht pas revoltës. Ai ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer, sepse ai organizoi zgjedhjet e para të lira dhe të drejta si ministër i Brendshëm dhe në këto zgjedhje, presidenti komunist humbi zgjedhjet. Pjesa tjetër janë thjesht broçkulla dhe nuk e kuptoj sesi mund të diskutohet në 2017, kur ne kemi miratuar ligjin që lejon publikimin e të gjithë dosjeve nga koha e komunizmit, kemi punuar për rreth 1 vit me Gjermaninë për këtë propozim. Ne kemi hapur “Shtëpinë e gjetheve” dhe muzeun e bunkerit të komunizmit, në mënyrë që njerëzit të trajtojnë të kaluarën dhe ne i kemi paguar kompensim të gjithë ish të përndjekurve politikë që janë gjallë. Dhe tani ju më thoni mua ish ministër i Brendshëm?
Standard: Po, sepse ai është simboli i asaj kohe. A ka diskutime në partinë tuaj për këtë?
Rama: Jo, sepse partia është shkëputur prej tyre kohë më parë dhe ai nuk është symbol i asnjë gjëje. Ai është vetëm objektivi i një opozite barbare, e cila kërkon vetëm të demonizojë njerëzit. Një numë r i madh shqiptarësh e respektojnë atë shumë, sepse ai ka treguar integritet dhe ka reformuar partinë dhe unë jam i kënaqur që parlamenti tani punon si një parlament dhe jo si një klub të dehurish – pak muaj më parë”
—-
Sikur mund ta konstatojë çdo kush që ka dijeni për zhvillimet dhe faktet e asaj kohe do të shohë se Edi Rama me arrogancën e trashëguar nga të parët, gënjen kur thotë se « Gramoz Ruçi organizoi zgjedhjet e para të lira dhe të drejta si ministër i Brendshëm dhe në këto zgjedhje, presidenti komunist humbi»
Së pari, se Gramoz Ruçi nuk organizoi zgjedhje të lira e të ndershme, përkundrazi, pasi katër martirët e demokracisë në Shkodër u vranë pikërisht duke protestuar për votën e lirë, të manipuluar nga regjimi diktatorial!
Së dyti, Gramoz Ruçi nuk ishte sikur thotë në intervistë Edi Rama Ministër i Brendshëm i tranzicionit, ai ishte de facto i fundit i diktaturës që u emërua më 22 shkurt 1991, menjëherë pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, kur pluralizmi sapo ishte shpallur më 8 dhjetor 1990, pra ai ishte përfaqësuesi i krahut më konservator të partisë së punës, të atij krahu që bënte thirrje për gjak dhe hakmarrje dhe që kishte vendosur të mbante me çdo kusht pushtetin sikur u vërtetua edhe nga rezultati i zgjedhjeve të 31 Marsit 1991 dhe vrasjes së 4 djemve të Shkodrës martire dhe plagosjes të qindra protestuesve të tjerë shkodranë.
Si konkluzion Gramoz Ruçi u katapultua nga Edi Rama në krye të shtyllës së pushtetit legjislativ, por nuk gëzonte asnjë meritë dhe asnjë respekt nga shqiptarët, veç të krahut ekstremist që partisë së punës, për të cilin nuk do të kishte nevojë Shqipëria asnjëherë, nëse do të flasim për një pluralizëm demokratik. Ata ia shkëmbyen njëri-tjetrit katapultimet.
Shkaku që e solla këtë dokument, që gjithësesi do t’i vijë dita të hetohet sikur e meriton është sepse dje në ditën e 2 prillit, kur kujtoheshin katër djemtë dëshmorë të Shkodër Loces me në krye Arben Brocin, që e dhanë jetën e tyre të re për votën e lirë dhe zgjedhje të lira, të cilat u manipuluan më 31 mars 1991 nga partia e punës që posa e kishte ndryshuar emrin në PS, vura re se edhe në fjalimin e Doktor Berishës, edhe të deputetit të respektuar të Vlorës Bujar Leskaj, ata nënvizonin me të drejtë se masakra ishte vepër e regjimit të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, por kishin harruar ta përmendnin Ministrin e fundit të Brendshëm të diktaturës Gramoz Ruçi,që qendroi në majat e “pushtetit demokratik” deri sa mbushi 70 vjeç, pra duke e tejkaluar moshën e pensionit.

https://www.balkanweb.com/dokumenti-masakra-e-2-prillit-91-zbulohet-urdhri-i-gramoz-rucit-qitesit/#gsc.tab=0
Berisha: Nderimi më i mirë për martirët e 2 Prillit është të përmbushim misionin e rikthimit të votës së lirë! Kryengritja paqësore kërkon durim, qëndresë dhe vazhdimësi