Ose si Berati mbytet në Vjosë!
Për të evituar fantazinë që mund të ngjallë titulli, ku fjala dhe figuracioni shqip lodron me metaforat e polisemitë e bollshme, e sqaroj se “Berat Buzhala tek Çim Peka ia ha fjalët Berat Buzhalës”.
Pa e zgjatur, me datën 16-17 shkurt Buzhala boton kolumnën e tij tek Nacional me titull: “Në kërkim të mandatit të dytë, Vjosa Osmani kërkon ndihmën e Edi Ramës e Hashim Thaçit, s’duhet me ia dhanë”.
Natyrisht, gjithë opinionit shqiptar i kishte rënë në sy afrimi i Vjosës me Edi Ramën dhe pjesëmarrja i saj në protestën për Thaçin, e fotografuar midis Ali Ahmetit e Taulant Ballës.
Që, në mungesë të komunikimit nga zyra e shtypit e presidentes, kjo pjesëmarrje u pa në vazhdën edhe të Rezolutës në Parlament firmosur nga VV dhe jo nga LDK, pas zgjedhjeve të 25 dhjetorit 2025, si një koherencë e bashkëpunimit qeveri-opozitë, edhe në kontekstin e zgjedhjes së presidentit, si institucion. Jo si emër. Ndërsa Buzhala na e sqaron, që më 16 shkurt, tek Nacional se Vjosa Osmani përmes afrimit me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin po kërkon vota nga PDK! Për Vjosën!
Për sqarime të mëtutjeshme, po sjell ad literam se çfarë shkruan Berat Buzhala për Vjosa Osmanin, ato fragmente që po i shkëpus nga opinioni i tij po i sjell fjalë për fjalë:
…Vjosa për mandatin e dytë «po e kërkon ndihmën e Edi Ramës, duke e ditë influencën që Edi mundet me e pasë te PDK, për shkak të afërsisë me Thaçin. ..»
Për Buzhalën Vjosa është «Politikane e cekët, por dinake. Hakmarrëse kur ka shumë fuqi, e gatshme për marrëveshje kur e humb atë. A e mbani në mend Vjosen e vitit 2020, kur e shajke Grenellin e marrëveshjen e Dulles në Shpi të Bardhë? Folke kishe për do parime demokratike, e për do vlera liberale.»
Më tutje Berati shkruan: «…Vjosa Osmani nuk përfaqëson asgjë në politikën e Kosovës. Ajo është thjeshtë një ballon artificial, që ka arrite me zgjuarsi dhe dinakëri ta mashtroj Fatmir Sejdiun, Isa Mustafen, Albin Kurtin, e tash i ka mbete veç edhe Edi Rama.»
Presidenten e Republikës së Kosovës, Berati e përshkruan kështu: «Te rasti i Vjoses unë jam me Albinin. Nuk muj me pasë as simpati as empati për një politikane me karakter si te Vjoses që sot e pashë te libri i Ahmet Shales, ulur afër me bashkëshorten e Hashim Thaçit. Mas pesë vjeteve që folet zi e terr a? Tash, liria ka emër? Nuk ka liria emër në këtë rast, ka pafytyrësia emër.»
Dhe Berati në fund del me konkluzionin linçues për Vjosa Osmanin se «Kësaj specie politike nuk duhet me ia gjujtë konopin nëse e sheh tuj u fundosë. Lere le të zhduket. Nëse bash don me i gjujtë diçka, gjuja ni guri të ranë.»
Këto janë disa nga thekset e shkrimit të Berat Buzhalës, për t’i vërtetuar këto nënvizime po e sjell linkun nga Nacional, po ashtu kam bërë edhe screenshots nëse Berati e heq prej faqes online.
Tash të dalim tek intervista që Berati dha si i ftuar i Çimit, pas asaj me Vjosa Osmanin, që Peka ta kishte Buzhalën si mbështetje.
Tek Çim Peka ndodhi çudia. Se Berati e kundërshtoi 100% Buzhalën e opinionit të shkruar me dorën e tij tek Nacional.
Dhe kjo përbën skandal në gazetari. Që gazetari dhe botuesi t’i hajë fjalët e veta brenda dy javësh!
Sepse këtu besueshmëria e gazetarit apo e medias ka marrë fund.
Kësaj here shohim një Berat 100 % ndryshe nga Berati që nuk lejonte as me i zgjatë Vjosës konopin nëse ishte rrezik mbytje, por në vend të tij t’i hidhte një gur që ta mbyste përfundimisht. Kësaj here ai del si avokati i Vjosa Osmanit në mbrojtje të fushatave me demek linçuese të Albin Kurtit kundër saj, që, në fund të fundit, po sipas vetë pohimit të Berat Buzhalës, «nuk po bëjnë gjë tjetër veç po përsërisin ato që ka shkruar shtypi opozitar për dy vilat, bashkëshortin, prindërit e tjerë»
Në intervistën tek Çimi, Berat Buzhala e krahason Albin Kurtin me akrepin e zi dhe Vjosën me bretkosën, duke kujtuar fabulën e Ezopit, Akrepi dhe Bretkosa, ku akrepi edhe kur bretkosa i del në ndihmë të kalojë lumin se akrepi nuk di not, ai, për arsye se është akrep, e pickon bretkosën dhe mbyten bashkë të dy!
Tash mendoni sa i zgjuar që është Berat Buzhala! Mendoni se çfarë respekti ka për ata që e shikojnë dhe e lexojnë. Me dhënë dy opinione kundërshtuese me njëri tjetrin, duke e rrejtur e manipuluar opinionin publik pa iu skuqur faqja!
Berati kësaj here del me konkluzionin 180 gradë ndryshe nga i pari dhe pohon se ai «është me Vjosa Osmanin, se, sipas tij, Vjosa ka rregulluar marrëdhëniet me SHBA».
Nuk kishte se si Berati të mos përdorte kartën Amerikane për Vjosën, të cilën tre javë më parë, në vend të konopit kur rrezikonte të mbytej, do t’i hidhte një gur që të fundosej përfundimisht.
Me këtë rast në parantezë po kujtoj intervistën e Vjosa Osmanit tek Çim Peka, dhe po përsëris fjalët e vetë Vjosa Osmanit, se «gjatë mandatit të Presidentit Biden, ajo administratë kërkonte konçesione, ndërsa në mandatin e dytë të Presidentit Trump, kemi një administratë që, nuk kërkon konçesione e që të kujton nga përkrahja atë të Presidentit George W. Bush që njohu pavarësinë e Kosovës».
Kjo është e vërteta.
Pra, ishte ndryshimi i strategjisë së SHBA në Ballkan, një ndryshim shumë i domosdoshëm, që ndaj Kosovës të kemi një qasje të re, në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit aftagjatë. Gjatë mandatit të Biden, Vjosa Osmani nuk pati mundësi t’i heqë konçesionet.
***
Duke iu paraqitur dy qendrimet e Berat Buzhalës, që kundërshtojnë njëri-tjetrin, shohim qartë se si gazetarët shqiptarë, ata që kanë pushtuar televizionet janë në shërbim jo të së vërtetës apo në mbrojtje të interesave kombëtare apo interesit publik, por si mikrofonë të politikave të mbrapshta antikombëtare.
Ndryshe si mund ta shpjegoj faktin që më 16 shkurt Berat Buzhala mbështet Albin Kurtin dhe e paraqet Vjosën si një specie që meriton të zhduket dhe dy javë më vonë nga studio e Cim Peka live e portretizon Albin Kurtin si akrep dhe është pro Osmanit.
Vetëm një njeri i çekuilibruar emocionalisht mund të ketë oshilacione të tilla.
Tek shkrimi i Nacional ai thotë e mbështes Albinin dhe e linçon e hedh gurë e dru për Vjosën, ndërsa përpara kamerave e quan Albini akrep dhe mbështet Vjosën dhe thotë se linçues qenka qeveria.
Ky model që na ofron Berat Buzhala me shokë kur ia ha fjalën vetë Berat Buzhalës tregon katandisjen e gazetarisë shqiptare dhe duhet të shërbejë si kambana alarmi.
Është pikërisht kjo lloj gazetarie si akrepi i Ezopit, që unë e asocioi me gazetarinë e shitur e të varur tek politikanët dhe politikat e korruptuara antikombëtare dhe anti integrimeve euro-atlantike.
Binomi Çim Peka-Berat Buzhala
Kemi të drejtë të pyesim përse ndryshoi qendrim me 180 gradë Berat Buzhala në favor të Vjosës, ndërsa Çim Peka i bëri Osmani një intervistë fund e krye të ujdisur dhe aspak profesionale?
Përgjigjia është se të dy Peka-Buzhala i janë bindur verbërisht urdhërit politik pa pyetur fare se përpara opinionit publik ata dalin si palaço.
Edhe një konstatim tjetër. Të dy kanë të njëjtin çekan mbi kokë, që rrinë sus, edhe kur ky çekan i diskretion dhe ua merr fytyrën, të paktën në rastin e Vjosa Osmanit.
Tani arsyetoni vetë.