Pas vdekjes së Kristo Frashërit, gazetarja Rudina Xhunga i dedikoi një shkrim ikjes së historianit. Në shkrimin me titull “Umberto Eco dhe Kristo Frashëri ynë”, Xhunga përshkruan tronditjen që pësoi kur mori vesh lajmin e hidhur. Ndërsa tregon për shtëpinë e profesorit ajo flet për “jastëkë të vjetër”, “tavolinë me mushama të grisur” dhe një “dhomë që mbante era gjellë”.
“Kur shkova te ajo derë ku shkruante Kristo Frashëri, me germa të dala kohe dhe boje, trokita dhe plasa në vaj. Doja të hyja edhe njëherë në atë dhomë gjithë libra dhe fotografi, të ulesha te ajo karrige që lëvizte, me jastëkë të vjetër, të vija bërrylat mbi tavolinën me mushama të grisur, mbushur plot dosje historie dhe ilaçe, që profesori nuk i ndante.
Doja të hyja edhe njëherë në atë dhomë me erë gjelle dhe zhurmë aparati oksigjeni, të shikoja profesorin e kthyer me kurriz, që thoshte dy herë, kush je, kush je?”
Por me dhimbjen e saj të papërmbajtshme në derën e shtëpisë së Kristo Frashërit, gazetarja duket se ka shqetësuar fëmijët dhe të afërmit e të ndjerit. Ja si e përshkruan të njëjtin moment vajza e Kristo Frashërit, Prof. Dr Zana Frashëri – Lito.
“Në shkrimin e zonës Xhunga thuhet se me të dëgjuar njoftimin zyrtar të vdekjes së babait, ajo nxitoi menjëherë të shkonte në shtëpinë e profesorit dhe duke trokitur disa herë kërkonte të hynte brenda. Madje siç shkruan ajo, “plasa në vaj jashtë dere” , në pamundësi për të hyrë brenda.
Dua t’i them zonjës në fjalë: a nuk e di një zonjë e nderuar, se kur ndodh një vdekje në një shtëpi, familja ka nevojë për kohë private për të përballuar dhimbjen e humbjes dhe situatën komplekse? Si mund të pretendojë zonja që familja e xhenazes ta lejojë të hyjë brenda në një moment të tillë një gazetare? A nuk është kjo një shenjë mosrespekti? Megjithatë ajo insistoi me këmbëngulje të hynte brenda në shtëpi, madje duke bërë edhe komente dhe piskama jo të hijshme, në një kohë kur lajmërimi zyrtar për homazhe dhe pritje familjare është shpallur publikisht.
Ku është respekti dhe edukata qytetare? Ku është mbështetja morale ndaj dhimbjes humane? Ku është tradita e lashtë shqiptare e respektimit të të ndjerit dhe ndjenjave të familjarëve? A mos vallë mendojmë se të qenit gazetar na jep vizën të ndërhyjmë në momentet më private mortore të familjeve? Me keqardhje them, se ajo nuk e tregoi as konsideratën dhe as respektin ndaj profesorit, mikut të saj, të shfaqej në Altarin e Shkencës Shqiptare, Akademinë e Shkencave , e cila ishte dhe shtëpia e dytë e profesorit, atje ku deshi atdheu i tij dhe shqiptarët tejembanë ta nderonin.
Ajo nuk u shfaq as në ceremoninë funerale, madje as në ditët e pritjes së vizitave që fëmijët e tij kishin organizuar. Me sa duket, ajo donte të hynte me çdo kusht brenda shtëpisë së tij dhe nuk i interesonte fare protokolli i nderimeve dhe i vizitave ngushëlluese ndaj profesorit. Më duhet të shtroj një pyetje retorike këtu, që të kuptoj edhe unë ç’po ndodh: mos vallë kemi ndryshuar definicionin e termit “respekt ndaj të vdekurit dhe familjes”?
Replika mes vajzës së profesor Kristo Frashërit dhe Rudina Xhungës nuk mbyllet këtu. Në shkrim, gazetarja sulmon Drejtorin e Institutit të Historisë, Beqir Meta kur tregon një bisedë me profesorin, i cili sipas saj, i ishte ankuar se nuk i jepnin material nga ky institucion. Xhunga rrëfen se Kristo Frashëri i ishte ankuar në këtë mënyë:
“Sa do të doja, të hyja në atë derë dhe ta pyesja, si atë ditë, kur u nxeh me mua: Profesor, si ia bën për të lexuar materialet?
Si ia bëj për t’i gjetur thuaj, nuk më japin, nuk më japin, duhet të paguaj çdo fotokopje. E di sa më shkon t’i fotokopjoj të gjitha? Ku t’i gjej lekët? Nuk më lënë të marr materiale në Institut. Kush nuk të lë, -i thashë. Drejtori, Beqir Meta, kush, tjetër. Pse Beqiri, është akoma drejtor, e pyeta, e habitur, që kishin ndryshuar pushtetet, por jo pushteti i Beqirit, që kur ishte Berisha, thoshte u çliruam në 28, sa vinte Rama, e ndërronte në 29. Ku jeton, ti moj vajzë, – u nxeh Kristo, kur i thashë, jo s’ka mundësi, të jetë ende drejtor i Institutit të Historisë, i njëjti Beqir”.
Këtë rrefim, vajza e Kristo Frashërit e quan një keqpërdorim të emrit të babait të saj. Prof. Dr Zana Frashëri-Lito thotë se nuk është e hijshme që emri i babait të saj të përdoret për interesat politike.
“Ju lutem zonjë, mos luani me emrin e babait tonë. Nuk ju takon aspak të vini emra njerëzish apo personalitetesh në gojën e babait tonë kur ai nuk mund t’ju përgjigjet. Po ashtu nuk mund të bëni krahasimet tuaja duke shfrytëzuar emrin e Prof. Frashërit. Nuk është e hijshme të përdorni emrin e tij për çfarëdolloj interesash që ju mund të keni, qoftë gazetareske, profesionale apo politike. Për më tepër nëse pretendoni se jeni një nga miqtë e tij.
Po ashtu, do t’ju lutem të mos merrni përsipër të thoni, se çfarë do të kishte dashur dhe si do të kishte dashur të përcillej Prof. Frashëri, madje hamendësimet tuaja, nëse ai donte apo jo të përcillej nga politika e lartë. Thjesht ky është një angazhim që nuk ju takon juve aspak . Gazetaria, zonjë e nderuar nuk ju jep liri të pakufishme të lozni me gjërat e shenjta të një familjeje! Flisni apo shkruani çfarë të doni për pikëpamjet, mendimet tuaja, ju siguroj se nuk kam asnjë interes personal ti lexoj, por nuk ju lejoj në asnjë mënyrë të vini fjalët tuaja në gojën e babait tonë të nderuar”
Komentet