Kreu i PD-së, Sali Berisha, duke bashkëbiseduar me qytetarët dhe mbështetësit demokratë nga Sukthi i Durrësit, në Foltoren e radhës, akuzoi kryeministri Edi Rama si tradhtarin më të madh të Shqipërisë, që bashkëpunon me Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç në dëm të Kosovës.
Ai u shpreh se Rama “i futi thikën pas shpine” edhe ish-liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndërsa e bëri përgjegjës për mosliberalizimin e vizave për Kosovën, si pasojë e ndërhyrjes së kryeministrit deri tek presidenti francez Macron gjatë vizitës në Tiranë.
“Ky i futi thikën ish-liderëve të UÇK-së, u futi thikën pas shpine. Dhe çfarë thotë tani, që të kenë turp ata që paguajnë atë gjykatë. Ai nuk është asnjë gjë tjetër veçse një horr. Ajo gjykatë u ngrit nga Kosova, as nga Franca, as nga Anglia dhe as nga Gjermania. Ky thotë “t’ju vij turp”, vetëm këtë s’mund ta thotë. Prokurorë idiotë thotë, jo mo jo, nuk janë idiotë, ata janë prokurorë, janë antishqiptarë, janë proserbë. Por ata nuk e thonë dot se e morën nga prokurori serb aktakuzën, se prishen me Vuçiçin. Por s’ka pas kombi tradhtar më të madh se ky (Rama)”, u shpreh Berisha, teksa i përgjigjej pyetjeve të qytetarëve.
Berisha e akuzoi Ramën edhe për sulmet që i bëri kryeministrit kosovar Albin Kurti apo ndërhyrjeve në punët e brendshme të shtetit të ri shqiptar. Ai tha mes të tjerash se vetëm Rama e ka hedhur në gjyq Kurtin, pasi asnjë shtet tjetër i rajonit nuk e bëri.
Sipas kreut të selisë blu, Rama ka lobuar që Kosovës mos t’i liberalizoheshin vizat.
“Vjen presidenti francez në Shqipëri, Emanuel Macron, për herë të parë, vizitë historike, shumë gjë pozitive. Çfarë tha? Ato që i tha Edi Rama: Nuk do liberalizohen vizat për Kosovën! Po, se ia tha Rama që thuaj kështu…”, u shpreh kryedemokrati.
Më tej Berisha denoncoi kreun e mazhorancës edhe për shpopullimin e Shqipërisë, fillimisht nëpërmjet arrestimeve për mospagesën e dritave dhe tani duke u vrarë shpresën dhe detyruar të largohen nga vendi.
“A nuk doli ky studio më studio me hekura “burg, burg, burg”… Pse? Për dritat, 22 mijë shqiptarë arrestoi për dritat. Armik më i madh, po ikin shqiptarët. Pse? Nuk ka investime, nuk ka rrugë, ja këtu te ju, nuk ka rrugë. Dhe sigurisht ikin shqiptarët”, tha Berisha. gsh