Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pret mbështetjen e të gjithë deputetëve dhe partive për një mandat të dytë në krye të shtetit, shkruan Reporteri.net.
Osmani deklaroi se kjo çështje mbetet në vullnet të deputetëve, teksa shtoi se edhe nëse nuk merr mbështetje do të gjej rrugë dhe mundësi që të kontribojë për shtetin.
Rezultati tha se do të dihet shumë shpejt, marrë parasysh që tashmë ka nisur rrjedhja e afatit për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia dojnë të mirën Kosovës, pa dallim”, ka deklaruar Osmani.
E para e vendit tha se ka raport korrekt me shumicën dërmuese të deputetëve, pa dallim partish.
“Unë i njoh shumicën prej tyre, ata më njohin mua. E kanë parë punën time, tani do t’u takojë atyre që ta vlerësojnë këtë. Në qoftë se deputetët vlerësojnë, njësoj si e kemi vlerësuar ne dhe siç e vlerëson populli i Republikës së Kosovës se është në të mirë të Kosovës sonë që të vazhdohet edhe me një mandat, mirë. Në qoftë se ata vlerësojnë ndryshe, atëherë ne do të gjejmë mundësi dhe rrugë të tjera që të kontribuojmë për shtetin tonë dhe t’i shërbejmë shtetit tonë…Unë jam e bindur që Kosova dhe populli i Kosovës do të na jap mundësi që t’i shërbejmë në një mënyrë që do ta përcaktojë vetë qytetari i Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.
Ajo është pyetur edhe për raportin me Kryeministrin Albin Kurti.
“Ne kemi raport të mirë, raport institucional, bashkëpunojmë për çështje që janë në interes të Kosovës dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, ka thënë Osmani për Kanal 10.
Kurti është deklaruar i gatshëm të nis negociatat për presidentin.
Është ende e paqartë nëse emri i saj do të propozohet nga Vetëvendosja, partia më e madhe në vend.
Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë.
Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61./Reporteri.net