E pashë dialogun e liderit të opozitës me mediat sot. Titulli nga gazetarët është fokusuar tek deklarimi i Berishës për protestën e rradhës të 20 shkurtit si “”kryengryengritja më paqsore” nga përmbysja e Enver Hoxhës në 1991.”
“Kryengritje paqsore” si tog fjalësh në stilistikë është një oksimoron, që për lexuesin e gjërë është baraz si me thënë se “bakllavaja është e hidhur”.
Pasi kryengritja shtrihet në kohë dhe përfshirje, ndërsa sa kemi parë deri më tani protestat e organizuar nga PD dallohen nga ngutja, sipas një formule tash rutinë me ca fjalime, me një kryefjalim, me një shkundje flamuri, ca fishekzjarre, ca molotov dhe reagimi agresiv aspak proporcional policor me gaz lotsjellës pa kursim, me autobote që e hedhin ujin pa kursim tek protestuesit, gazetarët e operatorët dhe dhuna e policisë imponon fundin e protestës e cila e ka epilogun tek selia e PD me ca deklarata të shplara të deputetëve të lodhëshme nga përdorimi i të njëjtave fjalë për veshin e qytetarëve, me të njëjtin zhargon, me të njëjtat fytyra, me të njëjtin skenar deri tek protesta tjetër, që edhe po të mos e ndjekësh një ditë, do të jetë pak a shumë e njëjta gjë si protesta pararendëse.
Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se shtypi perëndimor nuk u ka dhënë rëndësi protestave, përkundrazi, një-dy orë protestë ka marrë shumë vemendje. Por koha de facto e protestës është mikroskopike po ta krahasosh me “qëllimin” e opozitës! Me 10 orë protesta në muaj të opozitës regjimi i Edi Ramës nuk e rrëzohet dot. As fotot e shplara të deputetëve të PD nëpër aktivitete në metropolet politike në Perëndim nuk e rrëzojnë dot Edi Ramën, megjithë megaskandalet e tij, prej të cilave ai do të duhej të ishte larguar disa herë nga pushteti. Në vend të dorëheqjes ai e forcon pushtetin e tij me ligje që kalojnë në Parlament sa hap e mbyll sytë me fuqinë e votës së maxhorancës.
Prandaj them se protestat e ngutura dy-tre orëshe duken si tallje, thënë ndryshe duket sikur opozita ka objektiv të bëjë protestë sa me shpla gojën, por pa arritur qëllim! Kemi rastin më të fundit kur ekspertët e fushës së drejtësisë i bien këmbanave të alarmit se maxhoranca do të votojë Kodin e Procesurës Penale anti BE që cënon deri liritë themelore të individit dhe garanton pandëshkueshmërinë e pushtetit. Po opozita nuk ndihet fare! Vota e saj kundër nuk ka asnjë vlerë! Por protesta e vërtetë ka vlerë!
Uroj që të gabohem, por mendoj se edhe kryengritja paqsore e 20 shkurtit do të jetë si protestat e rradhës.
U lutem organizatorëve të skenarit të “kryengritjes”, mos lejoni të hidhen fishekzjarrë, as molotovë se përgjigjia protestëshuese me gaz lotësjellës dihet e kështu “kryengritja” do të marrë marrë fund sa hap e mbyll sytë. Reaksioni policor i egër kundër fishekzjarrëve dhe molotovëve e hesht protestën dhe heshtja e protestës ose vakumi kohor pa protesta nuk është në interesin kombëtar.
Sa më e shkurtër protesta aq më tepër kjo shkon në interesin e Edi Ramës.
Pra mjetet e deri tashme, koha e deri tashme e protestave të PD, nuk e përmbushin as si nocion protestën. Shqip. Këto protesta nuk janë protesta. As fishekzjarret e molotovët nuk janë tregues i protestës. Janë argument që policia e Ramës t’i mbysi protestuesit me gaz lotsjellës. Prandaj jam kundër molotovëve që i pushon protestat. Jam kundër çdo lloj dhune. Sepse mjerisht dhunën e pëson populli opozitar.
Populli nuk do dhunë, populli do opozitarizëm real me sakrifica reale nga deputetët e PD, që populli t’i besojë.
Berisha ka muaj që flet për greva urie, tashmë imagjinare, ndërsa Pjetër Arbnori pavarësisht vuajtjeve në burgjet e diktaturës e moshës, kundër censurës dhe për hir të lirisë së fjalës së mohuar të opozitës prej vitit mizor 1997, hyri në grevë urie, rrezikoi jetën, e sensibilizoi botën mbarë dhe arriti rezultat, duke u ndyshuar ligji me “Amendamentin Arbnori”.
Edhe rrëzimi i diktaturës nisi me grevën e urisë së studentëve.
Natyrisht nuk them që Berisha të hyjë në grevë urie.
Por opozita aktuale me deputetë dandy prodhon veç letargji, që e zhgënjejnë popullin, e mbajnë në apati ose e largojnë nga Atdheu.
Krejt ndryshe nga Adriatik Lapaj që ka 65 ditë që proteston me refrenin “Edi Rama hajdut”, opozita e PD nuk e prish rehatinë, as gjumin. Është aleati i fjetur i Edi Ramës dhe regjimit të tij që për çdo ditë po instalon diktaturën mafioze, duke e kthyer opozitën politike në marionetë në duart e tij kundër Shqipërisë dhe Shqiptarëve!
Edi Ramën në pushtet po e mban kjo opozitë letargjike, që nuk është e aftë të zgjojë popullin, as ta frymëzojë atë.