Dritare
Gjithmonë të çon diku,
të hap sytë,
Është përfytyrimi i një të verbëri
për të parë,
Është dëshira e djegur
për pak qiell
dhe kaltërsi.
Nga vjen drita,
vizioni,
horizonti.
Mendja që çelet
si sythi në pranverë.
Edhe kur s’kemi dritare,
duhet ta krijojmë një sado të vogël.
Mund të jetë rrezja e dritës
që hyn nga një vrimë diku.
Hija e dritës
që nuk hyn drejtpërdrejt.
Dri-ta-re,
Dritë dielli, dritë qielli.
E ke gjithë botën jashtë
duke qenë brenda.
Je me krahë për të fluturuar
si një lejlek i bardhë.
Je mbledhja e të gjitha rruazave të dritës
në sy.
Lule mimoza
Kur të gjitha pemët e tjera çelin
Ti rri aty e pavënë re.
Ashtu kalon pranvera, vera dhe vjeshta
Por në kulmin e dimrit përsëri shpërthen.
Pemët e tjera imitojnë të verdhën tënde
Por janë të vonuara në kohë.
Gjethet i ke të vogla, të brishta
Por ashtu stoike qëndron.
Je e vetmja pemë që të thërrasin lule
Sepse asnjëherë vendin e parë nuk e humbe.
Iluzionet
Shikon një luspë peshku apo det të praruar
Dhe kujton se do ta zësh atë peshk
apo do të të vijë në rrjetë.
Iluzionet janë si bimë të pambjella
që i shohim në ëndërr se po rriten.
Prandaj mbaj një trastë edhe për to,
Përkundi lehtë në ëndrra,
por mos iu beso se ta ka ënda.
Zhgënjimi
Pas kthjellimit të shikimit,
pasi fillon e të del opiumi,
apo quaje edhe eliksir,
pasi qetësohen neuronet e trurit
që vërviteshin pa drejtim,
pasi e kupton se dashurisë po i vjen fundi,
atëhere vjen lëngu i zhgënjimit.
Duhet ta pish ngadalë-ngadalë
sepse është i yti,
si uji i ngrohtë i pagures së ushtarit
që nuk ka ku gjen tjetër.
Kujtesa sjell vazhdimisht momente
si uji i lumit pas shirave.
Tani i sheh më në largësi.
Fillon të kuptosh se ke ecur jerm
e duhet të zgjohesh
Vazhdo pije lëngun e zhgënjimit,
se vetëm ai mbetet nga dashuria.
Është një lëng i hidhur, pelin,
që duhet ta pish pikë-pikë.
Vjen për disa vite si një burim
që nuk di të soset.
Vetëm kur të thahet,
do ta shikosh i përhumbur
si kuptimin e jetës që nuk ekziston.
Mos u shih në vetëm një pasqyrë
Gjithë pasqyrat të japin ndryshe nga njëra-tjetra,
Por ti shihesh aty ku të nxjerrin më bukur.
Mos u bëj rob i pasqyrave
Por luaje lojën shkujdesshëm si një flutur.
Shiko përtej pasqyrës aty ku askush nuk arrin
Aty ku e bukura nuk shihet por vetëtin.
Nese akoma nuk e ke, krijoje atë tek vetja,
Do të shkëlqesh si xhevahir që nuk e tundon vetëm prekja.
Ji si një vegim që qëndron gjatë pa e parë,
Dhe kur shfaqet është prapë i freskët, si lulja në behar.
Vjen një kohë
Vjen një kohë
Që njeriu humb edhe cilësitë më të mira.
p.sh. kur ecte në cirk mbi tel pa u ndjerë,
Ndërsa tani gërthet sa të nxjerr sy e veshë.
Apo kur kujdesej të mos shtypte edhe një mizë,
Ndërsa tani e fshikullon tjetrin pa mëshirë.
Njeriu rreket gjithnjë të distancohet nga kafsha,
Mirëpo instiktet e tërheqin nga kohët e lashta.
Dimri i dytë pa nënën
Dimra të tjerë do të vijnë,
s’do t’i numëroj më,
E di se radhën mua ke lënë.
Shpresoj kur të piqen kokrrat, të bien përtokë
Të mbijë ndonjë, të shpëtojë pa u zhbërë.
Pemët
Pemët që ka mbjellë ai në oborr,
Ende jetojnë.
Ai jo.
Iku në një stinë pandemie
Pa i mbushur pesëdhjetë vjet.
I pat mbjellë këto pemë vitet e fundit
Tani e shoh se kanë hedhur shtat.
Pemët rriten edhe pa të zotin.
Liri e kufizuar
Do të lëvizësh lirisht
Në rrethin që të kam caktuar unë,
Po provove të dalësh, ta dish
Do të hidhesh në zjarr, pa zhurmë.
Je i lirë të bësh ç’të duash aty,
Gëzoje lirinë që të dhashë,
S’e kam pasur të lehtë edhe aq,
Mos thuaj se s’të thashë.
Ndjehu i lirë, pavarësisht
se je i rrethuar me mure,
nëse i bie murit me kokë,
Ta dish se edhe këtë liri e humbe.