“Lëvizja e Ervin Salianjit nuk i bën aspak dëm Partisë Demokratike dhe madje duhet të kishte pasur të tjera lëvizje më herët dhe të ishte folur hapur për situatën e opozitës”.
Kështu u shpreh ish-deputeti demokrat, Myslym Murrizi sot në studion e “News24”, i pyetur për një sërë tematikash nga aktualiteti politik. Për Murrizin, protestat janë revoltë qytetare ndaj qeverisë dhe nuk kanë nevojë për podiume partish.
Në lidhje me lëvizjen e Ervin Salianjit brenda selisë blu, Myslym Murrizi e vlerësoi pozitivisht, ndërsa nënvizoi se Statuti i PD-së nuk njeh as përjashtime dhe as vija të kuqe, duke iu referuar deklaratave të kryetarit Sali Berisha për Salianjin, se “ishte vetëpërjashtuar” pasi “kaloi vijën e kuqe”.
“Nuk besoj shumë tek artikulimet aktuale, duke parë ato të kaluara, se nuk e dimë se si ndryshojnë, duke iu referuar atyre të kaluara. Në Kuvendin Kombëtar të 2021 është vendosur se nuk ka përjashtim me Statut. Statuti i PD nuk parashikon përjashtime. Nuk ka vija të kuqe dhe të verdha”, u shpreh ai.
Madje teksa ishte pro lëvizjes se Salianjit për reformim të Partisë Demokratike, tezë që i ka qëndruar edhe vetë vitet e fundit, pasi në PD shikon shumë figura që nuk e meritojnë të jenë aty, madje të zgjedhur edhe me lista të sigurta, pra jo të votuar nga populli.
“Mendoj se përveç lëvizjes ë Salianjit duhet të kishte pasur edhe të tjerat. Duhet të kishte folur edhe më 2023, në Këshillin Kombëtar dhe Kryesia, bashkë me Alimehmetin dhe të tjerët. Ky grup nuk e bënë atëherë dhe kur nuk u futën në listën e mbyllur, iu bashkuan Salianjit. Pra ata duhet të kishin folur hapur që në Këshillin Kombëtar”, u shpreh Murrizi për një pjesë te personazheve politike që i janë bashkuar lëvizjes.
Murrizi nënvizoi se nuk mund ta parashikonte se çfarë do ndodhte vite më parë nëse do kishte nisur kjo lëvizje, por theksoi se nuk i bën asnjë dëm partisë.
“Ana tjetër, Ervin Salianji para arrestimit ishte drejtues politik në Elbasan, nuk e di se çfarë do kishte ndodhur nëse s’do arrestohej. Gjithsesi nuk shoh se Salianji po i bën dëm partisë. Ajo parti nuk do askënd jashtë radhe, aty ka xhepistë që janë bërë llapistë, deri edhe spiunë të sigurimit”, tha ish-ligjvënësi opozitar.
Në lidhje me Bordin e Paqes dhe ftesën e presidentit Trump për Shqipërinë dhe kryeministrin Rama, Murrizi mbajti qëndrim kritik ndaj opozitës, duke u shprehur se u rreshtua me pushtetin duke e votuar. Kurse për protestat e PD ai tha se asnjë qeveri nuk vjen në pushtet në këtë mënyrë dhe se revoltat qytetare s’kanë nevojë për podiume.
“Asnjë qeveri teknike nuk ka ardhur me protesta. Dalin dhe thonë e ka fjalën Hyseni, e ka fjalën Hasani. Protesta është një shprehje revolte dhe nuk ka nevojë për podiume dhe as për zyra. Të jesh në opozitë është jo vetëm mision i vështirë, por edhe fisnik. Duhet të ketë njerëz me moral, që s’e duan vërtetë opozitën. Dhe pastaj bën këtë ritualin nga kryeministria te Kuvendi dhe i bëjnë natën, s’e di pse. Rama i mblodhi edhe opozitarët dhe ata votuan Bordin e Paqes së Trump”, tha ai. Panorama