Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar pjesëmarrjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim.
Sipas Lalës, kryeministri Rama tentoi ta paraqiste praninë e diplomates amerikane si një shenjë mbështetjeje politike për qeverinë dhe veçanërisht për Belinda Ballukun. Megjithatë, ajo theksoi se pjesëmarrja e VanHorn ishte e lidhur me detyrimet e saj institucionale dhe përfaqësimin e interesave të Shteteve të Bashkuara, e jo me mbështetje personale apo politike.
Gazetarja vuri në dukje se menjëherë pas përfundimit të aktivitetit, Nancy VanHorn nuk pati asnjë komunikim apo përshëndetje me zyrtarët qeveritarë, por u drejtua në Gjykatën Kushtetuese, ku zhvilloi një takim të veçantë dhe shprehu hapur mbështetjen e SHBA-ve për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sipas Lalës, kjo lëvizje përbënte një sinjal të qartë distancimi nga aktiviteti qeveritar dhe një mesazh të fortë në mbështetje të institucioneve të drejtësisë.
“Zonja VanHorn lau duart nga aktiviteti ku ishte e detyruar të ishte për shkak të interesave amerikane. Lëvizja e saj drejt Gjykatës Kushtetuese ishte një mesazh i qartë se SHBA mbështet drejtësinë dhe jo individë të caktuar,” u shpreh Lala.
Gazetarja shtoi gjithashtu se hetimet ndaj Belinda Ballukut, sipas saj, nuk kufizohen vetëm te projektet e infrastrukturës rrugore. Ajo deklaroi se ekzistojnë dyshime se Balluku mund të jetë e përfshirë edhe në çështje që prekin interesat e kompanive amerikane, përfshirë investime strategjike dhe projekte të mëdha infrastrukturore.
“Nuk kam ende prova konkrete, por ka dyshime serioze se janë cenuar interesa amerikane, çka mund të ketë ndikuar edhe në partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA-së,” tha Lala.