Ngurimi i deputetëve socialistë për të dorzuar imunitetin e Belinda Ballukut i ka nxjerrë në dritë të keqe të gjithë borizanët e rrezikut të supozuar për një “grusht shteti”. Tashmë është e qartë, se që kur Edi Rama urdhëroi që zëvendësja e tij të mbrohej, duke e ankimuar pezullimin e saj në kushtetuese, në mediat tona u sajua një fortunë në gotë, gjoja për rrëmbimin e kompetencave të kryeministrit, kontradiktat mes pushteteve të pavarura dhe shpërfilljen e mandateve të siguruara me votë popullore. Cilido që nuk s’kishte interesa okulte e kuptonte lehtësisht se këto ishin alibi qesharake.
Por pavarësisht kësaj, titujt e mediave online, lajmet kryesore, emisionet e mbrëmjes u përmbytën nga një debat që prezumohej të ishte monopol i një grupi të ngushtë konstitucionalistësh, për të fshehur një të vërtetë të thjeshtë: “hajdutët dhe kur kapen, nuk dorëzohen”.
Gjithçka u stis për të anashkaluar një pyetje të thjeshtë: a mund të qëndronte Belinda Balluku në detyrë, pas fakteve rrënqethëse të bëra publike në dëm të saj? Pra, a mund të ishte më ajo anëtare kabineti, qoftë edhe sikur kundër saj mos kishte filluar asnjë çështje penale?
Në vend të këtyre dilemave hapsirën e zaptoi rrëfimi i një pushteti, që pasi manipulon zgjedhjet, kur kapet duke vjedhur, përdor si mburojë absurdin se ju nuk mund të na nxirrni nga zyrat ku na ka futur populli me votë.
Në këto kushte, një qytetar i zakonshëm, një njeri i ftohtë, një shikues apo lexues pa emocione, mund ti bënte pyetjen vetes: ore, për gjëra kaq të thjeshta, si mund të helmohet publiku me tërë këtë tymnajë të prodhuar nga hiçi?
Paradoksalisht tek dosja e Belinda Ballukut, e cila u bë shkak për prodhimin e kësaj përralle, gjendet edhe përgjigjja. Në një fragment, aty ku ministrja angazhohet që ti çlirojë 700 mijë euro një biznesmeni për të cilin i bën presion botuesi Karlo Bolino, shpjegohet e gjithë strategjia e blerjes dhe manipulimit të mediave prej kësaj bande. Balluku i thotë drejtorit të rrugëve: “çunat e tjerë kanë paguar nga xhepi për mediat”, ndërsa ti më krijon probleme kur thjeshtë ke për të dhënë para publike.
Vetëm brenda kësaj fraze të thjeshtë ka disa të verteta. E para se mediat paguhen për të gënjyer.
E dyta, se ato nuk e marrin pjesën vetëm nga tenderat e fallcifikuar publikë, por edhe paratë e zeza të zyrtarëve të zhytur në korrupsion dhe trafiqe.
E treta, se një aleancë maskarenjsh, mes qeveritarësh, pronarësh dhe gazetarësh, ka ngritur ngritur në këmbë një makineri oruelliane manipulimi që zor se punon me kaq përpikmëri edhe në diktaturat më të egra. Eshtë pikërisht kjo fabrikë gënjeshtratsh, që u vu në punë, me reklamat e inceneratorëve fantazëm, për të bërë dokumentare se djegësat që nuk ekzistonin, i kishin bërë qytetet tona më të pastra. Eshtë pikërisht ajo që shërben si alibi për çdo tender dhe koncesion të dhënë pa garë. Po ajo u vu në punë edhe për të shpërndarë tymnajën e puçit të vjedhjes së kompetencave të kryeministrit, që synonte të fshihte thelbin e dosjes Balluku.
Falë përgjimeve që nxori SPAK ne kemi një dëshmi për të vërtetuar atë që dinim prej kohësh, për të lexuar e dëgjuar provat reale të funksionimit të kësaj makinerie.
Por, megjithëse për faktimin e këtij episodi duhet falenderuar Prokuroria e Posaçme, ata që nxitojnë të bërtasin për heroizimin e saj, janë ende shumë larg të vërtetës. Për këtë ia vlen të sillet vetëm një shembull. Në Rumani, aty ku reforma perendimore në drejtësi krijoi një model suksesi lufta kundër korrupsionit u shtri edhe tek pronarët e TV-ve. Atje përfunduan njëri pas tjetrit në qeli Voiculesku i Antena 1, Vantu i Ralitatea TV, Ghita i Romania TV, për të përmendur vetëm më kryesorët. Aty purifikimi nuk e anashkaloi një nga shtyllat më të korruptuara të sistemit, atë mediatike.
Tani, nga dosjet që SPAK ka në dispozicion, del qartë se mbijetesa e këtij regjimi hajdutësh mbahet në këmbë, jo vetëm prej krimit të organizuar dhe vjedhjes së zgjedhjeve, por edhe falë borive propagandistike mediatike. Dhe kjo nuk është një oikë që mund të anashkalohet. Duke lënë në hije këto fakte të konstatuara në dosje dhe duke u fokusuar vetëm tek ndëshkimi i ingranazheve të pjesës politike të makinerisë, SPAK do e ketë të pamundur të arrijë qëllimin final për të cilin u krijua: ndalimin e grabitjes. Duke ndjekur linjën e deritanishme publiku mund të kënaqet me statistika, por nuk do të shohë asnjëherë rezultate.
Prandaj në Shqipëri nuk do të ketë drejtësi, nëse bashkë me Ballukun, nuk mbajnë përgjegjësi edhe ata që u paguan për të bërë të mundur që ajo të vazhdojë të vjedhë.
©Lapsi.al