Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti sot se Kushtetuta nuk njeh imunitet të ministrave nga pezullimi, por vetëm për deputetët.
Ai thekson se qeveria dhe Belinda Balluku po përpiqen të mashtrojnë publikisht me qëllim që të vazhdojnë vjedhjet dhe skandalet korruptive me tenderimet.
Ai i referohet nenit 103/3 të Kushtetutës, ku shpjegohet se imunitetin e gëzon vetëm një deputet i zgjedhur nga votat e popullit, por nuk thuhet për imunitet të ministrit të kabinetit.
“Neni 103/3 i Kushtetutës i jep ministrave vetëm imunitetin e deputetit për mendimet dhe votat, jo mbrojtje ndaj pezullimit nga detyra ekzekutive. Çdo pretendim i kundërt nga Rama–Balluku është mashtrim i pastër politik për të mbrojtur vjedhjen e përbashkët!”, shkruan Berisha në postimin e tij të radhës në Facebook, duke e shoqëruar edhe me foto.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku aktualisht është marrë e pandehur për dy dosje abuzive nga SPAK dhe me masë sigurie nga GJKKO në pezullim nga detyra, bllokim pasaporte dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit.

Aktualisht ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës është e pezulluar, teka Kryeministria ka ankimuar në Kushtetuese me kërkesë për shprehje nëse GJKKO ka hyrë në kompetencat e Ekzekutivit me çështjen e pezullimit, pasi qeveria mbetet pa zv/kryeministër.
Balluku akuzohet për tenderin 190 mln euro të tunelit të Llogarasë, për shkelje të barazisë në tenderë, si dhe dyshimet për abuzimin 50 mln euro në këtë prokurim, që janë shtuar në fond për realizimin e veprës. Aktualisht ajo akuzohet edhe për paracaktimin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë dhe hetimet janë në proces.
Balluku i ka mohuar akuzat, por tashmë SPAK ka në dosje përgjimet e nxjerra nga telefoni i ish-kreut të arrestuar të ARRSH-së, Evis Berberi, ku flasin për paracaktim tenderimesh.