Të vlerësosh bijtë e krahinës është sa detyrim shpirtëror, aq dhe interesim institucional, për veprën e tyre që kanë lënë pas, si pasuri intektuale dhe historike. Gora ka nxjerrë pa fund figura të shquara në çdo fushë, përtej dimensioneve krahinore, vendore dhe shtetërore. Ndaj padyshim dita e vlerësimit të katër poetëve gorarë mbetet një datë e shënuar dhe mirënjohëse për institucionet që realizuan një një event mjaft emocionues. Do të merrnin pjesë: Kryetari i Bashkisë Maliq z. Gëzim Topçiu. Drejtori i Kulturës z. Festim Tomori. Kryetar i Këshillit Bashkiak Maliq z. Orlind Demollari. Nënkryetarja e Klubit të Shkrimtareve “Bota e Re” Korçë, poete dhe gazetare znj.Gerta Bandilli. Përfaqësues nga Shoqata Atdhetare-Kulturore “Gora”. Si dhe familjarë dhe të afërm të poetëve dhe dashamirës të artit dhe letërsisë. Pata fatin dhe përgjegjësinë të isha pjesë e prezantimit dhe aktivitetit, kur ndër të tjera do të citoja: Duke ju falenderuar të gjithëve që jeni pjesë e këtij evenimenti kulturor, ndjej kënaqësinë dhe emocionin e madh të prezantoj atë çka sot na bashkon të gjithëve në këtë sallë, dhënia e titujve katër poetëve të nderuar dhe të mirënjohur gorarë, zotërinjve: Vehbi Skënderi pas vdekjes, me titullin ‘Nderi i Bashkisë”. Ymer Nurka me titullin ‘Mirënjohja e Bashkisë’. Nexhip Bashllari me titullin ‘Krenaria e Bashkisë’. Petrit Braçe me titullin ‘Mirënjohja e Bashkisë’. Si pjesë e shoqatës A.K. “Gora” por më tepër si pjesë e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë ju shpreh respektin zotërinjve të nderuar të institucioneve të lartpërmendura që mundësuan realizimin e titujve për katër poetët tanë gorarë duke u dhënë atyre vlerësimin për penën dhe artin e tyre, por duke nderuar dhe vet bashkinë me figura të tilla. Më kujtohet fjala e një profesori dhe mikut tim të nderuar që më citonte: “Njeriu i mirë dhe i nderuar, nder dhe mirësi do të sjelli”. Ndaj qëndrojmë me ballin lart përballë bashkisë, se propozimet tona asnjëherë nuk kanë qënë dhe nuk do të jenë pa peshën e merituar, dhe pa marrë dikush atë që nuk i takon. Edhe njëherë shumë faleminderit që i merrni me seriozitet dhe dëshirën e mirë këto propozime kryetarit të bashkisë dhe gjithë stafit të punës që realizon një diçka të tillë. Në botimin e antologjisë me poetët gorarë botuesja do më thonte me habi dhe admirim: Si ka mundësi që një krahinë të ketë një numër kaq të madh poetësh dhe shkrimtarësh?! Gora vërtet është e zgjeruar si krahinë, por muza poetike buron aty, në zemër të Gorës. Konkretisht sot poetët përballë janë nga Zvarishti, Lozhani fshat dhe Strelca, pra një zinxhir fshatrash të Gorës së poshtme. Por gjerdani i tyre vazhdon Dolanec, Desmirë, Moçan, Senisht, Dolan, dhe më gjerë përtej Njësisë Administrative Gorë. Kemi poetë të zëshëm si Koçi Petriti, Agron Agolli, Besim Shyti, Ramadan Dinoshi etj. Gora është një krahinë malore, me bukuri fantastike natyrore. Ndoshta aty rrjedh burimi i muzës së poetëve gorarë që me gjuhën e penës së tyre janë dinjitozë në ‘tregun’ e vargut poetik dhe njohjen në terenin e lexuesit. Ata derdhen natyrshëm në vargje dhe rrëmbejnë në gjirin e leximit të gjithë dashamirësit e poezisë. Këndojnë në vargun e tyre si mozaiku i sinfonisë pranverore. E shohin botën plot gjyra. Flasin me të në ëndrra dhe në rrugë. Në netë të qëta dhe në netë me zhurmë. Ata lartësojnë personazhe duke i bërë të pavdekshëm në panteonin e kujtesës. Poetët thyejnë çdo barrierë me shpitin e tyre poetik dhe rendin si zog i lirë që thyen kafazë robërie. Vetëm shpirtin e poetit nuk e lidhin dot, sado t’ia censurojnë vargun. Ai qëndron lartësive, si majat e maleve që godasin retë dhe bisedojnë me yjet. Poetët dashurojnë shumë me vargun e tyre. Ndoshta janë ‘dashnorët’ më modernë të rruzullit. Gjuha e tyre është e krehur, e ëmbël, melodioze, lirike, por dhe e trishtë. Shpeshherë shpirti rend mërguar. Kërkon të bukurën ‘e shëmtur’ e të plagosur nga përbuzjet. Ata rendin thellësive e damarëve të ujrave të kristalta. Aty marrin ushqimin e muzës së tyre poetike. Dhe flasin e flasin. Herë përqafojnë dhe herë çjerrin maska. Kështu flasin dhe poetët tanë gorarë. Me gjuhën e mallit. Me kokën kthyer pas, diku aty, nga ballkoni i mërgimit. …… Ata vijnë me jetëshkrimin e tyre:
Vehbi Skënderi
Vehbi Skënderi lindi në vitin 1927 në fshatin Strelcë të krahinës së Gorës. Në maj të vitin 1943 i bashkohet luftës antifashiste. Pas çlirimit shërbeu në ushtri deri në vitin 1949. Më pas do të punonte në detyrën e redaktorit në organe të ndryshme të shtypit deri në vitin 1968. Në vitin 1971 nis punën në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” me detyrën e redaktorit. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës në vitin 1959. Vëllimin e parë me vjersha e titulloi “Këngët e para”, botim i vitit 1953. Më vonë do të botonte librat: “Vjersha”, 1958 . “Fletë nga ditari im”, 1963. “Vjershat dhe poemat e Drinit”, 1970. “Vrasja e Ofelisë” Prishtinë, 1971. “Shqiponjat e Vermoshit”, 1972. “Vazhdim i një bisede”, 1972. “Përsëri mëngjes”, 1974. “Poezi”, 1973. “Kumbojnë vitet”, 1984. “Nxitoj”, 1988. “Bëjmë sikur”, 1995, “Hëna e vjedhur”, 1996, “Zvicra, Shqipëria ime”, 2004, “Mirëmëngjes, Shqipëri”, 2012.
Në vitin 1963 është vlerësuar me çmimin e Republikës. Vehbi Skënderi është poeti gorar që ka çarë i pari rrugën e poezisë në atë trevë dhe një ndër më të njohurit e poezisë shqipe. Poezia e tij është rrjedhëse, melodioze, e frymëzuar dhe mbështetur fort në tabanin kombëtar. Kryevepra e Vehbi Skënderit mbetet “ Vrasja e Ofelisë”, me të cilën i ngre një himn trimërisë dhe bukurisë së femrës shqiptare. E vendos atë në lapidarin e padeksisë së kujtesës si një simbol që ngjizet në shpirtin pikëllues dhe të përmallshëm. Yje që mbeten në gjurmë historie shkruar me gërma gjaku dhe lavdie.. Gjithashtu ai ka një stil të veçantë me lirikat e tij. Vehbiu e përfaqësoi me dinjitet vargun e poezisë duke kaluar përtej krahinës së tij si një zë i afirmuar kombëtar.
Ymer Nurka
Një tjetër figurë e rëndësishme e letrave të letërsisë gorare është dhe poeti e fabulisti i mirënjohur Ymer Nurka. Lirik i njohur, kritik letrar, fabulist i zëshëm, analist me shpirt atdhetari, kritizues modern. Ai lindi më 27.09.1965 në fshatin Strelcë të krahinës së Gorës, rrethi i Korçës. Në vitet 1980 filloi të jetojë në Durrës, ku përfundon dhe shkollën e mesme të përgjithshme. Në vitin 1992 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti “Histori-Filologji” dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në vitin 1992 po në universitetin e Tiranës mbaron studimet pasuniversitare në Fakultetin “Shkenca Sociale”, dega Psikologji Sociale. Dy vjet rresht ka dhënë lëndën e letërsisë shqipe në një nga gjimnazet e zonës së Kavajës, ku u njoh më afër me jetën e njerëzve në fshat, për të cilët shkroi mjaft artikuj problemorë për hallet dhe shqetësimet e tyre. Nga viti 1993 deri në vitin 2005, punon në administratën shtetërore pranë Ministrisë së Punës si inspektor pune për qarkun e Durrësit, ku ka kryer mjaft kualifikime profesionale. Që në vitet ’80-të është marrë me krijimtari letrare dhe ka botuar poezi dhe piblicistikë në shtypin e kohës. Në vitin 2003 del libri i tij i parë me fibula “Zëra në xhungël”. Në vitin 2004 boton tre libra të tjerë, po në gjininë e fabulës me tituj:
1.“Marshi lukunisë”. 2. “Kuvendi i qenve”. 3. “Zbori i kafshëve zbatharake”.
Në vitin 2005 boton gazetën letrare “Pena” si organ i shoqatës së shkrimtarëve “Pena e kaltër”, ku ishte dhe president i saj. Në vitin 2006 boton vëllimin me njëqind e një sonete, titulluar “Gjysma”. Në vitin 2013 boton vëllimin me lirika “Peng midis ekuinoksesh”. Ndërsa botimi i tij i fundit vjen me titulli: ‘Lirika dhe balada’, 2025. Ymeri është fabulisti i mirënjohur jo vetëm në Gorë, por në mbarë vendin, ku me sarkazmën e vargut të tij mbjell plot mesazhe të forta për mbarë shoqërinë. Me plot bindje e themi se ai qëndron në një linjë nga pesha me fabulistin e mirënjohur shqiptar Ferit Lamaj. Gjithashtu lirikat e tij mbushur plot pjalm e bëjnë një zë të fortë melodioz dhe një poet lirik përtej krahinës. I këndon kaq përmallshëm dashurisë duke e vënë atë në dimensione të lirikëve të mëdhenj si Lasgushi, por dhe përtej kufinjve. Pena e tij ngjyhet me bukurinë dhe ngjyrat pranverore të fshatit të tij të lindjes, Strelcë.
Poetët shtegëtojnë rrugëtimesh po foleza e tyre është aty ky rreh zemra. Me lirikat e Ymerit ndihesh gjithmonë dashuruar.
Nexhip Bashllari
Nezhip Bashllari lindi në Zvarisht të krahinës Gorë rrethi i Korçës më 01.09.1944. Ka mbaruar shkollën Pedagogjike “P. N. Luarasi” në Korçë në vitin shkollor 1963, si dhe ka ushtruar profesionin e mësuesit deri në vitin 1968 në Vrëpckë të Korçës. Në vitin 1970 ka përfunduar Shkollën e Bashkuar Ushtarake të Oficerave dhe ka shërbyer në ushtri në profesione të ndryshme deri në vitin 1993. Në vitin 1981 ka përfunduar studimet e larta në shkencat politike. Momentalisht jeton jashtë atdheut, në Kanada.
Botimet e tij janë:
1.“Sinfonia e fshatit tim”, poezi, 2004. 2. “Mall i brengosur”, poezi, 2005. 3. “99 haiku dhe një zemër”, haiku, 2006. 4. “S’kam kohë të vdes”, poezi, 2007. 5. “Zvarishti”, vështrim historik, 2010. 6. “Krushqit e një nate me hënë”, tregime dhe rrëfenja, 2016. 7. “Ikje pa lamtumirë”, poezi. 8. “Fllad dëshirash”, poezi 2019.
Poezia e tij mbart dashuri për krahinën. Aty ku kujtimet mbeten testament dhe brez kujtese. Ku buka vjen më e ëmbël, ku uji rrjedh më i freskët, ku ajri ledhaton mushkëritë, ku ëndrrat përqafohen veç me pragun e shtëpisë. Poezia e tij vjen si vesa e mëngjesit ngjyer nga mallëngjimi.
Petrit Braçe
Rrjedh nga një familje me tradita të herëshme patriotike, nga dera e madhe e patriotit të njohur Cane Lozhani, anëtar i Nën/Komitetit të Fshehtë Krahinor të Gorës “Për lirinë e Shqipërisë”-1906. Ka lindur më 9 Maj 1950 në Lozhan, Korçë. Pas mësimeve të para në vëndlindje vazhdoi gjimnazin në Maliq. Ka qënë aktivist i palodhur në punën me rininë në aktivitetet e shumta kulturore-sportive. Më tej vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në Fakultetin e Artilerisë dhe u diplomua oficer i ushtrisë popullore. Ka punuar 25 vjet oficer në Divizionin e Tiranës deri kur doli në lirim në kuadrin e reformës në ushtri më 1996. Pasioni i tij kanë qënë librat, leximi, veçanërisht letërsia artistike duke krijuar një bibliotekë me qindra libra. Krahas studimit profesional është marrë me publicistikë dhe krijime letrare duke botuar herë pas here reportazhe e poezi në organet e shtypit ushtarak si “Luftëtari”, “10 Korriku”, por edhe në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ka botuar librat: “Këngë malli dhe dashurie”-poezi; “Gorë moj, fisnikja Gorë”-poemë epiko-lirike; “Njerëz të thjeshtë me zemër të madhe”-publicistikë dhe “Kënga ime në vite”-poezi. Shoqata Gora ka vlerësuar punën dhe kontributin e tij për 25 vjet me radhë në Shoqatë dhe gazetën “Gora”, ku dhjetra kronika, ese, portrete, reportazhe, madje dhe qindra foto mbajnë firmën e tij, Kryesia e Shoqatës i ka akorduar titujt e lartë: “Nderi i Shoqatës” dhe “Nderi i Krahinës”. Petriti ka banuar dhe banon në Tiranë. Vargu poetik i autorit, frymëzuar nga aroma e vendindjes i troket dritareve shpirtërore dhe hyn në portën e mallit duke e mbushur plot magji mendimi. Ai lundron me të thellësive të tij, shpalos mesazhe të qarta dashurie plot nostalgji. Vallëzon me vargun dhe i jep atij bukurinë e një kërcimtari që kridhet në ajër dhe ledhaton tokën kur e shkel fajshëm. Mallin për fshatin, për babanë, për nënën, për rininë e derdh në vargje. Aty ku poetët gjejnë çlirimin emocional dhe paqe me veten. Lirizmi i tij në vargje rrjedh si burimet maleve të fshatit të lindjes, të cilin autori e rrëmben nëpër poezi, duke e bërë mikun letrar. Veç kështu janë poetët, brenga e malli janë ushqim dhe muzë poetike.
Urime nga zemra poetë të nderuar dhe bij të Gorës!!!