Në shënimin e një jave më parë u nënvizua se:-“Do t’i kthehemi atmosferës së festës së Pavarësisë në kryeqytet në një tjetër me një këndvështrim për të kuptuar se aty nga Tirana dhe Vlora e festimit të Pavarësisë 2024, Veliaj dhe Rama i ndanë territoret plot një vit më parë. Gjithshka mes tyre rreth drejtësisë tashmë është kompromentuar sepse korrupsioni i ka shtrirë rrënjët thellë.”, duke patur parasysh se përse festa kombëtare këtë vit është zbehur, nuk ka parakalime të përvitshme dhe sigurisht zhurma dhe mënyra se si ajo trajtohet deri tek tregtia politiko-patriotike që synoi më shumë lidhjet me diasporën, ndjehet se godet më shumë me shembullin e keq që jep kombi amë.
28 Nëntori i kaluar ishte viti i 112 i Pavarësisë dhe nuk ishte një vit jubilar sikurse edhe ky i 113-i që po kujtohet si të mëparshmit këtë vit.
Atmosfera zakonisht shpreh atë që njerëzit kanë, duan, reflektojnë dhe shprehin dhe jo ajo se çfarë shtetarët përpiqen t’u sajojnë për të kaluar rradhën.
Sipas një shifre të fundit që prej fillimit të viteve 1990, mundësisë së lëvizjes së lirë jemi 40% më pak shqiptarë në Shqipëri. Rreth 1 milion të larguar në dhjetë vitet e fundit, por të mos harrojmë se duhet një census mbarë shqiptar, për ta kuptuar se sa shumë ndodhen nëpër botë, janë shtuar dhe integruar në ato vende ku demokracia ushtrohet pa i humbur lidhjet me vendlindjen e tyre apo të prindërve të tyre.
Përse shqiptarët nëpër botë janë qytetarë të dalluar me cilësi të njerëzve punëtorë, të sakrificës, të ruajtjes së familjes, kulturës dhe trashëgimisë veç arritjeve në edukim dhe në mirëqënien ekonomike dhe këto nuk janë në gjendje t’i shfrytëzojnë dhe t’i zhvillojnë në vendin e tyre, në Shqipëri?
A ja ka bërë pyetjen çdo qeverisje vetes në këto 34-35 vite tranzicioni jashtë doktrinave ideologjike dhe politike?
Pikërisht këto “nuanca” do t’i shtjellojmë mes tre datave. Dy 28 nëntorët e fundit dhe 20 Shkurti i këtij viti në mes.
Kështu 28 Nëntori i vitit 2024 ishte parashikuar dhe u mbajt me një parakalim-paradë propagandistike, me bujë lajmesh dhe transmetime të drejtpërdrejta të cilat munguan çuditërisht këtë vit. Kjo pikërisht sepse në vitin 2025 do të zhvilloheshin (ashtu sikurse edhe u zhvilluan), zgjedhjet e përgjithshme ku për të parën herë diaspora shqiptare do të ishte pjesëmarrëse. Ndërsa me maskën drejt BE-së 2030, parti-shteti fshihu “qetësinë e patronazhimit të votës” ku PS mori një mandat të katërt të pamerituar, sepse zgjedhjet e përgjithshme rezultuan në një farsë për shkak të problematikave serioze të njohura në raportin përfundimtar nga OSBE-ODIHR.
Pushteti qendror dhe vendor hodhën atëherë (në vitin 2024), shpenzime ende të pa treguara deri tani për festën. Por kush e kujton, e kupton sot atë si momentin kur Rama dhe Veliaj pësuan ndarjen mes tyre. Ajo quhet ndryshe edhe si lufta për territor. (“Lidershipi politik” ka të tjera dallime në rivalitetin brenda një partie politike. Tirana është luftë për territor sepse qyteti me rreth 50 mijë apartamente të pa jetuara, sot deklarohet se ka pastruar pushtimin e hapësirave publike me rreth 100 mijë metra katrorë). Kështu Veliaj rezistoi duke e mbajtur Tiranën më 28 Nëntor, 2024 pa praninë e kryeministrit, ndërsa Rama vijoi me Vlorën në Sheshin e Pavarësisë, sikurse vepruan edhe shumë figura politike vendase, të trevave shqiptare në shtetet fqinjë si edhe të arbëreshëve morën pjesë në të.
Por pa dashur ta krahasosh 28 Nëntorin e kaluar e me paradat e ngjashme të kohës së socializmit të para viteve ’90-të, forma e parakalimit me përjashtim të kuadrateve me pjesëmarrje nga diaspora shquante diçka të veçantë. Punonjësit e administratës së pushtetit vendor pjesëmarrës dhe soditës, në të dy rastet dëshmuan për një mobilizim politik, patronazhim ose edhe “ushtria” politike më e madhe në Shqipëri me të cilën kishte operuar kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke hijezuar Vlorën. Kjo pjesë e luftës për territor duke i shtuar njerëzit e bën lidershipin të mendojë mirë për fatet e pushtetit, ndaj gjërat ndodhën dhe rrodhën deri këtu ku jemi sot me 28 Nëntorin e vitit 2025. Pavarësinë e Shqipërisë në 113 vjetorin e saj.
Teknikisht drejtësia me thirrjet në SPAK për Veliajn dhe sidomos arrestimi i disa punonjësve të administratës së bashkisë së Tiranës në afera korruptive ku emri i kryebashkiakut ishte i pranishëm i dha sinjalet dhe u pa se ajo do t’i sillte shqetësimet me hetimet herët a vonë. Por, jo me aq siguri sa para 11 Majit, Erion Veliaj të largohej dhe bashkë me të ndikimi i tij. Ndaj për të menaxhuar kaosin dhe goditjen mes socialistëve Rama nuk heshti, por provokoi mitingun e 20 Shkurtit (një datë që thotë shumë me rrëzimin e bustit të diktatorit E. Hoxha), ku 6 mijë punonjës të administratës, ishin gati e njëjta pjesëmarrje e paradës së 28 Nëntorit, 2024 zhvilluar gati tre muaj më parë. Kjo manovër e Ramës, që ngushëlloi bazën partiake duke i bërë presion drejtësisë (prokurorisë speciale), për arrestin e Veliajt synoi të amortizonte çdo goditje që do të merrnin rezultatet e PS në zgjedhje apo edhe do të mund të kishin një efekt pas zgjedhor me Veliajn të pa nxjerrë përpara drejtësisë, e gjitha kjo mbeti një pasiguri edhe më të madhe për Betejën e Kryeqytetit të cilin vetë kryeministri Rama e quan kryeqytetin si një “trup pa kokë”. Ajo që ndodhi me zgjedhjet ishte mobilizimi politik i socialistëve, kryesisht i administratës së shantazhuar që ishte ajo ushtri e kryetarit të bashkisë që kryeministri kurrë se si nuk duhej ta humbte, ta kishte të pa angazhuar e jo për më tepër ta kishte kundër.
E meqë festat e Nëntorit dhe Dhjetorit të 2024-ës u përcollën mbi atë frymë që i kushtëzon një ndarje materiale më shumë se sa ideologjike, arrestimi i Veliajt më 10 Shkurt, 2025 jashtë retorikës së kryeministrit Rama pro dhe kundër prokurorisë speciale mbeti në thelb si veprimi i vendosjes së një presioni të vazhdueshëm mbi drejtësinë për të mos u ngjitur më lart. Shfaqjet e episodeve të tjera gjatë muajve para dhe pas zgjedhjeve të 11 Majit u bënë më të dukshme, deri tek më e fundit data 31 Tetor, 2025 kur Gjykata Kushtetuese prapësoi vendimin e kryeministrit dhe dekretin presidencial për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt dhe mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme të Tiranës më 9 Nëntor, sikurse ato u ftuan të mbaheshin edhe në pesë bashki të tjera.
Tani fushëveprimet e mbetura të Ramës janë Kryeministria, Kuvendi dhe BE me gjithë grup kapitujt e hapur.
Çështja është se a ka forca Rama për ta mbajtur këtë ekuilibër?
Ku ndodhet shkalla e ndërgjegjësimit të shoqërisë ndaj korrupsionit?
Po organizimi dhe strategjia e opozitës në Betejën për Tiranën, si po përgatitet dhe po vepron?
Dihet se Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet së shpejti ndaj, parapërgatitja dhe ndërgjegjësimi duke përfshirë edhe rolin e mediave të guximshme mbeten thelbësore. Në qoftë se argumentet e shoqërisë shqiptare dhe opozitës këtë krizë të gjithanshme të shkaktuar nga keq- qeverisja dhe korrupsioni do ta marrin seriozisht dhe ta kthejnë atë në një lëvizje për krijimin e një qeverie teknike që do të çojë fillimisht vendin në zgjedhje të lira e të ndershme dhe me standarde të një gare të barabartë, atëherë ky quhet një shërbim ndaj Shqipërisë dhe ecurisë së përbashkët të shqiptarëve për t’u pranuar në BE. Shqipëria nuk është e asnjërës palë, sikurse edhe e vetme një palë që kërkon t’i llamburisë më shumë ngjyrat politike nuk shkon dot në BE.
Kjo në përgjithësi kjo është atmosfera e festave për shqiptarët edhe në ditën e pavarësisë. “Hallet” e politikës dhe qeverisë që nuk njeh hapjen e rrugës, që nuk arsyeton dorëheqjen, që nuk pranon dështime dhe nuk i lë veprim drejtësisë të funksionojë, shndërrohen më të mëdha se shqetësimet e përditshme të popullsisë e cila do shpëtuar nga kultura e kriminalitetit dhe korrupsionit të shtrirë “padukshëm” në të gjitha drejtimet.
Atmosfera e festave nuk ndjehet sikurse bëhet edhe e përciptë pa parada dhe parakalime sepse ngjarjet e fundit të muajit Tetor prej drejtësisë ishin tronditëse.
Dy ngjarjet në dyert e drejtësisë për t’i freskuar më 31 Tetor, 2025 që ishin; (1) çështja Veliaj e cila ngre pikëpyetjen për ta drejtuar nga burgu Bashkinë e Tiranës dhe (2) çështja Balluku (zv/kryeministre dhe ministre për infrastrukturën dhe energjinë), e thirrur si e pandehur dhe e pezulluar nga detyra për shkeljen e barazisë në tendera. Këto çështje lanë sëpari me “gisht në gojë” të gjithë ata/ato që mendonin se Tirana do të kalonte në zgjedhje të pjesshme për një kryetar/kryetare në drejtimin e ri dhe së dyti, zhvillimet e pashmangshme të një lufte politike brenda llojit të Rilindjes Socialiste, prej errësirës së komunikimit të së cilës nuk del asgjë. Pikërisht nga ky këndvështrim dhe veprimi në bllok i vendimmarrjeve prej kësaj force politike nuk ka më nevojë që ta hamendësojmë se çfarë mund të ndodhë mund të zhvillohet në jetën politike brenda kuvendit ose qeverisë. As edhe komploti nuk përbën më një tezë rreth kësaj elite politike të degraduar nga kohë-qëndrimi në pushtet, që pikërisht komplotin e ka jo vetëm një “kuti veglash pune” të pandarë nga trashëgimia paraardhësve si mjetin e mbajtjes së pushtetit, por edhe e ka përsosur dhe e ka përshtatur komplotin si zgjidhje problemesh herë pas here në kushte të reja.
Le të parashtrojmë disa momente para dhe pas zgjedhore të cilat tregojnë se 12 vite në pushtet të Rilindjes Socialiste janë një teprim me pushtetin dhe se nevojat për një qeveri teknike janë jetike për Shqipërinë, Kombin dhe rajonin.
Pra përse Tirana si qark u trefishua me komisarë politik përpara zgjedhjeve të 11 Majit, 2025*, ku Veliajt ju shtuan Spiropali dhe Manastirliu dhe, më pas kush mbeti?
Për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Tiranë të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, Rilindja Socialiste e fokusuar me ide, energji dhe me çdo investim në ekzistencën e vet elitare zgjedhjet e pjesshme të kryeqytetit i ka kuptuar si beteja për mandatin e katërt, ose pushtet që të mbron nga korrupsioni sepse transparenca dhe dialogu po shuhen me shpejtësi.
Tirana është ose humbje(!), ose fitore(!), për rilindësit.
Beteja për Tiranën e ka tejkaluar kuptimin e krenarisë politike “jetë a vdekje” në shoqërinë shqiptare sepse të korruptuarit janë trima deri atëherë kur drejtësia i afrohet atyre në zhvillimet e ditës me prova të mbledhura. Në këtë kuptim pastrimi i parave nga korrupsioni, përvetësimi i fondeve publike dhe blerja e influencave jo vetëm që djeg protagonistët nga i gjithë spektri politik, por për më shumë vlen me autokratët si Rama që duan ta mbajnë përjetësisht pushtetin. Kjo kategori që e do me çdo kusht pushtetin, kurrë nuk e ndjen se rrëmbimi i zgjedhjeve vihet në lojë, deri në skajet e etheve të kumarxhiut. “All in!”*
Kujtoni edhe njëherë 20 Shkurtin e këtij viti në Sheshin Skënderbej. Ishte jo vetëm marrja e territorit, por edhe e “ushtrisë”. Në atë ditë Rama th sikur ishte duke u betuar se:-“… pavarësisht se çfarë mendojmë ne këtu, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim edhe këtë rast dhe t’ia lë drejtësisë ta ndajë këtë dilemë duke mbështetur plotësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë. Ndërsa barra juaj e përbashkëta është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket asnjë minutë, po të vazhdojë të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve ju se deri kur çështja e kryetarit të bashkisë marr drejtim në një mënyrë apo në një tjetër, vëmendja ime për Tiranën, për bashkinë, për problemet dhe nevojat e punës suaj do të jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çka mendojnë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do t’ia japin kryebashkiakut të Tiranës të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz, duke i dhënë fund praktikës brutale të prangave pa gjyq për kryebashkiakë dhe për punonjës të shtetit në detyrë, kur as ka kapur ndonjë në flagrancë, e as paraqesin ndonjë rrezik arratisje”.*
… Gjithshka për të fituar!… dhe këtu mund të kujtojmë pa qenë nevoja t’i rendisnim më tej emrat e rreth 36 individëve (PS-istë me banim në Tiranë), si të ishin chips ose token casino-je (vlerë e një shkëmbimi në kumar), të 36-ë si deputetë, ministra, drejtues në administratë dhe funksionarë politikë të PS. Tirana mori një dymbëdhjetëfishim njerëzor për kujdesin politik duke mundësuar edhe zv/kryeministren Balluku në krye të koordinimit politik të qarkut në rast zgjedhjesh, por nga planet e fund Shtatorit situata e saj ka mbetur pezull prej hetimeve dhe e thirrur si e pandehur nga SPAK. Edhe pse një plan i prishur, rilindësit i kanë sytë dhe veprimin tek Beteja mbi Tiranën pa mundur të kuptojnë rrugën e duhur dhe pa u bërë “preha e drejtësisë” me mënyrën që kryeministri Rama po i sakrifikon duke u vetëmbrojtur në plot bindjen e tij se duhet që drejtësia të kapte ata/ato punonjës të shtetit në detyrë që ndodhen në kushtet e “flagrancës”, dhe që “paraqesin ndonjë rrezik arratisje”.
Për më shumë Rama i ka vendosur sfidë drejtësisë kur ka luajtur me frazën po gjatë atij takimi duke kujtuar një situatë me ndërtuesit në kryeqytet ku përgënjeshtron që ata t’i kenë dhënë lekë atij si kryebashkiak, duke paguar për lejet e ndërtimit. Në këtë mbrojtje publike Rama ka deklaruar se është ai që i ka detyruar ndërtuesit duke i dhënë një punë për pastrimin e 138 mijë ton mbetje të ngurta nga ndërtimet pa leje mbi lumin Lana:- “Ka ardhur tani koha që t’i paguani ryshfetin qytetarëve të Tiranës.” dhe më tej vazhdon: -“Ja ndava segmentin e Lanës me copa. I thashë, merrni buldozerët tuaj, merrni punëtorët tuaj, merrni naftën tuaj, shkoni, prisheni dhe pastroheni se përndryshe s’merreni më leje ndërtimin dhe në vijën logjike të një sërë hetimeve intensive jam gati të dorëzohem para drejtësisë. E kam bërë këtë dhe nuk e kam bërë një herë, e kam bërë shumë herë, por ata që dje në çdo pallat të ri shikonin përqindje për leje ndërtimi dhe kur unë i thashë nuk ka bir k***e dhe nuk ka birë nëne që të dali dhe të thotë që më ka dhënë mua lekë. Më nxorën dhe një burrë që më ka kërkuar falje nja 34 herë deri tani edhe e kam falur 38 herë,… po ai vazhdon më kërkon falje.”
Faktet janë kokëfortë, vonojnë ashtu sikurse edhe nuk do të mungojnë për të nxjerrë të drejtën dhe rrafshuar dyshimet.
Por ajo që i duhet klimës së shëndetshme të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë vendit janë mirëqenia dhe e ardhmja në Shqipëri.
Atëherë ka atmosferë festash.
Tani kryeqyteti ka ngecur në ngërçin e politikës dhe në pritjen e zgjedhjeve të pjesshme për Tiranën, e cila as nga burgu dhe as me kryetare të komanduar nuk mund të funksionojë pa pastruar plagët e korrupsionit dhe kaosin ideologjik antikombëtar.
____________
* 8 Shtator, 2024– parapërgatitja për zgjedhjet e 11 Majit, 2025
* All in– luaj të gjitha.
* chips ose token – monedha e kazinove.
* Nga fjalimi me punonjësit dhe administratën e Bashkisë Tiranë, 20 Shkurt, 2025.

21 Nëntor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)