(Homazh me rastin e ndarjes nga jeta të poetit Izet Shehu, 25 nëntor 2012)
Çdo ditë, vajza e poetit Izet Shehu, Brikena, e kujton duke postuar në faqen e saj poezi të babait. I lexoj, edhe pse shumë prej tyre i njoh. Është një ritual, që ngjan me Mëngjesin e Lutjeve. Ka krijues, që postojnë çdo ditë shkrimet, por, kur poeti s`është mes nesh, ka tjetër emocion. E kam fjalën s`mjafton vetëm dashuria e vajzës, por duhet që dhe babai të mos e turpërojë të bijën me poezitë. Fakti që kam shkruar për poezinë e Izetit dhe po shkruaj përsëri, natyrisht duke patur ç`të them akoma, tregon vlerat e një poeti, që duhet njohur. Sikur unë të mos e kisha përmendur fjalën “homazh”, cilido që do lexonte referencat e mia, poetin do e radhiste si një të gjallë mes të gjallëve.
Për t`u shpjeguar edhe më, e kam ndjerë nevojën thirrëse të tijën për të mos e lënë vetëm, sikurse e thotë troç në vargjet e mëposhtme:
“A s`më shihni se po thahem?
Mos më lini në harresë!
Kujt t`i lutem,
Kujt t`i falem,
Më kanë dalë të pabesë.”
Udhëheqësve u urojnë të rrojnë sa malet, ndërsa poetëve ua duan vdekjen. Kjo lutje e poetit s’është një zë në shkretëtirë, edhe pse lutja bëhet në tempullin e artit. A nuk përjetohen me dhimbje këto vargje:
“Më lexo kur të kem vdekur
Mbase më kupton më mirë.
Ndalu pak po deshe…
Më kupto çfarë ruaj në shpirt.”
Ai thotë: ndalu pak po deshe, dhe ti do bësh sikur s’e sheh, kur vëmendja shpenzohet rëndomë për porkerina? Mos kujtoni se është e lehtë të kuptoni dramën e poetëve, sidomos në këtë mendjelehtësi, që ka kapur botën e sotme të selfies.
“Dua ta thyej këtë horizont të ngrirë,
Dua, por jam i pafuqishëm!
Demi e rrëzon një mullar me brirë
Era e deti me tërbim e shqyen pishën.”
Ta kujton pafuqinë e Migjenit, por, a e dini pse janë të pafuqishëm poetët? Se i lënë vetëm. Sa herë i duhet të shkoj atje, ku është nderi i tij, i gjen vendet e zëna. Kot s`dalin vargje si këto: “Le të krekosen mashtruesit, shërbëtorët e djallit,/Në emër të të vdekurit, bëj detyrën e të gjallit”. Ai ka nevojë për atë që sheh përtej pasqyrës, pse jo dhe përtej dritares, në doni dhe përtej teleskopëve.
“Në dhomën time krejt papritur,
U fut një erë kusare,
Lëpiu muret e dremitur,
Lapiu xhamat në dritare.
Pastaj u ngjeth: pa në pasqyrë
Ca preka hijesh në fytyrë.
Dhe diçka tha e shkroi në mur
Kumtime që s`i kapa kurrë.”
Nga nevoja për ta kujtuar shkon më tej tek zbulimi i të fshehtave të shpirtit, sikurse tek thyerja e horizonteve të ngrira, me shpresën se do gjendet kush: të kapë kumtet e erës, e cila shkruan nëpër mure. Por në vend të hulumtursit ndjen se dikush e ndjek nga pas. “Janë ca bisha që më ndoqën, që më ndjekin edhe sot,/Që më gërryen, më kafshuan, më mbuluan gjakë e lot.” Ata duhet të jenë arsyeja, që ai shkruan vargje si këto:
“Ka ca zëra brenda meje
Që ngrenë kokë rebelohen,
Unë u hedh lule të merme
U bëj thirje të qetësohen.”
Vetëm një pemë mund ta bëjë këtë reagim: “Ik, moj shkurre më lërë rehat!” Por:
“S`qënka e lehtë
Të ecësh përpara
Të goditkan brinjë më brinjë!
Ec po të duash në vijat e bardha
Dështakët të shtyjnë në rrëpirë.”
Kur merr përsipër të vizatojë autoportretin e tij, s`e fsheh krenarinë legjitime të atij, që dha gjithçka që mundi: “Nuk bëj pjesë në asnjë klan,/Shpesh herë grindem me vetminë./Më mjafton ky shpirt që kam.” Dhe më tej:“Nuk u hodha kurrë në flakë/S`kam profilin e heroit.” Aty ku s`nderohen heronjtë mos e paç fatin e tyre.
“I fundit kam qenë dhe i fundit mbeta
Ushtar i virtytit
Kundërshtar i vesit
I mashtruar pabesisht nga shkëlqimet e verbëta.”
Dhe “Midis memecërisë dhe llumit/Kalita krenarinë në hudhrën e durimit…/Që dhelpërisht u mashtrova, por kurrë s`u mposhta.” A na falet, ta lëmë poetin në vetminë e tij, sikurse shkruan: “S`gjej një shteg të shëroj shpirtin”? Poeti Bujar Xhaferri më thoshte një ditë: “Ky vend funksionon me pompë” dhe se shkojnë pas të avantazhuarit. Unë zgjedh të hap një shteg, ku të shërohet shpirti i një poeti.
Fatbardh Amursi