TIRANË- Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj reagoi ndaj vendimit të GJKKO0së që pezulloi nga detyra si zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës Belinda Ballukun. Në një video mesazh në rrjetet sociale, Shehaj thekson se atë që nuk e bëri vetë Balluku dhe Rama e bëri Gjykata.
Po ashtu ai shkruan se shumë shpejt do t’i vi radha dhe kryeministrit Edi Rama për të dalë para drejtësisë.
“Belinda Balluku sapo është shkarkuar nga detyra me vendim gjykate. Atë që nuk bëri Belinda Balluku vetë duke dhënë dorëheqjen, atë që nuk bëri Edi Rama duke e shkarkuar, e bëri Gjykata, me një vendim. Më vjen keq ta them por e vërteta është që këta nëse nuk i tërheq zvarrë nga karrigia, nga pushteti, nuk ikin. Dhe fatkeqësisht duhet vendimi i gjykatës për t’i larguar. Ky është një moment historik për Shqipërinë. Shumë shpejt edhe Edi Rama ka për të dalë para drejtësisë siç kanë dalë të gjithë kryeministrat e korruptuar të rajonit,” tha Shehaj.
Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH./Dosja.al