Një tjetër denoncim është publikuar paraditen e kësaj të marte, në lidhje me mungesën e ilaçeve për të sëmurët me kancer, në Spitalin e Onkologjikut.
Në një video të publikuar nga gazetari Osman Stafa, një qytetare tregon se prej gjashtë javësh në spital mungon medikamenti i Avastinës i cili sipas saj është më i rëndësishmi dhe më jetiku. Si pasojë ajo thotë se është pezulluar kimio dhe ka mbetur pa trajtim.
Qytetarja thotë se mjekja nuk i ka dhënë një datë për sigurimin e ilaçit, ndërsa shton se spitali e telefonon me numër privat në komunikimet mbi terapinë.
“Mungon Avastina, atë kam më kryesorin. Kam 5 vjet që mjekohem. Më është ndërprerë 2-3 herë mjekimi, asnjëherë se kam pasur të rregullt. Tani është radha e dytë që po vij brenda gjashtë javëve nga Vlora dhe nuk e gjej. Më thonë që do zgjasë akoma. Më marrin me numër privat nga spitali dhe më thonë që mjekimi nuk është. Nuk më duket e drejtë që të marrë me numër privat spitali. Smë duket e drejtë të njoftojnë me numër privat. Mjekja më tha që do zgjasë akoma mungesa e Avastinës. Ka gjashtë javë të paktën që mungon. Kjo është medikamenti më i rëndësishëm, është jetik. S’po kërkojmë as bukë as ujë, po kërkojmë ilaçin për të jetuar” – shprehet qytetarja Klementina Aliaj nga Vlora.