Media e njohur investigative franceze Blast publikoi sot një investigim tronditës që tregon se si narko-shteti i Edi Ramës po rrezikon Europën.
Shkrimi përmban shumë elementë shokues, që tregojnë se sa larg ka depërtuar krimi i organizuar dhe mafia në qeverisjen e Edi Ramës.
Por ndër të tjera, media e njohur ka arritur të intervistojë një prokuror të njohur belg, për kokën e të cilit, mafia shqiptare kishte vënë një çmim prej 1 milion euro.
Ai thotë se krimi shqiptar po pastron shuma kolosale në Shqipëri.
Më poshtë pjesë nga shkrimi:
Hetimi i SKY ECC, i emëruar sipas këtij rrjeti telekomunikacioni të koduar shumë të përdorur nga kriminelët, zbuloi ngjitjen e shpejtë të krimit të organizuar shqiptar në Belgjikë. Të irrituar nga një seri gjyqesh masive që çuan në mbi 1.000 dënime, disa anëtarë të mafias shqiptare nuk ngurruan të vendosin shpërblim për kokën e prokurorit të mbretit, Julien Moinil, përgjegjës për një pjesë të hetimeve. Për një shumë të majme: më shumë se një milion euro.
I pyetur nga Blast, prokurori Julien Moinil siguron se “nuk e bëj këtë profesion për të marrë lule nga kriminelët”. Por ai konfirmon: hetimet SKY ECC nxorën në pah si “fuqinë financiare” të mafies shqiptare, ashtu edhe “pastrimin kolosal të parave që po ndodh aktualisht në Shqipëri”.
Ky konstatim shqetëson edhe Nicolo Gratteri-n. Gjatë një vizite të fundit në Roterdam (Holandë) për të shkëmbyer eksperienca me kolegë, prokurori italian i specializuar në luftën kundër mafies – veçanërisht ‘Ndrangheta – ndau vëzhgimet e tij: “Sot këto grupe kontrollojnë portet e Antverpës dhe Roterdamit, ata mund të sjellin lehtësisht disa qindra kilogramë në një udhëtim”.
…Prokurori Moinil ka gjithashtu kujtime për të ndarë. Ai gjithashtu ka pasur pjesën e tij të surprizave të këqija. “Kam qenë disa herë në terren, bashkëpunimi ishte gjithmonë shumë i mirë, me rezultate të mira. Por në disa çështje të rëndësishme, korrupsioni është i pranishëm”, thekson magistrati. “Në çështjen TOYOTA, zbuluam se hetuesja e prokurorisë kishte… një telefon SKY ECC. Ajo fyeu delegacionin belg dhe qartazi ishte e korruptuar. Kjo gjë të vret nga tmerri”.
Edhe këtu, poroziteti i drejtësisë dhe roli i medias lokale krijojnë një atmosferë të veçantë. “Më vjen keq që kërkesat hetimore përfundojnë në media”, vazhdon Moinil. “Kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz të mirë, të angazhuar për drejtësinë, por ata shpejt bien nën presionin e një sistemi të shkatërruar nga korrupsioni”.
…Grupet kriminale kanë përfituar maksimalisht nga sistemi i krijuar nga Edi Rama për të tërhequr kapital në Shqipëri. Një shifër flet vetë: nga mbi tre miliardë euro të investuara në rindërtimin e qendrës së Tiranës, vetëm një e treta vjen nga institucionet financiare, sipas gazetares Ole Xama. Në hetimin e kësaj kolegeje shqiptare, zbulohet se mbi 50.000 apartamente janë të pabanuara vetëm në Tiranë. Pas këtyre zbulimeve, gazetarja u përball me ngacmime online dhe kërcënime ndaj familjes së saj.
Ndërtesat po shtrihen kudo në një qytet me pak më pak se gjysmë milioni banorë, ku emrat e mëdhenj të arkitekturës nxitojnë si drejt një Eldorado-je. Sipas të dhënave të publikuara nga drejtësia shqiptare, sektori i ndërtimit përbën rreth 17% të PBB-së shqiptare dhe mbetet një nga mjetet kryesore për pastrimin e parave./sn