Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Europës ka njoftuar një vizitë monitorimi në Shqipëri nga 17 deri më 19 nëntor 2025, për të parë gjendjen aktuale të autonomisë vendore në Shqipëri.
Në një letër dërguar kryetarit të Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë, kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, Kongresi bën me dije se delegacioni do të zhvillojë takime në zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë, më 17 nëntor, për të mbledhur informacione mbi funksionimin e qeverisjes vendore dhe respektimin e parimeve të autonomisë lokale.
Delegacioni do të drejtohet nga Anders Knape nga Suedia dhe Sören Schumacher nga Gjermania, të shoqëruar nga Prof. Zoltán Szente, ekspert i pavarur i Kartës së Vetëqeverisjes, si dhe përfaqësues të sekretariatit të Kongresit.
Pas vizitës, do të përgatitet një raport i ri për gjendjen e demokracisë vendore në Shqipëri, i cili pritet të shqyrtohet në një nga sesionet e ardhshme të Kongresit në Strasburg.
Sipas njoftimit, qëllimi është krijimi i një dialogu të hapur me autoritetet shqiptare në nivel qendror dhe lokal, për të vlerësuar përputhshmërinë e vendit me standardet evropiane për vetëqeverisjen lokale.
Vizita vjen në një moment kur opozita ka ngritur shqetësime për centralizimin e pushtetit dhe kapjen politike të bashkive nga Edi Rama.
Strasburg, 2 tetor 2025
I nderuar z. Qosja,
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës, në bazë të rregullave të veta, zhvillon vizita të rregullta për të monitoruar zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore nga shtetet anëtare që e kanë nënshkruar dhe ratifikuar.
Komiteti i Monitorimit është organi përgjegjës për përgatitjen e raporteve dhe për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të Kongresit.
Në këtë kuadër, Kongresi do të zhvillojë një vizitë monitorimi në Shqipëri nga data 17 deri më 19 nëntor 2025.
Ju ftojmë që, në cilësinë tuaj si Kryetar i Shoqatës së Të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë, të takoni delegacionin monitorues të Kongresit më 17 nëntor 2025, ora 12:00–12:45, në zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë (Sheshi Skënderbej, Pallati i Kulturës, kati i 3-të).
Delegacioni do të përqendrohet në:
zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore (ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000);
dhe në Rekomandimin nr. 468 (2021) mbi gjendjen e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri.
Delegacioni përbëhet nga:
Z. Anders Knape (Suedi) – Bashkia, Grupi i Partisë Popullore Evropiane
Z. Sören Schumacher (Gjermani)- Rajonet, Grupi i Socialistëve, të Gjelbërve dhe Demokratëve Progresistë
të shoqëruar nga Prof. Zoltán Szente (Hungari), ekspert i pavarur i Kartës Evropiane, dhe nga sekretariati i Kongresit.
Pas vizitës, do të përgatitet një raport dhe një rekomandim për Shqipërinë, i cili do t’i paraqitet Kongresit për miratim në një nga sesionet e ardhshme.
Qëllimi i vizitës është të forcohet dialogu i hapur dhe konstruktiv me autoritetet shqiptare në të gjitha nivelet-shtetëror, rajonal dhe lokal -lidhur me respektimin e standardeve evropiane për demokracinë vendore.
Interpretimi gjatë takimit do të jetë në gjuhët shqipe dhe angleze.
Për organizimin e vizitës janë kontaktet:
znj. Svitlana Pereverten-Sekretare e Komitetit të Monitorimit
znj. Tatevik Avetisyan-Asistente e Komitetit
Letra është nënshkruar nga
Marc Cools, President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
