Jeta e Llazar Fundos, një përfaqësues i intelektualëve që mbështeti komunizimin por që më pa u zhgënjye dhe u bë një nga kundërshtarët më të fort të regjimit madje dhe viktimë e tij, pati shumë kulme dhe ishte dramatike.
I njohur edhe si Zai Fundo, 80 vite nga pushkatimi, vlerësohet si ideator dhe firmëtar i manifestit të ventotenes, një dokument ku janë bazuar hapat e parë të bashkimit evropian.
Në një intervistë për CNA, historiani dhe shkrimtari Uran Butka, tregoi një pjesë të jetës së fundos dhe pse ai u kthye kundër komunizimit.
“Zai Fundo është një nga personalitetet e shquara të botës shqiptare dhe evropiane. Ai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve 1930-1940 në Shqipëri dhe Evropë. Pas vrasjes së Avni Rustemit ai u zgjodh kryetar i shoqërisë “Bashkimi”. Më pas emigroi në Evropë dhe bashkë me të tjerë emigrantë politikë mori pjesë në shtypin evropian. Më pas shkoi në Bashkimin Sovjetik, i ftuar atje, për të studiuar dhe për ta njohur më nga afër përvojën sovjetike, por ai u zhgënjye nga tirania staliniste dhe e kritikoi këtë sistem. Nga Moska ai i shkroi Fan Nolit në Amerikë. “Komunizmi që ne idealizonim si Krisht, ja kaloka edhe satanait për nga ligësia”
Pikërisht për këtë arsye, Komiterni e dënoi me vdekje, siç dënonte kundërshtarët politikë, por ai mundi të shpëtonte duke kaluar në katakombet e nëndheshme dhe u strehua në disa vende të Evropës, megjithatë e ndiqnin agjentët e KGB-së sovjetike.
Ai nuk mund të heshte përpara krimeve që bënte Stalini dhe prandaj e denoncoi dhe u bë një nga denoncuesit kryesorë të regjimit stalinist. Kjo është arsyeja që ai u përndoq jo vetëm nga KGB-ja por edhe nga agjentët e Titos”, tha historiani.
Por kush e dënoi Llazar Fundon?
Llazar Fundon e dënoi Komiterni që e kishte qendrën në Moskë. Ai nëpërmjet Titos kërkonte që të asgjësohej Llazar Fundo dhe Titoja, vazhdimisht në letra i kërkonte Enver Hoxhës, që të asgjësohej Llazar Fundo si një renegat i komunizmit. Enver Hoxha urdhëroi që Fundo të ekzekutohej. Ai urdhëroi korpoarmatën e parë që ta ndiqte Fundon dhe që të vritej, të pushkatohej. E arrestuan dhe e ekzekutuan, madje i zhdukën edhe shenjat e varrit.
Zai Fundo, u ekzekutua më 23 shtator të vitit 1944, por vepra e tij si një nga denoncuesit kryesorë të regjimit çnjerëzor në shqipëri e më gjerë dhe i gjithë aktiviteti i tij kundër komunizimit është sot pjesë jo vetëm e historisë shqiptare por edhe asaj evropiane./ CNA