Një ditë pas momenteve historike që ndodhën në Izrael dhe Egjipt, me lirimin e pengjeve të gjalla nga Hamasi dhe nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Gaza, pyetjet thelbësore rreth planit për një armëpushim të përhershëm në rajon mbeten pa përgjigje.
Të gjithë sytë tani janë te fazat e ardhshme të marrëveshjes, me çështjet e çarmatimit të Hamasit dhe administrimit të Gazës pas luftës që janë ndër më të vështirat.
Dje, të hënën (13/10/25), Presidenti i SHBA-së Donald Trump nga Egjipti, ku u zhvillua Samiti, foli për një “ditë të madhe për Lindjen e Mesme”, ndërsa më herët gjatë fjalimit të tij historik në Knesset, Parlamentin Izraelit, ai theksoi se “makthi i gjatë” për Izraelin dhe palestinezët kishte mbaruar.
“Nuk është vetëm fundi i luftës, është fundi i epokës së terrorit dhe vdekjes”, tha ai.
Në Samitin e Gazës në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, Trump nënshkroi, së bashku me udhëheqësit e Egjiptit, Katarit dhe Turqisë, deklaratën “Paqja 2025”, që synonte konsolidimin e armëpushimit dhe fillimin e një periudhe të re stabiliteti në Gaza.
“Së bashku kemi arritur diçka që e gjithë bota e mendonte të pamundur. Më në fund kemi paqe në Lindjen e Mesme”, tha presidenti amerikan, duke theksuar se marrëveshja është “hapi i parë drejt një të ardhmeje të përbashkët paqeje, sigurie dhe prosperiteti”.
Deklarata parashikon vazhdimin e armëpushimit, tërheqjen graduale të forcave izraelite, dorëzimin e të gjithë pengjeve dhe trupave, si dhe nisjen e një plani humanitar dhe ekonomik të rindërtimit me pjesëmarrjen e organizatave ndërkombëtare.
Nga ana e tij, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi njoftoi se Kajro do të organizojë një konferencë ndërkombëtare mbi rindërtimin e Gazës, pa caktuar një datë.
“Ne ndjekim një vizion gjithëpërfshirës të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët në rajon, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë dhe një fati të përbashkët… Ne jemi të përkushtuar për një të ardhme me paqe të qëndrueshme”, thuhet në postimin e Shtëpisë së Bardhë në platformën X.
Teksti i plotë
Më hollësisht, teksti i plotë i marrëveshjes së paqes për Rripin e Gazës të nënshkruar gjatë Samitit të thirrur nga Donald Trump në Sharm El Sheikh, Egjipt, thotë:
“Ne, të nënshkruarit, mirëpresim angazhimin dhe zbatimin vërtet historik nga të gjitha palët të Marrëveshjes së Paqes së Trump, e cila i dha fund më shumë se dy viteve vuajtjesh dhe humbjesh të thella — duke hapur një kapitull të ri për rajonin, të përcaktuar nga shpresa, siguria dhe një vizion i përbashkët për paqe dhe prosperitet.
Ne mbështesim përpjekjet e sinqerta të Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të sjellë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Së bashku, do ta zbatojmë këtë marrëveshje në një mënyrë që siguron paqe, siguri, stabilitet dhe mundësi për të gjithë popujt e rajonit, përfshirë palestinezët dhe izraelitët.
Ne e kuptojmë se paqja e qëndrueshme do të jetë ajo ku si palestinezët ashtu edhe izraelitët mund të përparojnë, me të drejtat e tyre themelore të njeriut të mbrojtura, sigurinë e tyre të garantuar dhe dinjitetin e tyre të ruajtur.
Ne pohojmë se përparimi i konsiderueshëm vjen nëpërmjet bashkëpunimit dhe dialogut të qëndrueshëm, dhe se forcimi i lidhjeve midis kombeve dhe popujve i shërben interesave të qëndrueshme të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.
Ne e njohim rëndësinë e thellë historike dhe shpirtërore të këtij rajoni për komunitetet fetare, rrënjët e të cilave janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën – midis tyre Krishterimi, Islami dhe Judaizmi. Respektimi i këtyre lidhjeve të shenjta dhe mbrojtja e vendeve të tyre kulturore dhe fetare do të mbetet parësore në angazhimin tonë për bashkëjetesë paqësore.
Ne jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të eliminuar ekstremizmin dhe radikalizimin në të gjitha format e tyre. Asnjë shoqëri nuk mund të lulëzojë kur dhuna dhe racizmi normalizohen ose kur ideologjitë radikale kërcënojnë strukturën e shoqërisë. Ne angazhohemi të adresojmë kushtet që lejojnë përhapjen e ekstremizmit dhe të promovojmë arsimin, mundësitë dhe respektin e ndërsjellë si themele për paqe të qëndrueshme.
Ne me anë të kësaj zotohemi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ardhshme përmes shtrirjes diplomatike dhe negociatave, jo përmes dhunës apo konfliktit të zgjatur.
Ne e pranojmë se Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një cikël të vazhdueshëm luftërash të zgjatura, negociatash të bllokuara ose zbatimin e pjesshëm, të paplotë ose selektiv të kushteve të dakordësuara me sukses. Tragjeditë e dy viteve të fundit duhet të shërbejnë si një kujtesë urgjente se brezat e ardhshëm meritojnë më mirë sesa dështimet e së kaluarës.
Ne kërkojmë tolerancë, dinjitet dhe mundësi të barabarta për çdo person, duke siguruar që ky rajon të jetë një vend ku të gjithë mund të ndjekin aspiratat e tyre në paqe, siguri dhe prosperitet ekonomik, pavarësisht nga raca, feja apo etnia.
Ne ndjekim një vizion gjithëpërfshirës të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të përbashkët në rajon, bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë dhe fatit të përbashkët.
Në këtë frymë, ne mirëpresim progresin e bërë në krijimin e marrëveshjeve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të paqes në Rripin e Gazës, si dhe marrëdhënien miqësore dhe të dobishme reciprokisht midis Izraelit dhe fqinjëve të tij rajonalë.
Ne angazhohemi të punojmë së bashku për të zbatuar dhe ruajtur këtë trashëgimi, duke ndërtuar themele institucionale mbi të cilat brezat e ardhshëm mund të përparojnë së bashku në paqe.
Ne jemi të përkushtuar për një të ardhme me paqe të qëndrueshme.”
Donald J. Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Abdel Fattah El-Sisi
Presidenti i Republikës Arabe të Egjiptit
Tamim bin Hamad Al Thani
Emiri i Shtetit të Katarit
Rexhep Tajip Erdogan
Presidenti i Republikës së Turqisë