07:00
Votime në të 38 komunat
Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.
Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.
Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.
Në prill të vitit 2023, serbët e veriut – duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.
Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.
Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.
06:57
Mirëmëngjesi të dashur lexues,
Unë jam Valona Tela dhe bashkë me kolegët e mi do t’ju mbajmë të informuar në kohë reale për zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Na ndiqni!
Radio Evropa e Lirë

