Korridori 8 është një ko mpleks veprash infrastrukturore që lidh Europën Juglindore horizontalisht. Brenda këtij projekti që fillon nga Porti i Durrësit dhe përfundon në Burgos (Bullgari) parashikohet ndërtimi i një autostrade, një hekurudhe, kabllo fibrash optike dhe interkoneksioni energjetik. Kjo do të thotë korridor! Për rëndësinë jo vetëm ekonomike që ka, por edhe strategjike, quhet gjithashtu Korridori i NATO-s. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Blinda Balluku, deklaroi se në fund të këtij viti pritet të mbarojë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kW ShqipëriMaqedoni e Veriut, pjesë e këtij korridori (për pjesën shqiptare). Kjo vepër pritet të rritë ndjeshëm sigurinë energjetike në vend. Në rast mbiprodhimi, Shqipëria mund të shkëmbejë energji me Maqedoninë e Veriut dhe në rast nevoje, do të mund të marrë energji.
Punimet për ndërtimin e kësaj linje të transmetimit të energjisë kanë nisur në dhjetor të vitit 2023 me kosto 70 milionë euro të financuara nga Banka gjermane KFW, BE-ja dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar. Nisma për të lidhur rrjetet e transmetimit të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) daton që nga viti 2011, kur u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi midis ministrive reciproke për ndërtimin e një linjë transmetimit të gjatë 400 kV “Bitola (Manastir) – Elbasan. Kjo lidhje synon të sigurojë integrim më të mirë të Shqipërisë dhe Maqedonisë në sistemet e energjisë të vendeve fqinje. BE i siguroi Shkupit 37 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe 12 milionë euro grante nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke negociuar një afat kohor për përfundimin e ndërtimit të linjës së energjisë deri në vitin 2017. Vetëm në vitin 2020 shteti fqinj mori masa për të lidhur një kontratë me një kontraktor, përkatësisht kompaninë “EnergoInvest” nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila “rastësisht” zgjodhi si nënkontraktor një kompani vendëse në pronësi të një sipërmarrësi të përfolur për korrupsion.
Në vitin 2021, “EnergoInvest” filloi të insistojë për rinegocimin e kushteve, duke pasur parasysh rritjen e kostove të ndërtimit. Ngecja në negociata pasohet nga ngecja në zbatimin e projektit, ku që nga viti 2022 puna për të është ndërprerë plotësisht. Vetëm në fund të vitit 2024, OST e Maqedonisë ndërpreu kontratën me “EnergoInvest”, duke e lënë ndërtimin të përfunduar vetëm në masën 9%. Shkupi aktualisht po planifikon rihapje të tenderit për zgjedhjen e një kontraktori të projektit. Duke pasur parasysh dinamikën e proceseve të tilla përfundimi i ndërtimit të interkoneksionit mund të jetë në vitin 2030, nëse Qeveria e Hristian Mickoski nuk do ta vonojë sërish!
Kush e ka ndaluar në Shkup zbatimin e projektit për lidhjen me tension të lartë të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë për më shumë se një dekadë?
A po pengohet një lidhje e tillë mundshëm me Shqipërinë nga lobet ekonomike rreth pushtetarëve sllavo-maqedonas në Shkup, të lidhur ngushtë me Beogradin?
A ka rëndësi fakti që vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë prodhues dhe potencialisht eksportues neto i energjisë elektrike?
Maqedonia ka pesë linja energjie me tension të lartë (400 kV), që e lidhin atë me sistemet e vendeve fqinje. Dy prej tyre me Greqinë, një me Kosovën, Serbinë dhe Bullgarinë. Vetëm Shqipëria mungon! Duke marrë parasysh faktin se si Shkupi në mënyrë të përsëritur po saboton ndërtimin e kësaj lidhjeje energjetike, përforcohet përshtypja se Maqedonasit në të vërtetë po bllokojnë realizimin e Korridorit 8 në tërësinë e tij. Kjo konfirmohet nga veprimet e shumta për të parandaluar ndërtimin e një lidhje hekurudhore midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, ecejaket me ndërtimit që s’mbaron kurrë të autostradës GostivarKërçovë–Ohër, mospërcaktimi i pikës së re kufitare të daljes së tunelit autostradal që do të tejkalojë Qafë-Thanën etj….
Për më tepër, kryeministri Maqedonas Hristo Mickoski, po intensifikon ndërtimin e të gjitha llojeve të infrastrukturave në drejtimin Veri – Jug (Korridori Nr. 10), përkatësisht: një gazsjellës me Greqi dhe Serbinë, ndërtimi i një hekurudhe me shpejtësi të lartë që vjen nga Beogradi drejt Selanikut, një autostradë nga veriu në kufirin jugor, rrjete interneti, energjie dhe gjithçka tjetër. Mbetet për t’u parë se deri në çfarë mase qeveria e Shkupit do të vijojë të sabotojë vullnetin tonë e mbi të gjitha të partnerëve tanë perëndimorë, por deri sa Mickosti të jetë kryeministër, nuk ka vend për optimizëm! Beogradit ende sot është udhëkryqi energjetik i rajonit dhe qarqet e oligarkisë energjetike serbe po bëjnë çmos për të ruajtur këtë status quo.
Shqipëria mundet ta ketë gati linjën tashmë, por përtej kufirit, duan që kjo vepër të ngelet një katedrale në shkretëtire!
/Gazeta Panorama